Në përgjimet e aplikacionit “SKY ECC” kishte rënë edhe familja Vuçetaj nga Peja.
Hetuesit e Policisë trokitën në derën e shtëpisë së familjes në mëngjesin e datës 03.06.2025 dhe aty kërkonin Xhavitin, njërin nga të dyshuarit.
Banesa kishte disa kate dhe në të jetonin dy vëllezër, Xhaviti dhe Rifati.
Një hulumtim i kallxo.com zbulon se Rifati është babai i gjykatëses Albina Vuçetaj, e cila është dekretuar së fundmi për të qenë pjesë e Gjykatës së Prishtinës.
Të dhënat e deritanishme tregojnë që në shtëpinë e Xhavitit Policia zbuloi 13 mijë euro të falsifikuara dhe të paktën 3 kilogramë marihuanë. Babai i gjyqtares, Rifati, sipas të dhënave të deritanishme, kishte synuar të argumentonte që nuk kishte të bënte me drogën pasi vëllai i tij nuk jetonte me të.
Nga të dhënat e Gjykatës, Rifati as në seancën gjyqësore nuk ka pranuar se ka lidhje me sasinë e drogës dhe paratë false.
Në një kërkim në dosjet e tjera penale kallxo.com zbulon e dy vëllezërit Vuçetaj ishin të njohur për trafikim të heroinës nga Turqia.
Rifat Vuçetaj në vitin 2015 ishte dënuar me 4 vite dënim me burgim dhe me 4 mijë euro dënim me gjobë.
Vëllai i Rifatit (i cili gjendet në arrati) po ashtu ishte dënuar në këtë rast, në vitin 2015, Nga shkalla e parë ai ishte dënuar me dënim unik prej 6 viteve burg dhe dënim me gjobë në shumën prej 5,500 euro.
Në përshkrimin e aktakuzës së asaj kohe tregohet se vëllezërit kishin sjellë heroinë nga Turqia.
Sipas aktgjykimit droga kishte ardhur nga Turqia në një shtëpi në Nashevc të Prizrenit, ku ishte përzier me paracetamol e nga aty më pas ishte transportuar në Pejë.
Dosja tregon që vëllezërit Vuçetaj e kishin transportuar drogën duke e kamufluar në thasë me papuçe. Grupi, sipas aktgjykimit, kishte pasur në posedim sasi deri në 3 kilogramë heroinë.
Në ndërkohë hetimet për “ SKY LCC” pritet të zbardhin rrethana të tjera për sasi të tjera të drogës.
Për të sqaruar implikimin e Rifat Vuçetajt në rastin e fundit KALLXO.com ka provuar të kontaktojë avokaten Mimoza Zeka që mbron Rifat Vuçetajn te rasti me 22 të arrestuarit, por e njëjta ka thënë që nuk mund të japë asnjë deklaratë për askënd.
Në anën tjetër, KALLXO.com ka adresuar pyetje te kryetarja e Gjykatës së Prishtinës për të konfirmuar zyrtarisht nëse i arrestuari Rifat Vuçetaj është babai i gjyqtares së dekretuar, Albina Vuçetaj.
Sipas përgjigjes së Gjykatës së Prishtinës, gjyqtarja në fjalë është ende në trajnimet fillestare në Akademinë e Drejtësisë. Kjo është një procedurë që ndiqet nga gjyqtarët e rinj me qëllim trajnimin e tyre si gjyqtar të dekretuar, trajnim i cili zgjat për rreth një vit.
“Referuar kërkesës tuaj për qasje në informata, ju njoftojmë se meqenëse gjyqtarja në fjalë ende gjendet në trajnimin fillestar sa i përket pjesës teorike në Akademinë e Drejtësisë, për më shumë mund ti drejtoheni Këshillit Gjyqësor të Kosovës”- thuhet në përgjigjën e Gjykatës së Prishtinës.
KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) lidhur me vlerësimin e integritetit personal të gjyqtares në fjalë.
KGJK në një përgjigje për KALLXO.com më 05.06.2025 ka thënë se vlerësimi i integritetit të gjyqtarit – kandidatit bëhet me verifikimin e integritetit personal dhe profesional që kryhet nga njësi përkatëse brenda KGJK-së, sipas Rregullores për rekrutimin e gjyqtarëve.
“Sipas nenit 23, paragrafi 2, “Nen autoritetin e Këshillit dhe mbikëqyrjen e Komisionit për Rekrutim, Njësia është përgjegjëse për mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave që do t’i shërbejnë Komisionit për vlerësimin e integritetit personal dhe profesional të kandidatit, duke respektuar aktet dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, si dhe ligjet në fuqi”- thuhet në përgjigjen e KGJK-së.
Tutje, sipas përgjigjes së KGJK-së, thuhet se paragrafi katër i kësaj i përcakton mënyrat e vlerësimit të kandidatëve për t’u bërë pjesë e gjyqësorit, duke përfshirë edhe intervistimin me gojë, ku kandidatët pyeten për çështje që lidhen me integritetin e tyre personal.
“Paragrafi 4 i Rregullores përcakton mënyrën e vlerësimit të kandidatëve për t’u bërë pjesë e gjyqësorit, duke përfshirë edhe intervistën me gojë ku kandidatët mund të pyeten për çështje që lidhen me integritetin e tyre personal dhe profesional, dhe të kenë mundësinë për të konfirmuar, plotësuar apo kundërshtuar vlerësimin bazuar në verifikimin e dokumenteve dhe informatave të grumbulluara”- thuhet tutje në përgjigjen e KGJK-së.
KGJK ka thënë se në rastin konkret procesi i rekrutimit për emërimin e gjyqtarëve ka qenë transparent dhe është monitoruar nga shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare.
“Përfundimisht, KGJK-ja çdo herë vepron në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi dhe aktet normative, të cilat janë në harmoni me Konventat Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut. Në rastin konkret, procesi i rekrutimit për emërimin e gjyqtarëve ka qenë transparent dhe është monitoruar nga shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare”- thuhet në përgjigjen e KGJK-së.
aaaaa