string(55) "dosja-per-deme-te-luftes-dergohet-serish-ne-kushtetuese"

Lajme

Gazeta Express

22/05/2025 12:23

Dosja për dëme të luftës dërgohet sërish në Kushtetuese

Lajme

Gazeta Express

22/05/2025 12:23

Organizata për dëmet e luftës “Ngritja e Zërit” ka dorëzuar për herë të trembëdhjetë dosjet e radhës në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shqyrtimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme që kishte refuzuar paditë për kompensimin e dëmeve të shkaktuara gjatë luftës në Kosovë.

Kryetari i organizatës “Ngritja e Zërit”, Jahir Bejta tha se gjykatat në Kosovë nuk janë duke i zbatuar ligjet përkatëse për të cilat janë kompetente, derisa përmendi Ligjin për procedurën kontestimore.

“Që 17 vite jemi duke punuar ditë e natë për të gjitha palët e dëmtuara më cilësinë e viktimave të luftës, me një të vetëm kundër qeverisë së Serbisë për kompensim të dëmeve. Sot është e trembëdhjeta herë që i dorëzojmë dosjet këtu. Gjykatat e rregullta dhe Supremja nuk janë duke i zbatuar ligjet përkatës për çka janë të thirrur dhe janë kompetent. Ligji për procedurën kontestimore. Është neni 28 alinea 2, gjykatat aty thirren. Aty apostrofohen se lëndët me element ndërkombëtar duhet pasur marrëveshje paraprake për t’i shqyrtuar. Por i njëjti nen 28, alinea 3 thotë edhe pa pasur fare marrëveshje juridike gjykatat tona janë të obliguara ta shqyrtojnë”, tha Bejta.

Ndërkaq, pala paditëse kësaj here ishte Muhamet Fejza nga fshati Vajnikë i Skenderajt.

Ai tha se lufta e fundit në Kosovë i ka shkaktuar shumë dëme, duke përfshirë shkatërrimin e shtëpisë dhe lokalit.

“Dëme të mëdha kanë qenë, lokalin na e kanë shkatërruar. Shtëpitë na i ka ë shkatërruar, traktorët na i kanë marrë. Gjithçka që kemi pasur e kanë shkatërruar”, tha Fejza.

Organizata “Ngritja e Zërit”, që nga viti 2008, ka ndërmarrë veprime ligjore për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga lufta, duke përfshirë dëme në njerëz dhe pronë.

Deri më tani, kjo organizatë ka hartuar dhe dorëzuar rreth 1 mijë kërkesëpadi në gjykata në shumicën e komunave të Kosovës. Megjithatë, të gjitha këto padi janë refuzuar nga gjykatat me arsyetimin se një shtet tjetër nuk mund të paditet në këto rrethana.