Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, të premten mori vendim për shpërndarjen e Kuvendit.
Pas kësaj Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme me të cilën ia ndalon Presidentes dhe Kuvendit çdo veprim deri më 31 mars.
Vendimi ershi pasi kryeministri Kurti e dorëzoi për shqyrtim në këtë gjykatë dekretin e Osamnit.
Në lidhje me vendimin e Osamnit dhe situatën e krijuar ka folur për “Gazeta Blic” ish-deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj.
Dreshaj tha se Kosova ka nevojë për udhëheqës dhe subjekte politike serioze të përgjegjshme dhe të angazhuara për konsolidimin e shtetit.
Ai tha se Kurti po e dërgon vendin drejt zgjedhjeve për shkak të mungesës së gatishmërisë për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit për Asociacionin.
“Koalicionet politike të bazuara në interesa të ngushta dhe papërgjegjësi janë të destinuara të dështojnë, dhe kjo është një nga arsyet kryesore që shpjegon serinë e zgjedhjeve dhe krizave institucionale në vend. Kosova ka nevojë për udhëheqës dhe subjekte politike serioze, të përgjegjshme dhe të angazhuara për konsolidimin e shtetit, jo për populizëm apo përfitime afatshkurtra.Veprimet që duhet të ndërmarrë elita politike lidhen kryesisht me përforcimin e shtetësisë dhe marrjen e përgjegjësisë për vendimet strategjike. Shumë shtete në botë që më parë kanë ekzistuar si entitete të pavarura, më pas kanë humbur sovranitetin. Prandaj, papërgjegjësia politike dhe menaxheriale nuk duhet toleruar dhe duhet të ketë pasoja të qarta”
“Për subjektet politike fituese, përgjegjësia kryesore është krijimi i një klime tolerante dhe bashkëpunuese në Kuvend dhe në qeverisje. Zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 nuk ishin thjesht një proces për të siguruar shumicën minimale prej 61 deputetësh, por një garë për të siguruar shumicën e nevojshme për qeverinë dhe për presidencën (80 deputetë). Procesi zgjedhor, megjithëse i komplikuar nga numërime dhe rinumërime, prodhoi një shumicë parlamentare të udhëhequr nga VV, me kapacitete për formimin e qeverisë dhe, me tolerancë minimale, për presidencën” deklaroi Dreshaj.
Sipas ish-deputetit të AAK-së, Kurti, kërkonte një partner qeverisës që të merrte përsipër siç ai e quan “pataten e nxehtë”, por këtë herë ky partner nuk u gjet, duke çuar vendin sërish në zgjedhje.
“Mos-toleranca dhe pamundësia për kompromis politik do të rezultojë në zgjedhje të reja. Kryeministri Albin Kurti e dërgon vendin drejt këtyre zgjedhjeve për shkak të mungesës së gatishmërisë për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit për Asociacionin. Ai kërkonte një partner qeverisës që të merrte përsipër “pataten e nxehtë”, por këtë herë ky partner nuk u gjet, duke çuar vendin sërish në zgjedhje. As opozita, as presidenca nuk ishin të gatshme ta marrin këtë përgjegjësi” tha ai.
Ish-deputeti i AAK-së, Dreshaj, tha se veprimi i presidentes Vjosa Osmani është mbështetur në nenin 86 të Kushtetutës së Kosovës i cili rregullon procedurën e zgjedhjes së Presidentit.
“Veprimi i presidentes Vjosa Osmani është mbështetur në nenin 86 të Kushtetutës së Kosovës, i cili rregullon procedurën e zgjedhjes së Presidentit. Megjithatë, ndërveprimi me nenin 82, i cili flet për shpërndarjen e Kuvendit, krijon hapësirë për interpretime të ndryshme juridike. Kjo është një sfidë e zakonshme në sisteme parlamentare ku kompetencat e institucioneve kanë pika të ndërthurura”
Dreshaj potencoi se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja dhe është thelbësore që votuesit të përdorin këtë mundësi për të ndëshkuar mashtruesit dhe keqbërësit
“Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja, dhe është thelbësore që votuesit të përdorin këtë mundësi për të ndëshkuar mashtruesit dhe keqbërësit, dhe për të përzgjedhur udhëheqës me merita dhe përgjegjësi. Kjo është një provë për maturinë politike të shoqërisë dhe për kapacitetin e saj për të konsoliduar institucionet demokratike” deklaroi Dreshaj