Kryetari i PD, Sali Berisha, ka folur për mediat pas mbledhjes së kryesisë, ku theksoi se ai do të mbështesë të gjithë kandidatët e pavarur që do të synojnë të kandidojnë në zgjedhjet e parakohshme në 6 bashki të vendit.
“Patëm një diskutim të gjatë, të përgjegjshëm, të lirë. Ajo që predominoi dhe e konsideroj një hap të rëndësishëm në përpjekjen tonë, është se PD ndonëse ka padiskutim kandidatura kalibri për asnjëlloj krahasimi me organizatën kriminale në pushtet, do vlerësojë dhe çmojë shumë kandidaturat e pavarura. Do konsiderojë me seriozitetin më të madh, kandidatë të pavarur të cilët garojnë si të tillë dhe që konsiderojnë të nevojshme për fitoren e tyre, mbështetjen e PD-së. Besoj se në një valë me këtë nga diskutimet paraprake janë dhe forcat e tjera opozitare. Dhe kjo jo vetëm në bashkinë e Tiranës, por dhe në bashkitë e tjera. Ky është një moment do të mendoja unë, për të gjithë ata qytetarë, intelektualë, ata specialistë, ekspertë që ndihen të gatshëm të përballen me narkoshtetin e Edi Ramës, të matin forcat e tyre në një garë në interesin më të mirë të qytetarëve të marrin vendimin e duhur”.
I pyetur se çfarë do të ndëodhë nëse nuk del asnjë kandidat i pavaruar, apo do të ketë ëm shumë se 1, Berisha tha se do të mbështete aiq ë do të konsiderohet si më i zgjedhshëm.
“Do zgjedhim se cili gjykohet më i zgjedhshëm…. një njeri që të ketë aftësitë për të bindur më shumë se kushdo tjetër qytetarët. Do jenë diskutimet që do ta zgjedhin. Nëse s’del asnjëri janë të pavarurit e propozuar nga partitë”, tha Sali Berisha.
Kryedemokrati bëri të ditur se për këtë do të ketë një afat prej 2-ditor. Nëse nuk del asnjë kandidat i pavarur brenda dy ditësh, atëherë do të zgjidhet një nga propozimet e figurave jopartiake.
“Mendoj se dy ditët e ardhshme do ishte e përshtatshme. Ftoj personalitetet e këtij vendi të guxojnë sepse ne i mirëpresim me shumë sinqeritet”.
Në 9 nëntor do të ketë zgjedhje të parakohshme në 6 bashki të vendit; Tiranë, Vlorë, Tepelenë, Mat, Cërrik dhe Berat. Fushata elektorale për këto zgjedhje të pjesshme do të nisë më 1 nëntor.
Aktualisht vetëm në Tiranë janë zyrtarizuar kandidatura e Ogerta Manastirliut nga radhët e PS dhe Arlind Qori i Lëvizjës Bashkë.