Drama e familjes nga Mamurrasi, gruaja: Fëmijët më kërkojnë bukë, na ndihmoni të fusim kokën diku - Gazeta Express

Drama e familjes nga Mamurrasi, gruaja: Fëmijët më kërkojnë bukë, na ndihmoni të fusim kokën diku

Shqiperi

Gazeta Express

01/04/2020 15:40

Në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” në News24, ka ardhur sot i rrëfyer kalvari i vuajtjeve të familjes Dika. E përbërë prej tetë pjesëtarësh nga ku dhimbja nuk merr fund asnjëherë por bëhet edhe më e thellë. Vajza 7-vjeçare e kësaj familje dhe vëllai i kryefamiljarit vuajnë nga dy sëmundje tepër të rënda. Sikur të mos mjaftonte kjo, Rajmonda, nëna e fëmijës në kushtet e dëshpërimit së dhimbjes tentoi të vetëvritej. Ajo bën apel për ndihmë pasi nuk ka me çfarë t’i ushqej fëmijët, ndërkohë që nuk kanë asnjë strehë për të futur kokën.

“Unë jam me origjinë nga Mati, por kam jetuar në Mamurras. Familja ka qenë e vuajtur. Kam pasur shumë pak të ardhura. Vjehrrin nuk e kam gjetur, vetëm kunatin dhe vjehrrën. Kunati është 28 vjeç por i sëmurë.
Kunati ka kaluar meningjit që në moshën 3-vjeçare dhe sot ne moshën 28- vjeçare, gjendet me probleme të shëndetit mendor. Ai ka jetuar me ne gjatë gjithë kohës, pasi edhe nëna e tij, njëkohësisht vjehrra ime ka pas jetuar me familjen tonë. Pasi ajo ndërroi jetë askush nuk u kujdes për kunatin por ai qëndroi sërish me ne. Kur vajza ishte 2 vjeçe e gjysme është trajtuar me medikamentet e sëmundjes së epilepsisë dhe merrte depakinë. Pas moshës 3-vjeçare, mjeku u shpreh se ka nevojë të bëjë terapi, por ne nuk patëm kurrë mundësi për ta ndihmuar vajzën. Në vitin 2015 u larguam në Gjermani për t’u strehuar si azilantë, nga ku edhe kërkuam ndihmë për vajzën e cila u mjekua për dy vite dhe beri terapi intensive në lidhje për ecjen dhe të folurin. Ajo merrte medikamente për shkak edhe të sëmundjes së epilepsisë, merrte depakinë. Në këto vite u sëmura edhe unë, pasi pata probleme me mitrën, u desh të bëja ndërhyrje kirurgjikale dhe pas 6 muajsh bëra ndërhyrjen tjetër. Në këtë periudhë vajza ime u sëmur përsëri dhe im shoq nuk punonte, por u detyrua të punonte në të zezë. Para se të ktheheshim në Shqipëri pasi u kap im shoq duke punuar në të zezë unë kalova në depresion dhe tentova të vetëvritem duke prerë damarët brenda në tualet. Aty ne jetonim në një objekt të përbashkët ushtarak, dhe në tualet më gjeti një shtetase ukrainase, pastaj jam zgjuar në spital. Ndenja rreth dy jave në spital dhe aty mora vesh edhe lajmin që policia kishte kapur familjen time të cilët i ktheu në Shqipëri, pastaj unë jam detyruar të dorëzohesha në polici pas një muaji e gjysmë pasi nuk isha mire nga gjendja shëndetësore. Por unë u detyrova të gënjeja në spital dhe dola u dorëzova në polici dhe më sollën në Shqipëri.

Pas kthimit nga Gjermania ne jetuam në Mamurras, nga ku lindi dhe u thellua më shumë vuajtja dhe kushtet e vështira. Banesa që kishim me qira u dëmtua nga tërmeti dhe ne u detyruam të iknim që andej për t’u strehuar në një vend të sigurt. Nuk kam për t’i harruar kurrë ato vuajtje dhe ato ditë të ftohta ku unë dhe familja ime gjendeshim rrugëve të Tiranës, deri sa një moment dikush me zemër të madhe na strehoi në një godinë private, ku jemi ende në mes të rrugës pa asnjë ndihmë shëndetësore dhe ekonomike. Me dy të sëmurë që kanë nevojë për konsulta dhe mjekime me medikamente. I jemi drejtuar disa herë bashkisë duke kërkuar ndihmë, jetojmë me ushqime që na japin njerëz që njohin bashkëshortin apo edhe mua. Qiranë e banesës nuk e kemi paguar, dritat dhe ujin faturat janë pa paguar, nuk punojmë asnjeri, gjendja ekonomike dhe të ardhurat tona janë vetëm dy pagesat e vajzës dhe kunatit, por edhe ato u bë kohë që nuk i marrim. Kam frike për fëmijët nga virusi pasi kunati nuk është në gjendje që të kujdeset për higjienën apo izolimin dhe jam unë ajo që duhet t’i qëndroj në dispozicion 24 orë. Kam nevojë për kushte mbrojtëse, për mjete mbrojtëse, kam nevojeë që shteti të më ndihmojë. Si do të vazhdoje rrjedha e familjes time? Edhe unë vet nuk ndihem mirë. Ka momente që bëhem depresive dhe nuk gjej forcë për të mbështetur apo kujdesur për këta dy të sëmurë në radhë të parë dhe për familjen në tërësi.
Për hatër të tyre jetoj! Kunatin e kam amanet nga nëna e tij. Parmbrëmë kam qenë shumë sëmurë, nëse s’do më ndihmonte daja, sot do i kisha lënë fëmijët rrugëve. Jam shumë e stresuar. Si mund ta përballoj kur më kërkojnë fëmijët bukë?! Kam kërkuar ndihmë, por na thonë: nuk kemi mundësi, jeni shumë. Unë do t’i mbaj fëmijët deri në minutën e fundit. Kërkoj që shteti të më ndihmojë, ose ndonjë biznesmen sa të fusë kokën diku”, apeloi Rajmonda.

