Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme në Maqellarë të Dibrës, ku një grua është plagosur rëndë nga djali i saj. Viktima është Nexhmie Sula, 50 vjeçe, e cila mban postin e drejtoreshës së shkollës 9-vjeçare në fshatin Pocest.
Ngjarja ka ndodhur në banesën e tyre, gjatë një konflikti mes nënës dhe të birit, i cili në rrethana ende të paqarta ka humbur kontrollin dhe e ka goditur të ëmën shtatë herë me thikë. Sulmi i dhunshëm ka alarmuar fqinjët, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë.Forcat e rendit kanë ndërhyrë me shpejtësi, duke bërë arrestimin e autorit, një 22-vjeçar, i cili tashmë ndodhet në ambientet e komisariatit për t’u marrë në pyetje.
Ndaj tij pritet të ngrihen akuzat për plagosje të rëndë me dashje dhe dhunë në familje.Ndërkohë, Nexhmie Sula është transportuar me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim mjekësor për plagët e marra. Mjekët kanë bërë të ditur se ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por në gjendje të rënduar.