Gjatë afatit kalimtar të verës, Manchester United e kishte shqyrtuar mundësinë që ta transferonte portierin Gianluigi Donnarumma, por në fund ishte tërheque prapa shkaku i kostos së lartë të këtij transferimi eventual.
Siç raporton “Daily Mirror”, portieri italian, i cili ishte vënë në shitje nga Paris Saint-Germain pas mosvazhdimit të kontratës, u ishte ofruar “Djajve të Kuq” për një shifër prej afro 40 milionë eurosh, përcjell “Gazeta Express”.
Megjithatë, kërkesat e rrogës së lojtarit, që silleshin rreth 20 milionë euro në vit për pesë sezone, që do ta bënin atë lojtarin më të paguar në ekip, do t’i zhbalanconin ekuilibrat financiarë dhe të rrogës mesatare të klubit anglez.
Dhe, duket se ishte pikërisht kjo arsyeja se përse klubi nga “Old Trafford” u tërhoq në fund.
Ndërkohë, ish-portieri i Milanit e zgjodhi më pas transferimin në Manchester City, ku menjëherë ka nisur t’i demonstrojë kualitetet e tij, duke shkëlqyer në debutim në derbin e qytetit.
Manchester United, nga ana e tij, e zgjodhi një zgjidhje më të kapshme dhe më të arsyeshme: e transferoi portierin e ri belg, Senne Lammens, duke e lënë që të largohet në formë huazimi André Onana, në mënyrë që të ketë minutazh dhe vazhdimësi. /Gazeta Express