Drita e venitur e demokracisë liberale - Gazeta Express
string(38) "drita-e-venitur-e-demokracise-liberale"

OP/ED

Gazeta Express

13/01/2021 14:11

Drita e venitur e demokracisë liberale

OP/ED

Gazeta Express

13/01/2021 14:11

Demokracia liberale është e gërryer, madje edhe në themelet e saj. Por politika autoritare që e sfidon atë, është jashtëzakonisht shumë më e keqe. Ata nga ne që vazhdojnë të besojnë tek liria dhe demokracia, shpresojnë që Trump ishte paralajmërimi që na duhej të gjithëve. Por unë dyshoj. Nuk ka asnjë aq të verbër sa egotistët e pasur që nuk duan të shohin

Nga Martin Wolf

Lexo Edhe:

“Për herë të parë në këtë shekull, midis vendeve me më shumë se 1 milion njerëz, ka tani më pak demokraci, sesa regjime jo-demokratike”. Kjo fjali domethënëse vjen nga historiani i universitetit të Oksfordit, Timoti Gerton Esh, në një ese me titull “E Ardhmja e Liberalizmit”.

Vëzhgimi i tij pasqyron atë që Lerri Diamond i Universitetit të Stenfordit, e etiketon si “recesion demokratik”. Zgjedhja e Xho Baden si president i SHBA-së përbën një lehtësim. Por kjo histori nuk ka mbaruar ende.

Për të kuptuar se çfarë po ndodh, duhet ta lidhim politikën me ekonominë. Branko Milanoviç, një ekspert i pabarazisë, e bëri këtë në librin “Capitalism Alone” botuar vitin e kaluar. Kapitalizmi ka triumfuar, argumenton ai. Ai ka të drejtë:ekonomia e tregut është vërtet triumfuese.

Por shton ai, ekonomitë kapitaliste janë ndarë në 2 sisteme politike të dallueshme:modeli “liberal” i SHBA dhe i aleatëve të saj, që është shqetësimi i Esh dhe Diamond, dhe modeli “politik” i Kinës. Milanoviç argumenton me të drejtë se demokracia liberale është një e mirë në vetvete, dhe se ajo e lejon vetë-korrigjimin paqësor.

Njerëzit dëshirojnë lirinë, dhe votuesit amerikanë e refuzuan këtë herë Donald Trumpin. Kinezët nuk mund të bëjnë të njëjtën gjë me presidentin Xi Jinping. Argumenti mbi “kapitalizmin politik” është i dobishëm dhe ai funksionon. Rritja e Kinës ka qenë vërtet e jashtëzakonshme.

Këtë gjë e kanë vënë re shumë njerëz. Një sondazh i fundit nga Qendra e Kërkimeve Pju, tregon se shumë më tepër evropianë, mendojnë tani se është Kina dhe jo SHBA-ja ekonomia kryesore e botës. Dikotomia e Milanoviç është e dobishme, por e thjeshtë.

Në fakt ekziston një version i tretë politik i kapitalizmit:kapitalizmi autoritar demagogjik. Ai mund të lindë nga komunizmi i shembur, si në Rusinë e sotme, ose nga një demokraci e degraduar si në Brazil ose Turqi. Kapitalizmi autoritar demagogjik, është një hibrid.

Ashtu si në sistemin kinez të kapitalizmit autoritar burokratik, sundimtari është mbi ligjin, dhe nuk është llogarridhënës ndaj qytetarëve. Zgjedhjet mbahen sa për formë. Por pushteti është personal, dhe jo i institucionalizuar. Ajo është një politikë e korruptuar gangsterësh, e cila mbështetet tek besnikëria personale e miqve.

Shpesh thelbi i regjimit përbëhet nga anëtarët e familjes, që shihen si më të besueshëm. Ky është sistemi politik që donte të instalonte në SHBA Donald Trump. Sundimtarë të tillë, janë si larvat që e hanë merimangën nga brenda.

Ata arrijnë të fitojnë një palë zgjedhje demokratike, dhe më pas shkatërrojnë të gjitha pengesat institucionale dhe politike ndaj një sundimi personal të papërcaktuar në kohë.  Trump i ka të gjitha tiparet. E vërteta është ajo që ai thotë se është; një proces i ndershëm është i tillë kur fiton ai; dhe një zyrtar i mirë, është ai që i qëndron besnik.

Trump dëshiron të jetë autokrat. Kjo dallon shumë nga të thënit, se ai dëshiron të qeverisë.

As Neroni nuk ishte shumë i interesuar të qeveriste. Por ai patjetër që ishte tiranik. Ngjarjet në SHBA treguan dy gjëra thelbësore. Së pari, që institucionet bazike amerikane, përfshirë gjykatat, i rezistuan përpjekjes së tij për të përmbysur zgjedhjet.

Së dyti, që një pjesë e madhe e Partisë Republikane e ka mbështetur gënjeshtrën e tij se zgjedhjet u manipuluan. Kjo qasje, ka nënvizuar një realitet tjetër të 4 viteve të fundit: udhëheqja republikane tregoi një bindje absolute ndaj udhëheqësit të tyre.

Dhe kjo nuk është diçka e rastësishme. Ajo është rezultati logjik i strategjisë politike dhe ekonomike të “pluto-populistit”. Trump është një rezultat i natyrshëm i qëllimit strategjik të klasës së donatorëve:ul taksat dhe redukto rregullat për biznesin.

Për të arritur këtë synim, ata duhet të bindin një pjesë të madhe të popullsisë të votojë kundër interesave të saj ekonomikë, duke u fokusuar tek kultura dhe identiteti. Kjo strategji ka funksionuar dhe do të funksionojë.

Trump mund të ketë humbur; por Trumpizmi jo. Modele jo krejtësisht të ndryshme mund të shihen tek Brexit Britani. Xho Bajden është një njeri i mirë. Ajo që ai dëshiron të bëjë brenda dhe në skenën ndërkombëtare, ka shumë kuptim. Por ai do të përballet me një opozitë të ashpër, për ta bërë atë të dështojë.

Siç e tregon sondazhi i Pju, Trump e ka prishur besimin e botës tek kompetencat dhe mirësjellja e SHBA-së. Bajden do ta ketë shumë të vështirë ta rifitojë atë besim. Dhe teksa e ardhmja e SHBA-së si një demokraci liberale është ende e pasigurt, kjo kauzë mbetet në telashe të mëdha në të gjithë botën.

Por demokracia liberale ka një avantazh të madh:kundërshtarin e saj kryesor. Siç vëren Samanta Pauer e Harvardit, popullariteti i Kinës në sondazhet e Gallup është mesatarisht vetëm 32 për qind midis 130 vendeve të botës. Dhe vështirë se ka lëvizur gjatë 10 viteve të fundit.

Njerëzit e respektojnë Kinën, por nuk e pëlqejnë atë. Ndërkohë Kina përballet me sfidën e ruajtjes së dinamizmit ekonomik, pa pasur një shtet të besueshëm ku sundon ligji. Asnjë nga sistemet e sotme dominuese, nuk po funksionon mirë. Kapitalizmi është inovativ, por krijon sfida të mëdha shoqërore, politike dhe mjedisore.

Demokracia liberale është e gërryer, madje edhe në themelet e saj. Por politika autoritare që e sfidon atë, është jashtëzakonisht shumë më e keqe. Ata nga ne që vazhdojnë të besojnë tek liria dhe demokracia, shpresojnë që Trump ishte paralajmërimi që na duhej të gjithëve. Por unë dyshoj. Nuk ka asnjë aq të verbër sa egotistët e pasur që nuk duan të shohin. / FT – Bota.al