Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili i quajti “hipokritë” zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kundërshtuan hapur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila të premtën mori vendimin në lidhje me konstituimin e Kuvendit.
LVV-ja përmendi një gjyqtar të Kushtetueses, i cili sipas tyre përbën rrezik për vendin, në një tentim për ta diskredituar vendimin.
“Hipokritë! Dy nga gjyqtarët që e shpallën VV-në shkelëse të Kushtetutës, janë zgjedhur në këtë mandat – me votat e VV-së. Të tjerët? Kanë qenë në panele për plot raste që i kanë shkuar për shtat VV-së. Pesë prej tyre, përfshirë edhe Labanin – përveç se rrëzuan Qeverinë Hoti, kanë votuar PRO ligjeve të VV-së”, shkroi Kica Xhelili në një postim në Facebook.
“Madje edhe Ligjin për Këshillin Prokurorial – me të cilin mburreshit lart e poshtë – ua votoi ai. Dhe ju thoni që kishit qasje në informata që ai qenka spiun por kjo nuk iu pengoi kur e lejuat të vendoste për sistemin e DREJTËSISË? Heshtët sepse drejtësia ishte më pak e rëndësishme se t’a mbani ju pushtetin?”, shtoi ajo.
Deputetja tha se vendimi s’varej nga gjyqtari Radomir Llaban.
“Plus, vendimi i fundit as nuk varej nga ai (sepse s’do të lejonte askush që kjo të ndodhte). Votat kanë qenë 6:1 ose edhe 7:0 – pra me apo pa të, gjyqtarët tjerë – përfshirë këta që votuat ju, vendosën që jeni shkelës! Nuk e lani veten, jo! Krejt këto manovra për t’a mundësuar mosrespektimin e Kushtetutës i keni kot! Qytetarët nuk do t’iu lënë! Ne nuk do t’iu lëmë!”.