Profesoresha dhe juristja kosovare, Donikë Qerimi, ka njoftuar se pas një përvoje 15 vjeçare si trajnerë e studentëve të UP-së për garën Willem C. Vis International Arbitration Moot, është përjashtuar nga kjo pozitë. Qerimi thotë se përjashtimi i saj është bërë në mënyrë tinzare, të heshtur, në baza personale dhe pa arsyetim profesional.
Ajo ka drejtuar gishtin kah dekani i Juridikut, duke thënë se i njëjti është acaruar nga vëmendja publike që Qerimi ka marrë me sukseset e studentëve nëpër gara.
“Fatkeqësisht, Dekani i Fakultetit Juridik është acaruar me vëmendjen publike që paskam marrë pas sukseseve të studentëve tanë – një gjë që ma ka thënë edhe vetë. Për pasojë, vendosi që unë ta paguaj këtë sukses me largim. Asnjë arsye profesionale nuk është dhënë asnjëherë. Rezultatet dhe përgatitja ime akademike flasin vetë”, ka shkruar Qerimi.
Postimi i plotë:
Me shumë keqardhje ju njoftoj se, pas 15 viteve përkushtim si trajnere e ekipeve të studentëve të Universitetit të Prishtinës për garën Ëillem C. Vis International Arbitration Moot, jam përjashtuar nga kjo pozitë. Përjashtimi është bërë në mënyrë tinzare, të heshtur, dhe plotësisht në baza personale, pa asnjë arsye a arsyetim profesional.
Prej vitit 2009, bashkë me shumë bashkëtrajnerë, ish-pjesëmarrës e dashamirë të garës, kemi punuar tërësisht në baza vullnetare për këtë garë e për UP-në. Së bashku kemi arritur suksese që dikur dukeshin të pamundura – nga çmimi për memorandum në vitin 2012, kualifimet në vitin 2017 e vazhdimisht tutje, deri te gjysmëfinalja historike e vitit të kaluar, duke ngritur vazhdimisht performancën dhe reputacionin e Universitetit në arenën ndërkombëtare. Të gjitha këto u arrijtën me shumë mund, ndër vite, si rezultat i punës së zellshme e të përbashkët të studentëve dhe ekipeve të trajnerëve tejet të përkushtuar ndër vite që kam pasur nderin t’i udhëheqë.
Fatkeqësisht, Dekani i Fakultetit Juridik është acaruar me vëmendjen publike që paskam marrë pas sukseseve të studentëve tanë – një gjë që ma ka thënë edhe vetë. Për pasojë, vendosi që unë ta paguaj këtë sukses me largim. Asnjë arsye profesionale nuk është dhënë asnjëherë. Rezultatet dhe përgatitja ime akademike flasin vetë.
Mënyra si u bë ky përjashtim është në vetvete një shenjë denigrimi institucional. Konkursi u shpall shumë vonë, pa asnjë njoftim ndaj meje, dhe në të njëjtën ditë më u mohua qasja në emailin ku aplikojnë studentët. Madje, as Rektorit nuk iu dha ndonjë shpjegim i arsyeshëm, përkundër kërkesës së tij për sqarim.
Nuk është hera e parë që procesi i përzgjedhjes vonohet pa arsye, duke i vënë ekipet tona në disavantazh qysh në fillim. Prej kur Dekani aktual erdhi në krye të Juridikut, është dashur vazhdimisht me dhjetëra lutje që të bindet ai për shpalljen e konkursit, përderisa më parë e shpallte në ueb faqe, me një klikim të thjeshtë, IT i fakultetit. Këtë vit, ekipi do të formohet me vonesë, ndërkohë që garat tashmë kanë filluar. Kjo është një sabotim i qartë ndaj suksesit të studentëve, të cilët për vite me radhë janë përgatitur me muaj të tërë përpara fillimit të garës.
Vitin e kaluar (për ekipin 2025), pas insistimesh me emaila për katër muaj me radhë, Dekani vendosi ta shpallte konkursin vetëm pas ndërhyrjes së Këshillit Drejtues. Në një takim paraprak, në mesin e bërtimave dhe goditjeve të tavolinës, më akuzoi se paskam “privatizuar garën”, se nuk jam e pazëvendësueshme dhe se unë nuk kisha ndikuar në sukseset e ekipeve. Në fund më “lejoi” të vazhdoja, por vendosi vetë bashkëtrajnerët, duke emëruar krahas meje person pa përvojë në arbitrazh ndërkombëtar, pa njohuri për Konventën CISG dhe pa pjesëmarrje të mëparshme në gara. Si rezultat, cilësia e trajnimit ra ndjeshëm dhe ndikoi drejtpërdrejt në përgatitjen e studentëve.
Tani, Dekani paska ‘reformuar’ edhe procesin e përzgjedhjes. Tradicionalisht, përzgjedhja e studentëve është bërë përmes tri fazave të hapura: thirrje publike me CV dhe letër motivimi, shkrimi i memorandumeve garuese mbi raste që ne i ndërtonim, dhe “përballja” publike mes kandidatëve, ku çdo student e shihte performancën e tjetrit. Ky proces ka garantuar transparencë dhe meritokraci absolute. Ndërkaq, këtë vit, i kishin rënë trup meqë studentët do të përzgjidhen vetëm përmes CV-së, letrës së motivimit dhe intervistave të mbyllura 10-minutëshe.
