“Non-paper” u raportua dje si njohje e integritetit dhe sovranitetit territorial mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, dokumenti “non-paper” – i mohuar zyrtarisht – përfshin shumë më shumë se kaq. Thotë se do të krijohet një “distrikt autonom i Kosovës Veriore”, që nga përshkrimi duket me kompetenca gati sa të shtetit. Përdoret termi “Kosovë Veriore”, e jo veriu i Kosovës. Pastaj thuhet se palët, pra Kosova e Serbia, duhet të bëjnë ndryshime kushtetuese që të mund të zbatohet kjo marrëveshje.
Një “non-paper”, në të cilin paraqitet procesi që do të çonte në marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është publikuar dje. Letra thuhej se jetë një nismë gjermano-franceze, mirëpo sot, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka quajtur lajm të rremë.
Letra, që është dërguar në adresë të Gazetës Express, thotë se Kosova e Serbia duhet të pajtohen që të themelohet një i ashtuquajtur “distrikt autonom i Kosovës Veriore”, me kompetenca vetëqeverisëse. Ai do të përfshinte komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
“Të dyja palët pajtohen për themelimin e Distriktit Autonom të Kosovës Veriore si njësi e vetme administrative e vetëqeverisjes rajonale në Kosovë që ka të drejtë të miratojë legjislacion në rrafshin lokal në ekonomi, financa, pronë, infrastrukturë, kulturë, arsim, kujdes shëndetësor, mirëqenie sociale, sistemin gjyqësor, shërbim policor, strehim, zhvillim urban dhe bashkëpunim evropian, në linjë me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin për qeverisje lokale”, thuhet në letër.
Sipas këtij plani, Distrikti Autonom i Kosovës Veriore do të ketë guvernatorin e saj në Qeverinë e Kosovës.
“Distrikti Autonom i Kosovës do ta ketë Guvernatorin që do ta përfaqësojë Qeverinë e Kosovës, Asamblenë që do ta përfaqësojë popullin dhe Këshillin Ekzekutiv që do të jetë organ i përbashkët i Distriktit Autonom, Qeverisë së Kosovës, Qeverisë së Serbisë dhe Bashkimit Evropian”.
Më pas, në “non paper” thuhet se dy palët duhet të bëjnë ndryshime të Kushtetutës dhe të ligjeve, ashtu që marrëveshja e tillë të mund të zbatohet.
Aty sipërfaqësisht bëhet e ditur edhe statusi që do të mund ta ketë Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë. Autoritetet në Kosovë duhet të pranojnë organizimin e Kishës si pjesë vetëqeverisëse e sistemit politik dhe kushtetues të Kosovës dhe që të gëzojë status të privilegjuar.
Aty thuhet tutje se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do t’i udhëheqin diskutimet për finalizimin e Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve mes dy palëve. Procesi duhet të përmbyllet para fundit të shkurtit të vitit 2022.
Më poshtë gjeni dokumentin e plotë të përkthyer nga Gazeta Express:
NON-PAPER
Ky Non-Paper (termi “Non-Paper” përdoret në diplomaci për t’iu referuar një shkrese që zyrtarisht nuk e mban vulën apo emrin e organit a institucionit që e ka hartuar – shënim i përkthyesit) paraqet një nismë të përbashkët gjermano-franceze për rinisjen e Dialogut për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës nën lehtësimin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, z. Josep Borrell, dhe z. Miroslav Lajçak, Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për Dialogun Beograd – Prishtinë, me përkrahjen e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara.
Dialogu për Normalizimin e Marrëdhënieve mes të dyja palëve do të zhvillohet duke u bazuar në mandatin e Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, A/64/L.65/Rev/1, që e mirëpret gatishmërinë e Bashkimit Evropian për të lehtësuar një proces të dialogut mes palëve. Rezoluta A/64/L/65/Rev.1 nuk përfshin ndonjë palë tjetër si lehtësuese e Dialogut.
