Drejtori sportiv i Bayer Leverkusen, Simon Rolfes, thekson sërish se nënkampionët e Gjermanisë duan të vazhdojnë të llogarisin tek organizatori i lojës, Granit Xhaka, edhe për sezonin e ri.
Kapiteni 32-vjeçar i Zvicrës është lidhur së fundmi me disa klube, transmeton Gazeta Express.
Ndërsa interesi nga Arabia Saudite thuhet se është zbehur, të sapongjiturit në Premierligë, Sunderland, dhe klubi i Mourinhos, Fenerbahçe, vazhdojnë të tregojnë interes për mesfushorin.
Por Simon Rolfes ka folur qartë për këtë çështje: “Granit është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne – për skuadrën dhe për klubin. Interesi ynë kryesor është ta mbajmë,” tha drejtuesi i Leverkusenit në një konferencë për shtyp në Rio de Janeiro, ku skuadra ndodhet aktualisht në një kamp stërvitor.
Ai shtoi: “Sigurisht që ka interes për të, duhet të flasim me lojtarin për të ditur cilat janë ambiciet e tij. Por është e qartë: vetëm nëse do të jetë një situatë ‘fitim-fitim’ do të ketë një transferim.”
Rolfes shtoi më tej: “Kemi edhe tre vite kontratë me lojtarin dhe jemi shumë të kënaqur me të. Kemi objektiva të mëdha për vitet në vijim. Prandaj, një transferim mund të ndodhë vetëm nëse është në të mirë të të gjitha palëve. Duhet të presim. Por synimi ynë është që Granit të qëndrojë me ne.”
Vetë Xhaka deri tani nuk është shprehur publikisht për qëllimet dhe planet e tij.