Domosdoshmëria e amandamentimit të Kushtetutës - Gazeta Express
string(46) "domosdoshmeria-e-amandamentimit-te-kushtetutes"

Gazeta Express

25/05/2020 13:40

Domosdoshmëria e amandamentimit të Kushtetutës

Gazeta Express

25/05/2020 13:40

Fakti elementar që ne asnjëherë nuk kemi arritur të kemi zgjedhje të rregullta parlamentare në shtetin e Kosovës, reflekton pasiguri dhe jostabilitet në vend.

Shkruan: Blerim Shala

Lexo Edhe:

Politika kosovare nuk njeh zgjedhje të rregullta qysh prej se Kosova është bërë shtet i pavarur, e 17 shkurt të vitit 2008.

Janë mbajtur në këto 12 vjet të ekzistimit të shtetit të Kosovës, katër palë zgjedhje të parakohshme.

Nëse do të përfillen në Gjykatën Kushtetuese argumentet e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ në kundërshtim të Dekretit të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, me të cilin Avdullah Hoti nominohet për Kryeministër të ri të Qeverisë së Kosovës, atëherë, për pak muaj, do të jemi dëshmitarë të zgjedhjeve të pesta të parakohshme parlamentare.

Kësaj here madje, do të kemi dy palë zgjedhje në më pak se 12 muaj.

Nuk ka kurrfarë dyshimi që e dhëna elementare që ne asnjëherë nuk kemi arritur të kemi zgjedhje të rregullta parlamentare  (të cilat do të duhej të mbaheshin çdo katër vjet), reflekton pasiguri dhe jostabilitet në vend.

Ta merr mendja që jemi, tash e 12 vjet, në një tranzicion demokratik, sepse nuk po arrijmë të krijojmë institucione të qëndrueshme të pushtetit qendror.

Zgjedhjet e shpeshta pikërisht janë njëkohësisht diagnozë dhe terapi e rëndomtë për shtetet dhe shoqëritë pas-komuniste, të cilat ende nuk kanë krijuar një traditë të organizimit të mirë të zgjedhjeve dhe të funksionimit të pushtetit qendror.

Këtë ‘ushtrim të demokracisë’ ne e kemi bërë, dhe atë mjaft mirë, në periudhën e Administratës Ndërkombëtare  (UNMIK-ut), në Kosovës.

Janë mbajtur tri palë zgjedhje të përgjithshme të rregullta  (çdo tre vjet), votimet kanë qenë të lira dhe demokratike. Dukej pra që i vuajtëm dhe i tejkaluam ato ‘sëmundjet e hershme të demokracisë’.

Për këtë shkak, supozohej që në shtetin e Kosovës, në këtë aspekt, kemi krijuar një traditë të mirë parlamentare, dhe kemi një pjekuri të duhur që nuk do të na lë të bëjmë gabime serioze.

Ndodhi e kundërta.

Natyrisht, çdo skenë politike në një vend demokratik, i ka mekanizmat politik, sikurse edhe ata kushtetues, të cilët mundësojnë edhe ndërprerjen e një mandati të rregullt të një Qeverie, të një Kuvendi dhe të vet Presidentit të vendit, nëse diçka e tillë është e pashmangshme.

Megjithatë, zgjedhjet e parakohshme janë përjashtim nga rregulli, një masë e jashtëzakonshme për një situatë të jashtëzakonshme politike, e jo në rregull në vete siç po ndodhë në Kosovë në 12 vitet e kaluara.

Nuk mundemi të kemi një Qeveri stabile, të fokusuar në qeverisjen e mirëfilltë me vendin, nëse mundësia e provokimit të zgjedhjeve të parakohshme është gjithmonë një alternativë reale politike, ose edhe nëse ajo mund të burojë nga mungesa e qartësisë eksplicite në Nenet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Vet Sistemi zgjedhor që aplikohet në Kosovë, që njeh një model të Sistemit të pastër proporcional, kur dihet edhe kategoria kushtetuese e ulëseve të garantuara për komunitetet, nuk ofron një siguri qeverisëse. Megjithatë, është çështje në vete se si do të duhej të bëhej Reforma zgjedhore në Kosovë, e cila është e pashmangshme, nëse duam të evitojmë një degradim të mëtejmë të parlamentarizmit në Kosovë, dhe nëse do të synojmë t’i krijojmë një bazë më të sigurte ligjore Qeverive të ardhshme të vendit, për të pasur një stabilitet dhe qëndrueshmëri afatmesme.

Në anën tjetër, kjo ndërmarrje e përgatitjes së Reformës zgjedhore, e cila kërkon krijimin e një Komisioni të veçantë në Kuvendin e Kosovës, do të duhej të shoqërohej edhe me një tjetër nismë  (dhe me një tjetër Komision parlamentar), ku do të synohej të amandamentohet Kushtetuta e Kosovës, me qartësimin e disa Neneve tepër të rëndësishme të saj, të cilat siç po shihet edhe me këtë kontestin e fundit legal, janë burime të interpretimeve të ndryshme kushtetuese dhe politike, dhe madje, janë edhe shkaktare të tensioneve dhe problemeve të mëdha politike në vend.

