Skuadra e Drita është përgatitur për ndeshjen vendimtare të “play-off”-it në UEFA Conference League kundër Celje, që do të zhvillohet të enjten në orën 21:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Trajneri Zekirija Ramadani theksoi gjatë konferencës për shtyp rëndësinë e lojës kolektive dhe besimin te futbollistët e tij, pavarësisht mungesave të disa elementëve kyç si Mesa, Manaj dhe Broja.
“Suksesi ynë varet nga identiteti dhe forca e grupit. Kur funksionojmë si ekip, rezultatet vijnë natyrshëm. Nuk mbështetemi te individualiteti, por te kolektivi,” deklaroi Ramadani.
Ai shtoi se ekipi është analizuar mirë përballë Celjes dhe është përgatitur fizikisht, psikologjikisht dhe taktikisht: “I kemi studiuar pesë ndeshjet e fundit të Celjes, kemi identifikuar pikat e forta dhe të dobëta dhe do të përpiqemi t’i shfrytëzojmë maksimalisht kushtet e fushës sonë.”
Ramadani u shpreh optimist për mbështetjen e tifozëve dhe theksoi: “Edhe nëse do të ndodhte një humbje, duhet të largohemi me kokën lartë dhe të mos dalim frikacakë. Besoj tek të gjithë lojtarët që janë në dispozicion dhe nuk do të ndjejmë mungesat.”
Takimi premton të jetë një sfidë e fortë, ndërsa Drita synon të shfrytëzojë avantazhin e fushës së saj dhe të synojë kualifikimin në fazën tjetër të kompeticionit evropian. /GazetaExpress