GJKKO ka lënë në fuqi masën e dytë “arrest me burg” për Plaurent Dervishajn. I arrestuari nga Dubai, doli këtë të premte para GJKKO-së për tu njohur me masën e sigurisë lidhur me vrasjet e vitit 2005 të Klodian Saliut, Vajdin Lames dhe Artan Arsit.
Ndërkohë, një ditë më parë, Plaurent Dervishajt iu komunikua masa e sigurisë edhe në lidhje me atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoji, ngjarje për të cilën SPAK gjithashtu akuzon Devrishajn si organizator të saj.
Në seancën e sotme SPAK përfaqësohej nga prokurori Alfred Shehu.
Dervishaj ka pretenduar se sjellja e tij në Shqipëri nuk është as deportim, as ekstradim, por rrëmbim personi.
Dervishaj: Më 6 gusht më kanë ardhur në shtëpi forcat speciale të Dubait dhe më kanë thyer derën me pretekstin se më rrezikohej jeta dhe kundrejt meje do të zhvillohej një atentat.
Më kanë çuar në stacionin e policisë në Dubai dhe nuk më kanë lejuar të flas me avokatin. Më kanë mbajtur disa ditë dhe më pas më kanë hipur në avion dhe arrestimi është bërë në Rinas.
Në lidhje me dosjen ka prendeuar se është i pafajshëm dhe nuk ka lidhje me ngjarjen.