Ajo tha më tej se nëse nuk është ajo, kunati dhe vajza nuk bëjnë dot asnjë veprim. “Nuk ha, as nuk pi. Më date 10 kam për të larë dritat dhe ujin. Nuk kam asistencë, as ndihmë ekonomike. Me 30 mijë lekë çfarë përballoj unë?”, deklaroi nëna.

Flamur Dajçi: më vjen shumë keq për zonjën Rajmonda dhe familjen e saj. Kjo familje ka dy raste për tu trajtuar. Më vjen keq, sepse ka dhe tre vajza në moshë. Nuk e di sesi do t’i ndihmojmë. Si mundët që këto raste të mos ndihmohen nga shteti. Ne jemi të gatshëm të bëjmë çdo gjë. Këtyre familjeve iu qëndroj në pozicion, vetëm të trajtohen në mënyre të ndershme nga shteti. Ne na kanë thënë që i kemi strehuar në hotele. Nuk e di se pse duhet të dali këto familjare. Pse nuk i ndihmojnë? Më vjen keq, se pse këta njerëz duhet t’iu drejtohen akoma institucioneve. Për këto raste duhet të ndërhyjë menjëherë shteti.

Majlinda Cara, kryebashkiake e Kurbinit: Familjen Dika e njohim mirë dhe përbërjen familjare të tyre. Ata kanë jetuar me qira në njësinë administrative në Mamurras. Këtyre familjeve iu erdhi në ndihmë strehimi, por një shoqatë i erdhi në ndihmë për ta strehuar në Tiranë. Kemi komunikuar me kryefamiljarin e familjes, z.Dika dhe makina nga Bashkia Kurbin duhet të jetë duke arritur në familjen në fjalë për t’i ardhur në ndihmë me të gjithë elementët higjieno-sanitarë dhe veshmbathje apo mbuloja. Është familje që duhet ndihmuar. Familja Dika nuk është se ka dalë e pastrehë për shkak të tërmetit, ajo ka qenë e pastrehë edhe para tërmetit. Kjo familje ka jetuar me qira prej vitesh. Nuk përfiton nga bonusi i qirasë familja, por pronari i ndërtesës. Bonusi i qirasë i jepet familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Gjatë ditëve të tërmetit e kam pas të pamundur t’i strehoj të gjitha familjet e pastreha. Bashkia Kurbin do t’i vijë për ndihmë që të paguajë qiranë për një vit familjes Rolandi. Janë një shumicë familjesh të pastrehë prej vitesh. Zotit Roland do t’i vijë për një vit pagesa e qirasë. E kemi gati fondin për pagesën e qirasë. Edhe për paketën ushqimore, Bashkia Kurbin do ta marrë përsipër që t’i shkojë në Tiranë. Është e vështirë që të gjenden banesa me qira në Kurbin. Shumica e banorëve i janë drejtuar edhe qyteteve të tjera. Shumë shpejt do bëjmë mbledhjen e Këshillit Bashkiak që t’i kalojë pagesa familjes. Ne duhet të kemi një kontrate qiraje. Në momentin që Rolandi na vë në dispozicion kontratën, nëse sot e sjell, nesër do bëjmë pagesën e qirasë. Në gjithë situatën e krijuar nga Covid 19, do t’i vijmë në ndihmë çdo dy javë me paketë ushqimore.

Fatmir Sena, agjencia “Stop-krimi”: Familjen që keni në studio do e marrim përsipër ta ndihmojmë. Do t’i dërgojmë një paketë ushqimore ditën e hënë. Kemi ndihmuar shumë familje. Këto familje i kemi monitoruar herë pas herë. Edhe sot kemi shkuar te një vajzë me fëmijë të vogël, sepse është e papunë.
Rajmonda: I kërkoj shteti të më ndihmojë qoftë me një kontejner për të strehuar fëmijët.