Pas përvojës me pandeminë e COVID-19, drafti i ri i Kodit Penal parashikon masa ndëshkuese të forta për veprat që cenojnë shëndetin publik. Një kapitull i veçantë i është kushtuar mbrojtjes nga sëmundjet infektive dhe forcimit të sigurisë farmaceutike.
Sipas nenit 441, shkaktimi i një epidemie me dashje, përmes përhapjes së baktereve apo viruseve, dënohet me jo më pak se 25 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm. Nëse kjo vepër kryhet nga pakujdesia, dënimi varion nga 10 deri në 20 vjet.
Neni 442 parashikon se përhapja me dashje e një sëmundjeje infektive me rrezik të lartë dënohet me 2 deri në 5 vjet burg, ndërsa në rast se shkakton pasoja të rënda, dënimi rritet nga 3 deri në 8 vjet.
Zyrtarët që nuk raportojnë rastet e sëmundjeve infektive, sipas përgjegjësive që u ngarkon ligji, do të ndëshkohen me gjobë për kundërvajtje penale.
Gjithashtu, neni 445 parashikon burg deri në 3 vjet ose gjobë për këdo që nuk respekton masat e urdhëruara nga autoritetet, si karantina, dezinfektimi apo ekzaminimet mjekësore, në rastet kur ka rrezik për përhapje të sëmundjeve ngjitëse.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe tregut farmaceutik. Sipas draftit, tregtimi, shpërndarja apo ndërmjetësimi i barnave të falsifikuara apo të rrezikshme për jetën dënohet me 4 deri në 8 vjet burgim. Po ashtu, mashtrimi me përmbajtjen, dokumentacionin apo cilësinë e produkteve mjekësore do të ndëshkohet me burgim nga 2 deri në 8 vjet.