Sipas Avokatit të Popullit, ky proces shënon një moment vendimtar, pasi Kodi Penal është një nga aktet më të rëndësishme që përcakton se cilat sjellje konsiderohen vepra penale dhe cilat masa ndëshkuese mund të marrë shteti.“Ky kod ka ndikim të drejtpërdrejtë tek liritë dhe të drejtat e çdo qytetari, ndaj procesi kërkon transparencë. Si institucion i pavarur kushtetues për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Avokati i Popullit e konsideron thelbësore që ndryshimet në politikën penale që sjell Kodi i ri Penal të analizohen me kujdes, duke siguruar se çdo dispozitë e re ruan proporcionalitetin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore”, thuhet në njoftim.“Ndaj, përfshirja në këtë proces është më shumë se një detyrim institucional: është një garanci që politikat ndëshkimore të shtetit nuk cenojnë të drejtat individuale”, vijon njoftimi.Në njoftim thuhet se “Avokati i Popullit vlerëson nevojën për një diskutim të gjerë publik mbi projektin dhe e sheh këtë si një ushtrim të shëndetshëm demokratik. Një konsultim gjithëpërfshirës, ku profesionistët e drejtësisë, organizatat e shoqërisë civile, etj japin mendimet e tyre, është mënyra e vetme për të ndërtuar një kuadër penal të balancuar që ruan interesin publik, por edhe respekton standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”.