Drita do të mundohet ta vazhdojë rrugëtimin në Ligën e Evropës sonte.
Kampionia e Kosovës në fakt do ta kërkojë kualifikimin historik në fazën e “play-off”-it të kësaj gare.
Bardhekaltrit do ta zhvillojnë sonte ndeshjen e kthimit të rrethit të tretë kualifikues të Europa Leagues, shkruan “Gazeta Express”.
Skuadra e Zekirija Ramadanit bëri lojë të mirë në Rumani javën e kaluar, por u mposht me përmbysje nga skuadra vendëse FCSB me rezultat 2:3.
Ndonëse kishin epërsi prej dy golash, më saktësisht 2:0, gjilanasit nuk ia dolën ta ruanin këtë kapital.
Por, atë që nuk mundi ta bënte në Bukuresht, ekipi nga Anamorava do të tentojë ta bëjë sonte në Prishtinë, i prirë nga tifozët e flaktë të tij – “Intelektualët”.
Derisa Drita synon ta shkruajë historinë, rumunët, të cilët në Kosovë erdhën me truproja, i kanë shprehur po ashtu kanë ambicie për ta ruajtur avantazhin e lojës së parë dhe për të shkuar tutje.
Trajneri Ramadani do të mundë të llogarisë në sulmuesin e rikthyer, Liridon Balaj, ndërsa do të mungojë mbrojtësi Juan Camilo Mesa.
Ndeshja mes Dritës dhe FCSB do të luhet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë duke filluar nga ora 20:00.
Në stadium pritet të jenë të pranishëm një numër i madh i tifozëve. /Gazeta Express