Nga zgjedhjet kanadeze, deri në universitete dhe shoqërinë civile, më në fund është duke nisur fushata për të ndryshuar situatën kundër nacionalistëve anti-liberalë.
Shkruan: Timothy Garton Ash
Liberalë nga të gjitha vendet, bashkohuni! Ashtu siç fuqitë anti-liberale jashtë Perëndimit po bëhen më të forta se kurrë, sulmit ndaj gjithçkaje që ne përfaqësojmë i është bashkuar edhe ShBA. Kundër këtij sulmi masiv të nacionalistëve anti-liberalë, ne kemi nevojë për një kundërsulm të vendosur të liberalëve ndërkombëtarë.
Një nga njohuritë kyçe të liberalizmit është se, nëse njerëzit duan të jetojnë së bashku mirë në kushte lirie, pushteti gjithmonë duhet të shpërndahet dhe të kontrollohet. Përballë forcës dhe një demonstrimi bullizues të autoritetit, qoftë nga Uashingtoni, Moska apo Pekini, tani ne duhet të përqendrohemi në krijimin e fuqisë konkurruese.
Në historinë e gjatë të liberalizmit, shtypi i lirë, ligji, sindikatat, ndonjë komunitet biznesi i pavaruar nga pushteti politik, OJQ-të, institucionet që kërkojnë të vërtetën të tilla si universitetet, rezistenca civile, organizatat shumëpalëshe dhe aleancat ndërkombëtare kanë shërbyer – së bashku me politikën shumëpartiake dhe zgjedhjet e lira dhe të drejta – që të kufizojnë njerëzit që duan të jenë mbretër.
Në mobilizimin e çdo njeriu që beson në lirinë individuale të barabartë për këtë luftë, ne liberalët e kemi një problem që vetë e kemi krijuar. Politikat që lidhen me liberalizmin në mendjen e shumë njerëzve gjatë 40 viteve të fundit kanë ushqyer vetë rezervuarët e pakënaqësisë popullore nga të cilat nacionalistët populistë vazhdojnë të tërheqin mbështetje.
Neoliberalizmi, i përforcuar nga një kapitalizëm i globalizuar dhe i drejtuar nga financat, ka çuar në nivele të pabarazisë që nuk janë parë në njëqind vjet. Një politikë identiteti e destinuar për të ndihmuar disavantazhet historike të pakicave të përzgjedhura ka lënë shumë anëtarë të tjerë të shoqërive tona – veçanërisht të bardhët, meshkujt, punëtorët dhe klasën e mesme – të ndihen të neglizhuar si kulturalisht ashtu edhe ekonomikisht. Të dyja këto qasje e kanë braktisur premtimin kryesor të liberalizmit, të përshkruar qartë nga filozofi Ronald Dworkin si “respekt dhe shqetësim i barabartë” për të gjithë.
Neoliberalizmi gjithashtu e ka kthyer demokracinë më të fuqishme të botës në diçka shumë të ngjashme me oligarkinë. Ndarja e pasurisë private dhe pushtetit publik – një inovacion i çmuar dhe i brishtë i demokracisë moderne liberale – ka ndryshuar. Plutokratë të pangopur si Elon Musk, Jeff Bezos dhe Mark Zuckerberg tani janë mbështetës të pushtetit politik të Donald Trump, ndërkohë që ai promovon interesat ekonomike të tij dhe të miqve të tij të pasur. Me ndihmën e mediave dhe platformave që kontrollojnë plutokratët, Trump i bindë shumë amerikanë të zakonshëm se vuajtjet e tyre janë krejtësisht për shkak të të huajve (emigrantëve, Kinës), ndërkohë që në të vërtetë është shumë më e mundshme që të jetë faji i njerëzve si Musk, Bezos dhe Zuckerberg.
Kështu që ne duhet të luftojmë në dy fronte njëkohësisht: kundër armiqve të liberalizmit dhe kundër problemeve që ka krijuar vetë liberalizmi. Bashkimi do të jetë forcë. Nëse secili prej nesh përpiqet të negociojë ndaras me bullizuesit, qoftë në Uashington, Moskë apo Pekin, ata do të na marrin një nga një.
Këto koalicione kundërshtimi do të përbëhen nga shtetet, por edhe nga aktorë të shoqërisë civile dhe qytetarë aktivë. Të paktën gjysma e popullsisë së Shteteve të Bashkuara është me ne. Shtetet autoritare në zgjedhje si Turqia dhe Hungaria gjithashtu kanë shumë qytetarë që duan të jenë të lirë. Ndërsa shembulli më i madh i liberalizmit ndërkombëtar që aplikohet, Bashkimi Evropian me 27 shtete do të jetë kyç për kundërsulm. Po ashtu do të jenë edhe demokracitë e mëdha individuale si Britania, Kanadaja, Japonia dhe Australia.
