Drita mban stërvitjet e fundit, nuk i frikësohet Legias - Gazeta Express

Drita mban stërvitjet e fundit, nuk i frikësohet Legias

Futboll

Gazeta Express

23/09/2020 23:43

Kampioni i Kosovës ka mbajtur stërvitjet e fundit në Varshavë në stadiumin e Legias. Kampionët kosovarë janë dukur në moral të fortë derisa trajneri i tyre ka thënë se ata nuk i frikësohen fare kundërshtarit. Drita do të përballet me Legian në kuadër të rrethit të tretë të kualifikimeve për Europa Ligë.

Drita ka bërë stërvitjet e para në Varshavë në stadiumin e Legias ku pritet që nesër ta zhvillojë ndeshjen kundër kampionit të Polonisë, Legia Varshava.

Kampioni kosovar shkroi historinë javën e kaluar kur kaloi në rrethin e tretë të garave në Europa Ligë duke eliminuar Sileksin.

Kosovarët e Ardian Nuhiut kanë udhëtuar sot në Poloni nga aeroporti i Tiranës derisa më parë kanë bërë testet për COVID-19 ku kanë rezultuar negativë.

Drita ka mundur të përballet me Legian edhe në rrethin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve, nëse nuk do të eliminohej në tavolinë nga skuadra Lienfield për shkak të një rasti me koronavirus në skuadër.

Si rezultat, skuadra kosovare ishte eliminuar.

Por, trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu ka thënë se skuadra është në gjendje të mirë dhe se ata kanë punuar shumë këto ditë dhe e kanë harruar në njëfarë forme humbjen.

“Ne shpejt e harruam përjashtimin nga kualifikimet për në Ligën e Kampionëve. Ne tashmë kemi luajtur një ndeshje me Sileksin, në të cilën u treguam shumë mirë, kështu që përjashtimi nuk pati ndikim negativ tek ne”, tha Nuhiu në konferencën për media të organizuar pas stërvitjeve në Varshavë.

Tutje Nuhiu ka thënë se skuadra e tij nuk do të trembet por do të luajë pa frikë ndaj Legias.

“Ne jemi të vetëdijshëm se me kë po luajmë, por nuk do të trembemi. Ne do të luajmë ndeshjen tonë dhe do të shohim sa a do të jetë e mjaftueshme”.

Nuhiu është pyetur nga një gazetarë polak se kë do ta dëshironte në skuadër, kurse ai ka thënë se dëshiron dy lojtarë të kësaj skuadre.

“Nëse mund të marr një lojtar nga Legia, do të ishte Luquinhas, gjithashtu keni një lojtarë shumë të talentuar si Karboënik. I gjithë ekipi është me cilësi të lartë, por unë do t’i vlerësoja këto dy si më të spikaturit”, ka deklaruar Nuhiu, transmeton SS.

Kujtojmë se nesër Drita do të përballet në rrethin e tretë eliminatorë të Europa Ligës kundër Legia në Varshavë. Kjo ndeshje do të luhet në orën 20:30. /GazetaExpress/