Nuk e di kush tjetër do të jetë trajner këtë vit, përveç ish-bashkëtrajneres sime të vitit të kaluar që tashmë qenka emëruar koordinatore. Megjithatë, dua të rikujtoj se përvoja, njohuria dhe ekspertiza që kam ndërtuar ndër vite nuk janë një ‘zanat’ që mësohet për një sezonë. Ato kërkojnë përkushtim të pandërprerë ditë, netë, fundjava e festa, njohuri të thellë, lexim të vazhdueshëm e të përditësuar, aftësi për ndërtimin e një ekipi të qëndrueshëm dhe mbi të gjitha, besim e dashuri për studentët.
Nga shumë ish-pjesëmarrës mësova se tani, pasi ngrita alarmin dhe ndërkohë që gara tashmë ka filluar, po kërkohen me ngut trajnerë të rinj. Natyrisht që do të ketë shumë të interesuar, sepse titulli i trajnerit të ekipit të UP-së vjen me reputacionin e ndërtuar ndër vite nga puna dhe suksesi i të tjerëve dhe prandaj duket mirë në CV. E gjithashtu mësova se shumë prej tyre, me integritet të lartë, e kanë refuzuar e do ta refuzonin këtë tundim.
Por, dua të theksoj se kjo nuk është vetëm një padrejtësi ndaj meje si trajnere. Ky është një gabim strategjik për Universitetin e Prishtinës. Përjashtimi i trajnerit të vetëm me përvojë 15-vjeçare që ka ndërtuar një model të qëndrueshëm suksesi shkëput zinxhirin e dijes dhe përvojës që e ka ngritur Universitetin në majat e konkurrencës ndërkombëtare. Ky veprim rrezikon cilësinë e përgatitjes së studentëve dhe reputacionin ndërkombëtar të UP-së që me shumë mund e kemi ndërtuar.
Kur Dekani e kishte mbështetur kërkesën time që gara të bëhej pjesë e kurrikulës (një ide që e ka paraqitur ide origjinale të tijën), e kam përkrahur me bindjen se kjo do të sillte stabilitet institucional. Por qëllimi, siç po del, ka qenë centralizimi i plotë i kontrollit dhe asnjëherë rritja e cilësisë apo suksesit. Ngjashëm kështu ndodhi edhe me garën “Philip Jessup”, ku tash e dy vite nuk është formuar ekip nga Fakulteti Juridik, duke ua mohuar dhjetëra studentëve mundësinë për të marrë pjesë. Mos të flasim pastaj për faktin se përkrahja financiare gjithmonë është siguruar me shumë mund, përmes punës e angazhimit të përbashkët timin me studentët e ish-pjesëmarrësit, shpesh edhe përkundër lobimit kundër nga Dekani.
Për vite me radhë kam heshtur, duke dashur që vëmendja e publikut të mbetet vetëm në suksesin e studentëve dhe që lajmet e mira t’i motivojnë të tjerët. Madje, shpesh e kam falënderuar publikisht Dekanin për gjoja përkrahjen e tij, ndonëse kolegët dhe studentët e kanë ditur të vërtetën. Por sot, besoj se studentët dhe publiku që janë gëzuar me ne meritojnë të dinë çfarë po ndodh në prapaskenë, dhe si po prishet një nga përvojat më pozitive e profesionalisht formësuese që Fakulteti Juridik ka pasur ndonjëherë.
Vitin e kaluar, kur u shpërbleva nga Këshilli Drejtues për meritat në trajnimin e studentëve, Kryesuesi i Këshillit theksoi se suksesi në garat ndërkombëtare është një orientim strategjik i Universitetit të Prishtinës. Shpresoj se edhe Këshilli i ri do ta trajtojë këtë çështje me seriozitet dhe të mos lejojë që manipulimet autoritare ta devijojnë dhe ç’orientojnë këtë drejtim. UP-ja dhe Fakulteti Juridik kanë padyshim nevojë për përmirësime në shumë fusha, por jo për të “rregulluar” dicka që tashmë ka dëshmuar se funksionon me sukses.
Për fund, studentëve ju uroj me gjithë zemër sukses. Uroj që të mësoni po aq sa ekipet para jush dhe që ta mbani gjallë frymën e punës, dashurisë për dijen dhe përkushtimin për të qenë të shkëlqyeshëm.
Për mua, ky rrugëtim mbetet njëri ndër nderet më të mëdha profesionale dhe personale të jetës sime. Ka qenë përvoja më përmbushëse gjatë këtyre viteve në UP. Momentet e suksesit të studentëve i listoj atje lartë në listën e momenteve më të lumtura të jetës sime. Uroj që të kemi prap momente të tilla.
Mirë u pafshim në Vjenë!