Një grup studiuesish si edhe zërash të shoqërisë civile me bazë në Kosovë dhe ndërkombëtarë, kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për vendimin e fundit të Speciales pasi që kjo gjykatë ka pranuar dokumente nga institucionet shtetërore serbe si prova në çështjen Thaçi dhe të tjerët.
Në komunikatë thuhet se dokumentet në fjalë nuk janë mbështetur nga dëshmi të dëshmitarëve apo prova të tjera dokumentare, dhe se një standard më i lartë vlerësimi duhet të aplikohet kur shqyrtohen dokumente të prodhuara nga institucionet shtetërore serbe.
Tutje shtohet edhe se pranimi i dokumenteve të prodhuara nga institucione që janë implikuar drejtpërdrejt në spastrim etnik, krime lufte, fushata dezinformimi dhe mohimin e të drejtës së Kosovës për të ekzistuar si shtet, rrezikon besimin në integritetin e procesit gjyqësor në Speciale.
‘‘Ky është një moment kritik që kërkon me urgjencë përgjegjësi institucionale dhe politike nga partitë parlamentare në Kosovë. Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet pa vonesa të mëtejshme dhe të krijojë një grup punues për të shqyrtuar dhe amenduar Ligjin për Dhomat e Specializuara, në mënyrë që të forcohen parimet e drejtësisë dhe paanshmërisë, duke përmbushur njëkohësisht edhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Në këtë drejtim, Presidentja e Republikës dhe Qeveria në detyrë kanë gjithashtu përgjegjësi për të ruajtur integritetin dhe drejtësinë e këtij procesi. Po ashtu, çdo proces shqyrtimi duhet të respektojë detyrimin kushtetues për konsultim me Bashkimin Evropian dhe të jetë transparent, gjithëpërfshirës dhe i koordinuar’’, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Komunikata:
Ne shprehim shqetësimin tonë lidhur me vendimin e fundit të Dhomave të Specializuara të Kosovës për të pranuar një numër të konsiderueshëm dokumentesh që burojnë nga autoritetet shtetërore të Serbisë, si prova në çështjen Thaçi dhe të tjerët (Vendimi F03214/RED, 29 maj 2025). Edhe pse pranueshmëria e këtyre dokumenteve është e mundur ligjërisht sipas nenit 37(1) të Ligjit Nr. 05/L-053, qasja e ndjekur nga Gjykata ngre shqetësime serioze mbi nivelin e kujdesit dhe kontrollit të ushtruar ndaj tyre.
Dokumentet në fjalë nuk janë mbështetur nga dëshmi të dëshmitarëve apo prova të tjera dokumentare. Megjithatë, Trupi Gjykues ka vendosur se fakti që ato burojnë nga autoritetet shtetërore të Serbisë nuk përbën vetvetiu pengesë për pranimin e tyre. Ndërkohë që e kuptojmë se kriteri ligjor për pranueshmëri ndryshon nga ai për peshën provuese, dhe se ekzistojnë rregulla procedurale specifike që rregullojnë këto çështje, ne besojmë se pranimi i tyre duhet t’i nënshtrohet një standardi më të lartë shqyrtimi, duke pasur parasysh origjinën e tyre dhe kontekstin historik më të gjerë. Theksojmë se një standard më i lartë vlerësimi duhet të aplikohet kur shqyrtohen dokumente të prodhuara nga institucionet shtetërore serbe.
Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) ka dokumentuar me prova të shumta se organet e shtetit serb, si Ministria e Brendshme dhe mekanizmat e tjerë të sigurisë, kanë qenë të përfshira në krime sistematike kundër civilëve shqiptarë të Kosovës. Pranimi i dokumenteve të prodhuara nga institucione që janë implikuar drejtpërdrejt në spastrim etnik, krime lufte, fushata dezinformimi dhe mohimin e të drejtës së Kosovës për të ekzistuar si shtet, rrezikon seriozisht besimin publik në integritetin e procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara.
Si profesionistë dhe zëra të shqetësuar, e konsiderojmë thellësisht problematike që dokumente të prodhuara nga institucionet shtetërore serbe të viteve ‘90, përfshirë shërbimet e sigurisë, të mund të trajtohen sot si prova legjitime në këtë gjykatë. Ky zhvillim ka kontribuar në përshkallëzimin e krizës së besimit publik në këtë institucion, i cili po shihet gjithnjë e më shumë me skepticizëm nga qytetarët që supozohet ti shërbej. Prandaj, legjitimiteti i këtij procesi nuk duhet të bazohet vetëm në përmbushjen formale të procedurave, por edhe në perceptimin e drejtësisë dhe paanshmërisë nga qytetarët e Kosovës.
Me miratimin e ndryshimit kushtetues Nr. 24 dhe ligjit që themeloi Dhomat e Specializuara, Republika e Kosovës dëshmoi përkushtimin e saj ndaj drejtësisë, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit. Drejtësia dhe shtetësia nuk janë qëllime në kundërshti me njëra-tjetrën – ato duhet të jenë plotësuese dhe përforcuese.
Ky është një moment kritik që kërkon me urgjencë përgjegjësi institucionale dhe politike nga partitë parlamentare në Kosovë. Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet pa vonesa të mëtejshme dhe të krijojë një grup punues për të shqyrtuar dhe amenduar Ligjin për Dhomat e Specializuara, në mënyrë që të forcohen parimet e drejtësisë dhe paanshmërisë, duke përmbushur njëkohësisht edhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Në këtë drejtim, Presidentja e Republikës dhe Qeveria në detyrë kanë gjithashtu përgjegjësi për të ruajtur integritetin dhe drejtësinë e këtij procesi. Po ashtu, çdo proces shqyrtimi duhet të respektojë detyrimin kushtetues për konsultim me Bashkimin Evropian dhe të jetë transparent, gjithëpërfshirës dhe i koordinuar.
Shoqëria civile ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme proceset e drejtësisë tranzicionale në Kosovë dhe beson fuqishëm se përfshirja e provave të kompromentuara vetëm sa e minon më tej besimin publik në Dhomat e Specializuara dhe rrezikon sundimin e ligjit në vend.