Drejt një ekonomie me fytyrë njerëzore - Gazeta Express
string(38) "drejt-nje-ekonomie-me-fytyre-njerezore"

OP/ED

Gazeta Express

24/03/2026 15:07

Drejt një ekonomie me fytyrë njerëzore

OP/ED

Gazeta Express

24/03/2026 15:07

Shkruan: Arben Malaj

Gjatë angazhimit tim si Konsull Nderi i Austrisë në Shqipëri, në një vizitë zyrtare në Vjenë, pata rastin të diskutoj me kolegë austriakë mbi trashëgiminë politike të vendit të tyre. Pyetja ime ishte e thjeshtë: “Kush konsiderohet kancelari juaj më i mirë pas Luftës së Dytë Botërore?”. Përgjigja ishte unanime: Bruno Kreisky. Ky udhëheqës socialdemokrat, që qeverisi në vitet 1970-1983, mbetet në histori për një parim, që sot duket pothuajse heretik në sytë e teknokratëve financiarë. Në një periudhë krizash të rënda globale, ai deklaroi me integritet të lartë: “Disa miliardë më shumë borxh më shkaktojnë më pak dhimbje koke sesa disa qindra mijëra të papunë”. Ky qëndrim i Kreisky-t nuk ishte thjesht një retorikë politike, por një strategji e mirëfilltë ekonomike e njohur si “Austro-Keynesianism”.

Në vend që të ndiqte politikat e shtrëngimit (austerity) që po përhapeshin në pjesën tjetër të Evropës, ai zgjodhi prioritetin e punësimit të plotë.

Ai besonte se roli i shtetit ishte të mbrohej shtresa e mesme dhe e varfër, edhe nëse kjo kërkonte deficit buxhetor të përkohshëm.

Përmes këtij modeli, ai ndërmori reforma të thella në sistemin ligjor, arsimor dhe social, duke e kthyer Austrinë në një shtet mirëqenieje model dhe duke forcuar kohezionin social në një kohë kur bota po tronditej nga kriza e naftës.

Për tranzicionin shqiptar dhe reformat tona strukturore, ky shembull mbart një rëndësi jetike.

Studimet bashkëkohore mbi paketat antikrizë tregojnë një prirje shqetësuese: ato shpesh bazohen në formulën 1/3 rritje të ardhurash dhe 2/3 shkurtim shpenzimesh. Ky shkurtim fokusohet kryesisht te shpenzimet sociale, çka sjell efekte negative strukturore. Kur partitë, qofshin të majta apo të djathta, detyrohen të ndjekin këto rregulla të ftohta makroekonomike, ato shpesh harrojnë koston njerëzore që vjen pas shifrave.

I. ANALIZA E KONTRASTIT: PËRFITIMET AFATSHKURTRA VS. KOSTOT AFATGJATA

Politikat shtrënguese shpesh reklamohen për “përfitimet” e tyre të menjëhershme. Ato synojnë stabilizimin e shpejtë të indikatorëve fiskalë, uljen inflacionit, deficitit dhe qetësimin e tregjeve financiare apo kreditorëve ndërkombëtarë. Megjithatë, ky “përmirësim” është shpesh një iluzion kontabël, që paguhet me një çmim të lartë social. Në planin afatgjatë, kostot strukturore janë shkatërruese. Kur shkurtimet prekin arsimin dhe shëndetësinë, ne në fakt po dëmtojmë “kapitalin njerëzor” – burimin kryesor të ritmeve dhe cilësisë të rritjeve ekonomike.

Papunësia e rritur dhe varfëria nuk janë thjesht statistika; ato përkthehen në humbje të aftësive profesionale, rritje të kriminalitetit dhe emigrim masiv të trurit. Ky lloj “kursimi” prodhon një ekonomi anemike, ku kohezioni social dobësohet ndjeshëm.

II. KRIZA E VITIT 2026 DHE DËSHTIMI I KONSENSUSIT TË WASHINGTON-IT

Në vitin 2026, bota po përballet me sfida të reja që po testojnë rezistencën e shteteve tona. Përvojat e hidhura të tranzicionit në Evropën Lindore treguan se reformat e imponuara nga jashtë, të njohura si “Washington Consensus” (Washington 1) dhe më vonë versioni i tij i rishikuar (Washington 2), dështuan të prodhonin mirëqenie të shpërndarë gjerësisht.

Kritika thelbësore e Dani Rodrik, profesor i Harvardit, mbetet sot më aktuale se kurrë: institucionet financiare ndërkombëtare (IFN) shpesh harrojnë specifikat historike dhe kulturore të çdo vendi.

Mesazhi i tij është i qartë: “Nuk ka një kostum që ju rri mirë të gjithëve” (One size does not fit all). Imponimi i reformave standarde pa kuptuar kontekstin lokal ka prodhuar rritje të pabarazisë dhe zhgënjim demokratik.

