Zv.kryeministrja në detyrë, Donika Gërvalla, e dëgjoi në Pressing në T7, intervistën që kishte dhënë vetë kohë më parë në Rubikon, ku thoshte që gjuha e Albin Kurtit ia kujtonte kohën e regjimit komunist.
Atëkohë Gërvalla për Kurtin thoshte, “Ideologjisë që e përfaqëson Kurti i ka kaluar koha, jam rritur në Shqipëri dhe jam mjaftë e ndjeshme kur shoh në sjelljen dhe gjuhën e dikujt elemente që na kanë mësuar në shkollë, ideologji që iu ka kushtuar shqiptarëve shumë, gjuha e tij më kujton kohën e regjimit komunist…”.
Ndërsa sot, deklaratën e dhënë për Kurtin e arsyeton kështu:
“Një njeri i cili është rritur në diktaturën komuniste krijon një aversion të jashtëzakonshëm ndaj të gjitha shfaqjeve që ia kujtojnë atë kohë. Kjo intervistë është e vitit 2014 ose 2015. Albin Kurti është përfaqësues i një partie i një spektri të majtë, unë jam gjithcka tjetër përvec përfaqësuese e një partie të spektrit të djathtë që ka gjëra që unë nuk pajtohem me kryeministrin Kurti, ai nuk është asnjë lloj sekret, ashtu sic ka shumë gjëra që ai nuk pajtohet me mua. Por kjo nuk është fare pyetja sot”, tha Gërvalla në Pressing, transmeton Gazeta Express.
“Pyetja sot a kanë qenë dallimet tona ideologjike pengesë për zhvillimin e vendit”, tha ajo se do të duhej të ishte.
Megjithatë, sipas saj, “Albin Kurti nga e majta goxha ekstreme ka lëvizuar drejt një partie social demokrate”.
“Mendoj që ka zhvillim të jashtëzakonshëm të LVV’së….”, tha tutje Gërvalla.