Një bashkim të eksperiencës dhe energjisë së re e ka konsideruar kryeministri Edi Rama skudarën e re të zgjedhjeve të 11 majit. Gjatë një komunikimi live në rubrikën “Sy m’sy”, Rama deklaroi se në listë të hapur do të jetë ata që kanë eksperiencë, për të mbledhur vota për vete dhe për PS, e ndërsa në listat e mbyllura do të jenë emra që futen për herë të parë në Kuvend.
“Skuadër perfekte nuk ka, por një skuadër shumë të mirë do ta keni, skuadër të ripërtërirë, do harmonizohet eksperienca me energjinë e të rinjve, një skuadër që do garantojë vazhdimësinë e procesit të BE, që do të ketë dijen e nevojshme të brendshme se për çfarë bëhet fjalë, dhe që do garantojë një përfaqësim të lidhur me egzigjencat e lidhur me kohën. Do jetë skuadra me e vjetër në eksperiencë dhe me e reja në energji”, tha Rama.
Në një apel për votuesit Rama tha se Shqipëria është më shumë se kurrë përtej majtas dhe djathtas, pasi është hapur një dritare për integrimin në BE që nuk duhet të mbyllet.
“Në 11 maj Shqipëria është përtej partive politike, fanellave të skuadrave partiake, sepse në 11 maj çdo shqiptar që ka një votë në dispozicion, jo vetëm do të shkojë të votojë në Shqipëri dhe diasporë por do të votojë për të mos humbur asnjë sekondë në procesin e negociatave”, tha Rama.
“Është hera e parë në historinë e këtij procesi kur fjalët janë të përputhura me vullnetin pozitiv konkret për përfshirjen përfundimtare të Shqipërisë në BE. Hera e parë ku fjalitë standarde ‘ju duam në BE, perspektiva juaj është të jeni pjesë e BE-së’ janë të përputhura me vullnetin politik të BE-së që përkon me vullnetin tonë të kahershëm të jemi pjesë e BE-së.
Aq më tepër në një botë që po lëkundet në aspektin e sigurisë, në një atmosferë ku të gjithë flasin për kërcënime dhe rreziqe nga më të ndryshmet na duhet unitet, bashkim përtej partive, lidership, qëndrueshmëri. Të gjitha të tjerat janë dokrra hini në krahasim me këtë moment ekzistencial për Europën e Shqipërinë. Kjo dritare e hapur mundësie për t’u bashkuar përfundimisht me familjen Europiane mund të mbyllet. Ky është momenti ndaj kemi edhe një kalendar, më ambiciozin në historinë e integrimit”, shtoi Rama.