Duket që këtu janë së paku tri çështje që duhet adresuar dhe zgjidhur.

Së pari, duhet që Aktgjykimi i Kushtetutës së Kosovës i vitit 2014, të përfshihet në Kushtetutë  (përmes amandamentimit të saj), ashtuqë përfundimisht të saktësohet se si krijohet Qeveria e re e Kosovës, pas Certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të reja.

Partia apo koalicioni parazgjedhor që ka dalë e para në zgjedhje, apo, që ka marrë më së shumti mandate, tutje duhet ta ketë përparësinë për ta krijuar Qeverinë.

Kjo parti apo koalicion, në një kornizë të shkurtër kohore  (jo më gjatë se 72 orë pas konstituimit të Kuvendit), dhe kjo është një tjetër çështje apo shqetësim që kërkon një definim preciz kushtetues, do të duhet ta merr mandatin për ta bërë Qeverinë e re të Kosovës.

Afati kohor për ta bërë Qeverinë është i përcaktuar qartë: 15 ditë.

Nëse në raundin e parë nuk do të mund të sigurohet shumica e kërkuar parlamentare prej 61 deputetësh në mbështetje të kësaj Qeverie, atëherë, duhet të precizohet, me amandamentet kushtetuese, që partia e dytë në radhë, do ta ketë të drejtën për ta bërë Qeverinë e re të Kosovës.

Së dyti, duhet të mbulohet qartë me amandamente të Kushtetutës situata legale në vend, pas një Mocioni të mosbesimit të Qeverisë.

Një Mocion i mosbesmit, as në përmbajtjen aktuale të Kushtetutës, nuk prodhon automatikisht situatën legale që shtynë me automatizëm para agjendën e organizimit të zgjedhjeve të reja parlamentare. Megjithatë, pse mos të precizohet në mënyrën më të qartë të mundshme çka ndodhë në skenën politike të vendit pas votimit të suksesshëm të një Mocioni të mosbesimit të Qeverisë.

Së treti, tema e cila me gjasë është më e ndërlikuara dhe më problematikja në këtë aspekt është procedura e zgjedhjes së Presidentit të ri të Kosovës, që njeh Kuvendin e Kosovës si autoritet suprem vendimmarrës në këtë aspekt.

Me Verdiktin e Gjykatës Kushtetuese të marsit të vitit 2011, procesi i zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, as që mund të fillojë fare, nëse brenda sallës së Kuvendit nuk janë së paku dy të tretat e deputetëve  (apo tetëdhjetë deputetë).

Edhe pse Kushtetuta e Kosovës, në Nenin 86.5 parasheh edhe mundësinë që të ketë rreth të tretë të zgjedhjes së Presidentit në të cilin minimumi i votave të kërkuara për ta pasë Presidentin e ri është 61 deputet  (apo shumicën e deputetëve të Kuvendit), në bazë të Verdiktit të Gjykatës Kushtetuese, është e pamundur të mbërrihet te kjo tentativa e tretë, nëse në dy të parat nuk ka pasë quorum prej së paku 80 deputetëve.

Zgjedhja e Presidentit të Kosovës po afron, apo jo më larg se në fillim të muajit mars të vitit të ardhshëm, Kuvendi i Kosovës obligohet ta nisë procesin e zgjedhjes së Presidentit. Dështimi në kryerjen e këtij obligimi, siç dihet, është një ’sigurëse automatike’ që menjëherë detyron Kuvendin e Kosovës të shpërndahet dhe të shpallen zgjedhjet e reja parlamentare.

Natyrisht, nëse sërish, pas mbajtjes së këtyre zgjedhjeve dhe pas konstituimit të Kuvendit të ri të Kosovës, ky Kuvend nuk do të arrijë ta zgjedhë Presidentin, edhe një herë duhet të shkohet në zgjedhje.

Është ky një skenar i ankthshëm që është fare real, së paku bazuar në këtë interpretimin që ia ka bërë Kushtetutës Gjykata Kushtetuese në vitin 2011.

Janë dy rrugë për ta tejkaluar këtë rrezik real.

E para nënkupton ndryshimin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës. Ai, nëse do të miratoheshin amandamentet e këtilla kushtetuese, tash e tutje do të zgjedhej me votën e qytetarëve të Kosovës. Një dakordim për këtë ishte arritur në Kuvendin e Kosovës në prillin e vitit 2011, por ishte braktisur një vit më vonë, për shkaqe të njohura.

E dyta thërret për një amandamentim të Kushtetutës së Kosovës, të Nenin 86, i cili do ta precizonte që dy raundet e para, kur në sallë duhet të jenë së paku 80 deputetë, llogariten të konsumuara nëse në një seancë nuk tubohen këta 80 deputetë, teksa në seancën e tretë, quorumi mund të bëhet edhe prej 61 deputetëve, me kusht që të gjitha këta të votojnë për njërin kandidat për President të Kosovës.