III. MIRËQEVERISJA DHE GODITJA NGA KORRUPSIONI EPIDEMIK

Mirëqeverisja është kushti i pashmangshëm për të lehtësuar sfidat e kohezionit social. Një shtet që funksionon me integritet, siguron që burimet publike të shpërndahen në mënyrë të drejtë, duke forcuar besimin e qytetarit tek institucionet. Megjithatë, ky proces sabotohet rëndë nga “korrupsioni epidemik” dhe “kapja e shtetit”. Kur interesat e ngushta private diktojnë vendimmarrjen publike, solidariteti social pushon së ekzistuari. Pasojat e kapjes së shtetit janë jetike dhe shkatërruese. Ajo jo vetëm që devijon fondet nga shëndetësia dhe arsimi drejt xhepave oligarkikë, por deformon vetë kuptimin e reformave.

Analizat paralajmëruese të Departamentit të Shtetit (DASH) dhe progres-raportet e Bashkimit Evropian (BE) kanë theksuar vazhdimisht se korrupsioni i lartë mbyt konkurrencën dhe dekurajon investimet që krijojnë punësim dinjitoz.

Indekset ndërkombëtare, si ai i “Transparency International” apo “World Justice Project”, tregojnë një korrelacion të frikshëm: vendet me nivel të lartë të perceptimit të korrupsionit dhe kapjes së shtetit kanë nivelin më të ulët të kohezionit social dhe shkallën më të lartë të pasigurisë ekonomike. Ky fenomen prodhon një thyerje të madhe morale: qytetarët ndjehen të braktisur nga shteti i tyre, gjë që çon në “vdekjen” e solidaritetit njerëzor. Kur ligji nuk është i barabartë për të gjithë, kontrata sociale griset dhe rezultati është një shoqëri e fragmentuar, ku pabarazia strukturore bëhet e pakapërcyeshme.

IV. INTEGRITETI SI BUSULL NË POLITIKAT E REJA SOCIALE

Në debatin akademik, zërat e nobelistëve si Joseph Stiglitz dhe Paul Krugman mbështesin idenë se kohezioni social është parakusht për stabilitetin ekonomik. Për Shqipërinë e vitit 2026, rekomandimi kryesor është kalimi nga një “reformatizim i detyruar” drejt një udhëheqjeje me integritet, që lufton kapjen e shtetit si aktin më të lartë të mbrojtjes sociale.

Modeli i Kreisky-t na mëson se stabiliteti i vërtetë i një vendi nuk vjen nga librat e kontabilitetit, por nga siguria sociale dhe drejtësia që ndjejnë qytetarët. Integriteti i një udhëheqësi matet me guximin për t’u thënë “jo” recetave që varfërojnë popullin në emër të shifrave abstrakte dhe me vendosmërinë për të çmontuar rrjetet e korrupsionit që mbajnë peng të ardhmen e përbashkët.

Në librin tim mbi fuqinë e integritetit, kjo mbetet dëshmia se ekonomia duhet të jetë gjithmonë një mjet në shërbim të njeriut dhe solidaritetit njerëzor.

Referencat

I. Kontributet Nobel dhe Teoria Ekonomike Stiglitz, J. E. (2012). The Price of Inequality: How Today’s Divided Society Endangers Our Future. W. W. Norton & Company. (Një analizë e thellë mbi atë se si politikat e gabuara rrisin pabarazinë dhe dëmtojnë kohezionin social).

Krugman, P. (2012). End This Depression Now!. W. W. Norton & Company. (Ku trajtohet gjerësisht dështimi i politikave të austeritetit dhe rëndësia e investimeve publike).

Rodrik, D. (2007). One Economics, Many Recipes: Globalization, Institutions, and Economic Groëth. Princeton University Press. (Burimi i parimit “nuk ka një kostum që ju rri mirë të gjithëve” dhe kritika ndaj recetave standarde të IFN-ve).

I. Raporte Ndërkombëtare dhe Institucionale * U.S. Department of State (DASH). (2025- 2026). Investment Climate Statements: Albania. (Raportet vjetore mbi klimën e investimeve, ku theksohet korrupsioni epidemik dhe mungesa e transparencës si pengesa strukturore)

* European Commission. (2025). Albania Report (Enlargement Package). Brussels. (Analiza e BE-së mbi shtetin e së drejtës, kapjen e shtetit dhe progresin në mbrojtjen sociale).

Transparency International. (2026). Corruption Perceptions Index (CPI). (Të dhënat krahasimore mbi nivelin e korrupsionit në vendet e tranzicionit).

III. Studime mbi Modelin Austriak dhe Tranzicionin

* Seidel, H. (2005). The Austrian Economy in the 20th Century. (Për detaje mbi epokën “Kreisky” dhe politikat e Austro-Keynesianism).

World Justice Project. (2026). Rule of Law Index. (Indeksi që mat lidhjen mes drejtësisë, mirëqeverisjes dhe stabilitetit social).

Advertisement
Advertisement
Advertisement