Drita do të zbresë në fushën e blertë sonte për të luajtur prapë në Ligën e Kampionëve.
Kampionia e Kosovës do ta zhvillojë ndeshjen e kthimit të rrethit të parë kualifikues të Championsit, shkruan “Gazeta Express”.
Gjilanasit e mposhtën ekipin FC Differdange 03 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë javën e kaluar me rezultat 1:0 në ndeshjen e parë falë golit të realizuar nga Arb Manaj.
E tash, trupa e Zekirija Ramadanit do të mundohet ta ruajë këtë avantazh në ndeshjen e kthimit, e cila do të luhet në stadiumin “Stade Municipal de la Ville”.
Drita në fakt do ta kërkojë kalimin në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve për herë të parë, ndërsa kjo është pjesëmarrja e saj e tretë në kualifikimet e Championsit.
Sa i përket kundërshtarit, kjo është hera e parë që Differdange merr pjesë në fazën kualifikuese të garës më prestigjioze të futbollit evropian, ndërsa në edicionin e kaluar mori pjesë në Ligën e Konferencës.
Ndeshja mes FC Differdange 03 dhe Dritës do të nisë prej orës 20:00.
E sonte do të luajnë edhe ekipet tjera shqiptare.
Kampionia e Shqipërisë, Egnatia do ta vizitojë ekipin Breidablik, në ndeshjen që do të nisë prej orës 21:00.
Ekipi shqiptar e ka një kapital prej një goli, të cilin do të mundohet ta ruajë njëjtë si Drita.
Kurse, skuadra tjetër shqiptare, Shkëndija e Tetovës do t’i bëjë konak skuadrës TNS.
Dueli i parë mes tyre kishte përfunduar baras pa gola, 0:0, ndërsa tash Kuqezinjtë përpara publikut të tyre duan ta sigurojnë kualifikimin tutje. /Gazeta Express