Doli numri i tretë i revistës “Jeta e Re” - Gazeta Express
string(39) "doli-numri-i-trete-i-revistes-jeta-e-re"

Arte

Gazeta Express

27/11/2025 23:10

Doli numri i tretë i revistës “Jeta e Re”

Arte

Gazeta Express

27/11/2025 23:10

Posa ka dalë në qarkullim numri i tretë (i fundit) për këtë vit i revistës letrare të traditës “Jeta e re”. Revista hapet me tekstin e nobelistes Toni Marison me titullin “Kujtesa, krijimi dhe shkrimi”, kurse në rubrikën e prozës botohen tregimet: “Humbja e hijes” i Ibrahim Berishës, “Fati i ëndrrave” i Sali Bashotës, “Historia ime si arkivist” i Ndue Ukajt, “Çili” i Ervin Nezhës, “Diçka po digjet jashtë” i nobelistit të sivjetëm Laszlo Krasznahorkaj dhe “Dhembje engjëllore” i Marie Ortese-s.

Në rubrikën e poezisë me nga një cikël poezish prezantohen Visar Zhiti, Arben Idrizi, Nurie Emrullai, Dea Basha, Vlora Ademi, Horhe Luis Borhes dhe Pabllo Neruda, ndërkaq në rubrikën Intervista vjen shkrimtari dhe publicisti Mehmet Kraja.

Në rubrikën qendrore Dossier këtë herë prezantohet shkrimtari i njohur gjerman Luts Seiler. Ai është përfaqësuar në këtë numër të revistës me një cikël të gjerë poezish dhe me tregimet “Frank”, “Nga Roma në Hiddensse” dhe “Vdekja e artistit”.

Rubrika e kritikës fillon me studimin “Fije të forta” (për poezinë e Martin Camajt) të Romeo Çollakut, për të vazhduar me “Topografia e një sage: tej kujtesës dhe utopisë” të Sevdail Zejnullahut, “Strukturimi i kohës dhe i hapësirës në poezinë e Sali Bashotës” të Linda Fetajt, “Letërsia evropiane” të Ernst Robert Curtius-t dhe “Vetemërtimimi dhe kultura masive: personaliteti si projekt dhe si markë” të Lvovich Tulchinsy-t, kurse në rubrikën Classicus vijon “Kënga e Sidit”.

Përkthyesit që kontribuan në këtë numër të revistës janë: Alket Çani, Alfred Beka, Arben Idrizi, Qerim Raqi, Ilir Breca, Valon Veliqi, Kosovar Berisha dhe Demë Topalli.