Bashkimi Demokratik për Integrim ka akuzuar për përshpejtimin e penetrimit të “Botës Serbe” në Maqedoninë e Veriut, që sipas tyre pas Telekomit Serb, po hyn fuqishëm edhe në sektorin bankar përmes “Alta Bank”. “Ky nuk është një investim i zakonshëm financiar, por një operacion i strukturuar politik dhe ekonomik i Beogradit për të siguruar kontroll strategjik mbi institucionet kyçe të vendit, me përfshirje aktive të partnerëve qeveritarë, përfshirë VLEN-in”, thonë nag BDI, transmeton Portalb.mk.
“Burime nga Banka Popullore bëjnë të ditur se drejtimin e “Alta Bank” në Maqedoni pritet ta marrë ish-anëtarja e Kryesisë së VMRO-DPMNE-së dhe ish-zëvendësguvernatore, Maja Kadievska Vojnoviq, bashkëpunëtore e ngushtë e kryeministrit në fushën e ekonomisë. Emërimi i saj vjen si rezultat i lobimit personal të Mickoskit tek Aleksandar Vuçiq, duke e lidhur drejtpërdrejt bankën me strukturat politike të Serbisë. Sipas burimeve të brendshme, një nga arsyet e emërimit të Trajko Slavevskit si guvernator ka qenë premtimi i tij se do të eliminojë çdo pengesë për hyrjen e “Alta Bank” në tregun vendor, pavarësisht paralajmërimeve të profesionistëve të Bankës Popullore për rreziqet që kjo sjell për reputacionin financiar të vendit në sytë e autoriteteve evropiane”, thonë nga BDI.
Kjo ndërhyrje është pjesë e së njëjtës strategji që siç thonë nga BDI e kanë denoncuar më herët: prioritetizimi i lidhjeve me Beogradin dhe boshtin lindor, vizitat e figurave me qendrime proruse si Millorad Dodik, promovimi i Korridorit 10 në vend të Korridorit 8, përfshirja e figurave fetare serbe në aktivitete shtetërore dhe donacionet me prejardhje serbe në vend.
“Tani, me kapjen e sektorit bankar, “Bota Serbe” do të ketë mundësinë të financojë bizneset e afërta me qeveritarët, duke i futur ata në skema edhe më të mëdha korruptive dhe duke i bërë të varur nga interesat e Beogradit. Institucionet që duhet të mbronin sigurinë kombëtare po heshtin ose janë bërë pjesë e këtij procesi. Agjencia e Inteligjencës dhe Agjencia për Siguri Kombëtare, që duhet të alarmonin për rreziqet, janë shndërruar në struktura inerte ose të kontrolluara politikisht. Presidentja dhe kabineti i saj, në vend që të mbrojnë interesin shtetëror, po minimizojnë ose shpërndajnë lajme të rreme për të maskuar natyrën e vërtetë të këtij operacioni”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Kujtojmë se raporti i ri i BE-së, i cili u miratua nga Parlamenti Evropian, paralajmëroi për rritjen e ndikimit të Rusisë dhe Kinës dhe dënon promovimin e konceptit të një “bote serbe” nga zyrtarët e Maqedonisë së Veriut.
“PE shpreh shqetësimin e saj në lidhje me të ashtuquajturin projekt ‘bota serbe’ dhe se disa përfaqësues të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut po e mbështesin dhe promovojnë këtë koncept; PE dënon pjesëmarrjen në takime që synojnë të krijojnë një sferë ndikimi që minon sovranitetin e vendeve të tjera dhe stabilitetin e rajonit”, thuhet në raport.
tag_katrorimaqedoni_2