Draft-propozimi amerikan për paqe kërkon lëshime të mëdha nga Ukraina - Gazeta Express
string(69) "draft-propozimi-amerikan-per-paqe-kerkon-leshime-te-medha-nga-ukraina"

Lajme

Gazeta Express

19/11/2025 22:21

Draft-propozimi amerikan për paqe kërkon lëshime të mëdha nga Ukraina

Lajme

Gazeta Express

19/11/2025 22:21

Një draft-propozim i ri i hartuar nga Shtetet e Bashkuara që synon ndaljen e luftës në Ukrainë, kërkon që Kievi të heqë dorë nga një pjesë e territorit të tij.

Raportohet po ashtu se propozimet amerikane përfshijnë reduktimin e madhësisë së forcave të armatosura dhe pranimin e ndalimit të ndihmës ushtarake amerikane që ka qenë thelbësore për luftën e Ukrainës kundër forcave ruse.

Për më tepër, asnjë forcë e huaj nuk do të lejohet në tokën ukrainase dhe Kievi nuk do të marrë më armë me rreze të gjatë veprimi.

Propozimet e këtij drafti të hartuar, që u përshkruan në detaje nga The Fnancial Times dhe Reuters, përputhen kryesisht me kërkesat që Rusia ka bërë që nga fillimi i këtij viti, kur presidenti amerikan, Donald Trump, nisi përpjekjet për negociata të drejtpërdrejta me Moskën lidhur me luftën në Ukrainë.

Një burim, që ka njohuri për këtë çështje, i tha Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë se “nuk e di nëse ky është plani [i të dërguarit amerikan Steve] Witkoff, apo ndonjë plan tjetër, por mund të ju them se sipas informacioneve që kam, pala amerikane ka dërguar sinjale te pala ukrainase, praktikisht duke insistuar që presidenti [ukrainas Volodymyr] Zelensky të pajtohet për një kornizë që do të përfshinte disa pika sikurse dorëzimi i territoreve dhe njohja e tyre si ruse, zvogëlimi i forcave të mbrojtjes dhe disa pika tjera të favorshme për [presidentin rus, Vladimir] Putin”.

Pavarësisht se zyrtarët ukrainas ende nuk kanë folur publikisht për këtë çështje, pak pasi nisën të qarkullonin lajmet për propozimet, Zelensky, që gjendet në vizitë në Turqi, lavdëroi “hapat vendimtarë dhe udhëheqjen e presidentit Trump dhe çdo propozim të drejtë për t’i dhënë fund kësaj lufte. Dhe, vetëm presidenti Trump dhe SHBA-ja kanë fuqinë e mjaftueshme që lufta të përfundojë”.

Më 20 nëntor, Zelensky pritet të takohet me zyrtarë të Departamentit amerikan të Mbrojtjes në Kiev.

Në fushëbetejë, forcat ukrainase po kanë vështirësi që t’iu bëjnë ballë ushtarëve rusë, edhe pse Moska po pëson humbje të mëdha në njerëz.

Rusia e ka rritur presionin në qytetin kyç të Pokrovskut dhe ofensiva atje është pjesë e qëllimit të paraqitur nga Putini për të kontrolluar të gjithë rajonin lindor ukrainas të Donbasit.

Rusia gjithashtu po godet qytetet ukrainase dhe infrastrukturën e saj energjetike para temperaturave të ulëta të dimrit, duke u përpjekur të demoralizojë ukrainasit tashmë të lodhur nga lufta.

Më herët, Zelensky ka refuzuar kërkesat nga Moska që Ukraina të heqë dorë nga territori apo që të reduktojë numrin e forcave të armatosura, duke thënë se diçka e tillë vetëm do të dobësonte Ukrainën dhe do të rriste rrezikun e një pushtimi të ri në të ardhmen./REL