Dragusha: Trepça ’89 s’po ankohet për referim kur po fiton, vetëm kur humb - Gazeta Express
string(70) "dragusha-trepca-89-spo-ankohet-per-referim-kur-po-fiton-vetem-kur-humb"

Dragusha: Trepça ’89 s’po ankohet për referim kur po fiton, vetëm kur humb

Gazeta Express

03/07/2020 20:54

Ish-futbollisti i njohur dhe trajneri i ri kosovar, Muhamet Dragusha, beson se referimi në Kosovë është përmirësuar dukshëm dhe thotë se klubet si Trepça ’89 gjejnë gabime të gjyqtarëve kur humbin, por jo edhe kur fitojnë.

Superliga e Kosovës po e sjell një garë interesante jo vetëm për titullin e kampionit, por edhe për mbijetesë. Mirëpo, disa klube janë ankuar për referimin, duke thënë se gjyqtarët po bëjnë gabime të qëllimshme dhe po ia humbasin ndeshjet klubeve të tyre, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Trepça ’89 ka qenë klubi më i zëshëm në këto kritika. Kryetari i saj, Abedin Zeka, në Favorit të premten e kaluar tha se Trepça ’89 i ka humbur pesë pikë që nga rinisja e sezonit shkaku i gabimeve të qëllimshme të gjyqtarëve.

Megjithatë, Dragusha e theksoi se Trepça ’89 nuk bëri akuza të tilla pas ndeshjes së xhiros së fundit, kur shënoi fitore, por vetëm pas xhirove kur humb pikë.

“Gabimet janë njerëzore. Nuk dua ta arsyetoj referimin, i di ato gabime të cilat po përmenden. Por, unë po shpresoj që nuk janë gabime me tendenca apo të orkestruara nga dikush tjetër”, ka thënë Dragusha në emisionin sportiv “Favorit në T7.

“Duhet të luftohet pak më shumë brenda ekipit, të gjenden gabimet edhe brenda ekipit. Kjo pasi që, nëse flasim për Trepçën ’89, e pamë në ndeshjen e fundit… po të kishte përfunduar baras, sigurisht se do t’i gjendeshin gabime, por pasi që fitoi Trepça ’89, referimi nuk u përmend edhe aq shumë”.

“Mendoj që Trepça ’89 ka një ekip të mirë dhe një trajner të ri që ka qenë një superlojtar. Mendoj që duhet t’i jepet edhe më shumë mbështetje atij trajneri dhe mendoj që Trepça ’89 mund t’i arrijë ato qëllimet e veta”. /Gazeta Express/