Bashkimi Evropian do të ndërmarrë një proces lehtësuar që duhet të çojë në nënshkrimin e një marrëveshjeje ligjërisht detyruese mes të dyja palëve me qëllim të zgjidhjes së të gjitha çështjeve të pazgjidhura në mënyrë që të arrijnë progres në rrugën e tyre evropiane dhe, si rezultat, të krijohen mundësi të reja dhe të përmirësohet jeta e njerëzve. Kosova nuk do të vendosë ndonjë pengesë tregtare ndaj Serbisë dhe Serbia do ta sigurojë respektimin e status quo-së sa i përket pranimit ndërkombëtar të Kosovës. Të dyja palët do të vazhdojnë që ta respektojnë moratoriumin e themeluar në arenën ndërkombëtare.
Presidenti Aleksander Vuçiq, duke e përfaqësuar Beogradin, dhe Kryeministri Albin Kurti, duke e përfaqësuar Prishtinën, do t’i udhëheqin diskutimet për finalizimin e Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve mes dy palëve. Procesi duhet të përmbyllet para fundit të shkurtit të vitit 2022.
Procesi duhet të jetë i bazuar në elemente kyçe rreth marrëveshjes ligjërisht detyruese mes Beogradit dhe Prishtinës me qëllim të sigurimit të normalizimit të marrëdhënieve duke e respektuar Kartën e Parisit dhe Aktin Përfundimtar të Helsinkit dhe parimet udhëzuese të Grupit të Kontaktit për një rregullim të statusit të Kosovës të vitit 2005 dhe duke e siguruar zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura gjatë Dialogut të Brukselit.
Arritja e një marrëveshjeje të tillë mes dy palëve është e një rëndësie strategjike për Bashkimin Evropian. Të dyja palët do të udhëzohen nga qëllimet dhe parimet e vendosura në Kartën e Kombeve të Bashkuara.
Marrëveshja ligjërisht e detyrueshme duhet ta sigurojë themelimin e një marrëdhënie të re në Kosovë dhe në raportet mes Beogradit dhe Prishtinës. Palët duhet ta respektojnë njëra-tjetrën si shtete të pavarura, sovrane dhe të barabarta brenda kufijve/vijave kufitare ndërkombëtare të tyre.
Secila Palë do t’i respektojë, në përputhje me ligjin ndërkombëtar, sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Palës tjetër. Palët konfirmojnë se ato do ta kryejnë rregullimin e kufijve të tyre dhe caktimin e kufijve vetëm përmes marrëveshjes së përbashkët, se do t’i zgjidhin mosmarrëveshjet përmes mënyrave paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës në përputhje me frymën evropiane të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve përmes dialogut. Të dyja Palët do të përpiqen që t’i ushqejnë besimin, vullnetin e mirë dhe tolerancën e përbashkët dhe do të bashkëpunojnë për promovimin e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit në rajon. BE-ja në emër të të dyja palëve do të caktojë një organ të pavarur për ta përkrahur procesin e caktimit të kufirit.
Të dyja palët do ta sigurojnë zbatimin e Bashkësisë së Komunave Serbe si strukturë vetëqeverisëse të komunave me shumicë serbe në Kosovë si rezultat i Marrëveshje së Brukselit të vitit 2013, të negociuar dhe të arritur nga qeveritë e Beogradit dhe Prishtinës. Në përputhje me kompetencat e dhëna nga Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Lokale dhe ligjin e Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kishin të drejtë të bashkëpunojnë në kompetencat e tyre ekzistuese në mënyrë kolektive përmes asociacionit. Asociacioni do të kishte një pasqyrë të plotë të fushave të zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural.
Të dyja palët pajtohen për themelimin e Distriktit Autonom të Kosovës Veriore si njësi e vetme administrative e vetëqeverisjes rajonale në Kosovë që ka të drejtë të miratojë legjislacion në rrafshin lokal në ekonomi, financa, pronë, infrastrukturë, kulturë, arsim, kujdes shëndetësor, mirëqenie sociale, sistemin gjyqësor, shërbim policor, strehim, zhvillim urban dhe bashkëpunim evropian, në linjë me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin për qeverisje lokale.