Ne duhet të bëjmë shumë gjëra njëkohësisht. Promovimi i tregtisë së lirë kundër proteksionizmit Trump-ian është një fillim i qartë. Po ashtu, kjo është më e lehtë të thuhet se të bëhet, pasi marrëveshjet tregtare të dobishme për të dyja palët kërkojnë kohë për t’u hartuar. Megjithatë, ka disa fitime të menjëhershme që janë të arritshme. Një marrëveshje tregtare midis BE-së dhe grupit Mercosur të shteteve të Amerikës Latine pret vetëm ratifikimin nga të gjitha palët e përfshira. Britania dhe BE-ja duhet të kenë më shumë ambicie në samitin e tyre të ardhshëm më 19 maj. BE-ja nuk ka nevojë për përfshirjen e askujt tjetër për të krijuar një hapësirë të vetme digjitale dhe tregje të unifikuara kapitale.
Platformat monopoliste dhe mega-pasuria e oligarkëve amerikanë janë një rrezik për të gjitha vendet e tjera. Nëse BE-ja do të ishte e gatshme të përdorte fuqinë e saj rregullatore, të koordinuar me përpjekjet e demokracive të tjera liberale, mund të bëjmë më shumë për t’i kufizuar ato. Por vetëm rregullimi dhe taksat, nuk janë të mjaftueshme.
Përderisa në Europë, Kanada, Australi apo Japoni, e gjithë infrastruktura është në thelb amerikane, imagjinoni kur një ditë iPhone dhe iPad i juaj të ndalojë së punuari, së bashkue me Google, Amazon, Facebook, Instagram, ËhatsApp dhe Tëitter (realisht X-itter). Çfarë do të mbetej? TikTok! “Dhe Bluesky”, që mund ta shtoni, duke iu referuar si platformë sociale liberale e preferuar. Por edhe ajo është amerikane. Kjo nuk është vetëm një çështje infrastrukture. Ka të bëjë me mënyrën se si ne e krijojmë sferën publike digjitale të domosdoshme për të ardhmen e demokracisë liberale.
Në ndihmë mund të vijnë edhe iniciativat e shoqërisë civile. Pse? Për shembull, ende nuk kemi parë një deklaratë të madhe solidariteti nga universitetet e botës liberale drejt universiteteve amerikane për sfidat me të cilat po përballen.
Po ashtu, mund të ndihmojnë edhe protestat e konsumatorëve. Ndikimi i një bojkoti kryesisht spontan të makinave Tesla po e shtyn Musk-un të kthehet në aktivitetin e tij biznesor, duke ia ulur kështu kohën e lirë që mund të kalojë duke shkatërruar shtetin administrativ të vendit të tij. Kanadezët tani në telefonët e tyrë kanë aplikacionin BuyBeaver, kështu që mund të shmangin produktet e bëra në SHBA. (Shpresoj që të bojkotojnë edhe ato ruse.)
Veç kësaj është edhe çështje e stilit të luftimit. Nacionalistët anti-liberalë përdorin shkopin, ne përdorim shpatën. Kur ata bien poshtë, ne ngrihemi lart. Kur ata bëhen të egër, ne mbetemi të qetë. Kur ata gënjejnë me gojën e tyre, ne qëndrojmë përballë fakteve.
Sfida më urgjente tani në politikën e jashtme është shpëtimi i Ukrainës, të cilën Trump po e hedh nën autobus. Fakti që ai po shtyn ukrainasit të braktisin madje edhe pretendimin ligjor për Krimenë si pjesë e territorit sovran ukrainas tregon se mbështetja për Ukrainën tani është thelbësore për mbrojtjen e parimeve themelore të rendit ndërkombëtar liberal.
Ajo që do të ndodhë pas këtij uragani nuk do të jetë e njëjtë me atë që ishte më parë. Do të transformohet, si nga ne që do të mësojmë nga gabimet tona, për të ndëruar sërish më mirë ashtu edhe nga ndikimi revolucionar i Trump. Një konstelacion demokratik liberal që nuk është në thelb i siguruar nga “leviathani liberal” i ShBA-së, shprehje e theksuar e shkencëtarit të Princetonit, John Ikenberry – do të jetë diçka shumë më ndryshe nga ajo që e njohëm midis 1945 dhe 2025.
Për më tepër, edhe gjeografia do të ndryshojë. Kanadaja, për shembull, e cila dikur dukej – në mënyrën më të mirë të mundshme – disi periferike për çështjet botërore, duke qëndruar rehat mes një Amerike miqësore dhe një Arktiku të ngrirë, papritur duket si një shtet në vijën e frontit. Një nga vendet më liberale të botës, përveç Ukrainës, që kërcënohet drejtpërdrejt nga sulmi anti-liberal i Trump. Dhe Arktiku që po shkrihet është një teatër i ri dhe i madh i konkurencës ndërkombëtare. Fatmirësisht, duket se Kanadaja do të ketë një qeveri që nuk është vetëm liberale në emër, por liberale luftuese edhe në natyrë.
Një çerek shekulli më parë, kur Shtetet e Bashkuara u sulmuan nga terroristët islamikë më 11 shtator 2001, redaktori i Le Monde shkroi një titull të famshëm: “Të gjithë jemi amerikanë!”
Sot, miqtë e lirisë kudo në botë duhet të thonë: “Të gjithë jemi kanadezë!”