Zvicra njihet si një vatër e talentëve kosovarë.
Nga shteti Helvetik kanë dalë lojtarët më të mirë të Kombëtares së Kosovës, e para disa vitesh edhe të Shqipërisë.
E lojtar mjaft premtues është edhe Drilon Kastrati.
Futbollisti kosovar ishte drejt arritjes së majave të futbollit, por dy vitet e fundit për të ishin për t’u harruar.
Sidoqoftë, mosha e re ia mundëson atij që ta provojë edhe një herë ngritjen e madhe, shkruan “Gazeta Express”.
Mesfushori i lindur në Zurich e kishte nisur karrierën në ekipin FC Glattbrugg, prej nga kishte kaluar në Grasshoppers, ku kishte luajtur për disa vite në kategori të ndryshme.
Më pas, kur u bë për të luajtur për seniorë, 20 vjeçari ishte transferuar në FC Schaffhausen në vitin 2019.
Me klubin zviceran ai kishte nënshkruar kontratë trevjeçare, por në vitin e parë ishte huazuar tek Freiburgu, ku luante për ekipin U-19.
Më pas, dy vitet e fundit ishin të errëta për të pasi trajnerët Murat Yakin, tash selektor i Zvicrës, dhe vëllai i tij, Hakan, nuk ia dhanë rastin, edhe pse e meritoi të luante.
Sidoqoftë, ai e ka lënë prapa krahëve këtë eksperiencë dhe tash po shikon përpara.
Muajin e kaluar, Driloni iu bashkua ekipit armen, Ararat, i cili u paraqit edhe në Conference League.
Kastrati është duke u munduar të rikthejë formën e dikurshme, në mënyrë që ta provojë rikthimin në nivelet më të larta.
Në një bisedë me “Gazetën Express”, futbollisti i talentuar flet për të tashmen dhe për të ardhmen e tij.
“Qe një muaj jam transferuar në Ararat, edhe pse kisha edhe oferta të tjera. Shpresoj që të më jepet rasti sa më shumë këtu, që ta tregoj veten. Unë po punoj fort dhe jam gati ta arrij formën e dikurshme, vetëm më nevojitet të luaj rregullisht. Në Ararat presin shumë nga unë. Shpresoj që të më ecin punët mirë këtu dhe më pas të më hapen dyert. Tatëpjetat ndodhin në jetë, shpresoj që këtu ta marr ‘hezin’ dhe të ngritem aty ku isha, por edhe më lart”, shpehet fillimisht Kastrati, i cili ka fituar trofe të ndryshëm me kategoritë e reja.
Ai ka nënshkruar kontratë njëvjeçare me ekipin nga Armenia, me të cilin mund të paraqitet në garat evropiane verën tjetër nëse klubi i arrin objektivat.
E më pas, ai shpreson që ta bëjë hapin e radhës në karrierë.
Luajti në Evropianin e të rinjve me Zvicrën
Paraqitjet solide me ekipet ku u paraqit ia mundësuan Kastratit të ftohej thuajse rregullisht edhe në ekipet zinxhir të Zvicrës.
Ai ishte pjesë e U-16 të Zvicrës, ndërsa më pas me U-17 të Helvetikëve kishte marrë pjesë edhe në Kampionat Evropian, krahas kualifikimeve.
Fatkeqësisht, në Evropianin e mbajtur në Angli ai e kishte thyer dorën në fillim të lojës me Italinë dhe me këtë rast e kishte humbur këtë turne prestigjioz.
Megjithatë, ai kishte luajtur deri në moshat U-20 të Zvicrës, ku kjo grupmoshë zhvillon vetëm ndeshje miqësore.
Pra, Kastrati e ka një përvojë goxha të mirë ndërkombëtare, e cila do t’i shërbejë gjithsesi në karrierë.
Synon të luajë për Kosovën
Drilon Kastrati e ka shijuar në maksimum eksperiencën me Zvicrën, por tash fokusi i tij është diku tjetër.
Mesfushori kreativ, i cili në fushë e lidh mbrojtjen me sulmin, tash mendjen e ka tek vendi i tij dhe i prindërve të tij, Kosova.
Ai po qëndron me këmbët në tokë dhe ambiciet e tij janë modeste dhe reale, shkruan “Gazeta Express”.
“Fokusi im është te Kosova U-21. E më pas, nëse më vjen shansi, pse jo, të luaj edhe për Kosovën A në të ardhmen. Por, fillimisht dua të fokusohem tek ekipi, me të cilin duhet ta kthej formën dhe më pas besoj se do të më hapen edhe dyert tjera”, vazhdoi tutje futbollisti kosovar, i cili e falënderoi familjen për mbështetjen e vazhdueshme, e në veçanti babanë e tij Shabanin, i cili i ka qëndruar gjithmonë afër dhe ka qenë një faktor i rëndësishëm i suksesit të tij në futboll.
Drilon Kastrati është ende në fillimet e karrierës si profesionist.
Puna dhe vullneti s’i mungojnë. Por, as kualiteti.
Prandaj, të gjithë presin që 20 vjeçari ta ketë një karrierë të suksesshme. /Gazeta Express/