Distrikti Autonom i Kosovës Veriore do ta përfshijë territorin e qytezave të Zveçanit dhe 35 fshatrave të tij, Leposaviqit dhe 72 fshatrave të tij, Mitrovicës Veriore dhe zonave të ngjitura kadastrale dhe Zubin Potokut me 63 fshatrat e tij.
Distrikti Autonom i Kosovës do ta ketë Guvernatorin që do ta përfaqësojë Qeverinë e Kosovës, Asamblenë që do ta përfaqësojë popullin dhe Këshillin Ekzekutiv që do të jetë organ i përbashkët i Distriktit Autonom, Qeverisë së Kosovës, Qeverisë së Serbisë dhe Bashkimit Evropian.
Të dyja palët do t’i japin theks të veçantë sigurimit të ekzistencës së pakufizuar dhe të papenguar dhe operimit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Kisha dhe organizimi i saj i brendshëm do të njihen në mënyrë eksplicite nga autoritetet e Kosovës si pjesë vetëqeverisëse e sistemit politik dhe kushtetues të Kosovës, prona e saj do të jetë e padhunueshme dhe do të gëzojë status të privilegjuar. Zonat e mbrojtura do të zgjerohen në më shumë se 40 zona kyçe fetare dhe kulturore. Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë si pjesë thelbësore e Kishës Ortodokse Serbe, në përputhje me ndryshimin e propozuar kushtetues, do të qeveriset nga Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, i cili do ta ketë ulësen në Patriarkanën e Manastirit të Pejës.
Të dyja palët do ta themelojnë Zonën Ekonomike të Mitrovicës si katalizator dhe nxitje për zhvillimin ekonomik në të dyja anët e kufirit duke u bazuar në konceptin e Rajoneve Evropiane për ta siguruar themelimin e një zone të lirë ekonomike që do të shtrihej në Kosovën Veriore (rajonin e Mitrovicës) dhe në Serbinë Jugperëndimore (rajonin e Novi Pazarit) duke pasur institucione të posaçme qeverisëse si një “zonë e lirë transnacionale”.
Të dyja palët duhet të ndërmarrin ndryshime kushtetuese dhe legjislative për ta siguruar zbatimin e marrëveshjes ligjërisht detyruese.
Me ratifikimin e marrëveshjes ligjërisht detyruese, Serbia pajtohet që të mos ankohet ndaj aplikimit nga Kosova ose anëtarësimit të saj në organizata, institucione ose instrumente ndërkombëtare, shumëpalëshe dhe rajonale, në të cilat Serbia tashmë është anëtare.
Të dyja palët do të procedojnë në supozimin se asnjëra nga dy Shtetet nuk mund ta përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emrin e tij. Të dyja palët procedojnë mbi parimin se juridiksioni i sovranitetit të secilit prej dy Shteteve është i mbyllur në territorin e vet.
Ato i respektojnë pavarësinë dhe autonominë e njëra-tjetrës në çështjet e tyre të brendshme dhe të jashtme.
Të dyja palët do të shkëmbejnë Misione të Përhershme. Ato do të themelohen në ulëset e Qeverive përkatëse. Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen duke e respektuar Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.
Të dyja palët do ta themelojnë Këshillin e Miqësisë së Ndërsjellë që do t’i mbledhë qeveritë e të dyja palëve në baza vjetore për ta siguruar zbatimin e marrëveshjes ligjërisht detyruese dhe për ta promovuar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat e interesit të përbashkët dhe për ta ushqyer perspektivën e integrimit evropian.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell, do të ndërmarrë një proces negociues dhe do ta organizojë atë me përkrahjen e Gjermanisë dhe Francës në Paris në qershor të vitit 2021.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell, me përmbylljen e marrëveshjes ligjërisht detyruese, do të raportojë më 1 shtator 2022 në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së duke u bazuar në mandatin e siguruar nga Rezoluta A/64/L/65/Rev.1.