Shumica e meshkujve mendojnë të kontrollojnë cilësinë e spermës së tyre vetëm pasi kanë provuar pa sukses të krijojnë familje me partneren e tyre.
Por, a duhet që të gjithë burrat të fillojnë të monitorojnë rregullisht spermën që nga adoleshenca e vonë?
Kjo është një ide e sugjeruar nga një ekspert i njohur në Mbretërinë e Bashkuar, i cili beson se kjo mund të ndihmojë në identifikimin e mijëra rasteve të fshehura të infertilitetit mashkullor që në një fazë të hershme — dhe me kohë të mjaftueshme për trajtim që mund të shmangë problemet në të ardhmen për të pasur fëmijë.
Ndryshe nga metodat tradicionale që përfshijnë dërgimin e mostrës së spermës në një laborator përmes mjekut të familjes ose një klinike fertiliteti, proces që mund të zgjasë javë për të marrë rezultatet, vitet e fundit janë hedhur në treg teste për përdorim në shtëpi nga farmaci të njohura si Boots dhe Superdrug, me çmime që fillojnë nga 40 euro.
Këto teste funksionojnë duke vendosur një mostër sperme në një solucion dhe më pas në një shirit testimi. Për shembull, testi i Boots pretendon të jetë 98% i saktë dhe jep rezultat brenda vetëm dhjetë minutave — një vijë e kuqe tregon një numër normal spermash.
Ndërkohë, një klinikë private afër qendrës së Manchester-it, e hapur nga banka daneze e spermës Cryos International, pretendon se është e para në MB që ofron teste falas dhe të njëjtës ditë për spermën.
Të dyja — testet në shtëpi dhe ato private — matin:
Numrin e spermatozoideve (në një mililitër sperme),
Lëvizshmërinë e tyre (sa mirë lëvizin),
Morfologjinë (formën – sperma duhet të ketë kokë ovale dhe bisht të gjatë për të notuar siç duhet).
Një nivel nën 15 milion spermatozoide për mililitër e ul ndjeshëm mundësinë për të fekonduar një vezë (një numër i shëndetshëm mund të arrijë deri në 200 milion), dhe të paktën një e treta e tyre duhet të lëvizin siç duhet për të kaluar përmes sistemit riprodhues të gruas.
Kërkimet tregojnë se infertiliteti mashkullor është faktor në rreth gjysmën e rasteve ku çiftet nuk mund të konceptojnë.
Por shumë nga këto raste mund të zbuloheshin dhe ndoshta të trajtoheshin më herët nëse çdo djalë bënte një analizë sperme në moshën 18 vjeç dhe përsëri disa vite më vonë, për të monitoruar ndryshimet në numër dhe lëvizshmëri, argumenton Tet Yap, kirurg androlog në spitalet Guy’s and St Thomas’ dhe Princess Grace në Londër.
Një përfitim i madh?
Një përfitim i madh, sipas tij, do të ishte zbulimi më i hershëm i varikocelës – një problem që dëmton fertilitetin dhe që prek deri në 20% të meshkujve.
Varikocela ndodh kur gjakut i grumbullohet në venat e skrotumit, shpesh gjatë pubertetit, dhe zakonisht pa dhimbje apo simptoma.
Por kjo mund të ulë ndjeshëm prodhimin e spermës, pasi gjaku i ngrohtë e rrit temperaturën në testikuj, duke penguar formimin e spermës.
Shumë burra zbulojnë se kanë varikocelë vetëm pasi përballen me probleme për të pasur fëmijë.
Por, sipas z. Yap, kontrollet e spermës në moshën 18 dhe më vonë në fillim të të 20-ave mund të sinjalizojnë nëse ka numër të ulët spermatozoidesh për shkak të një varikocele të pa zbuluar.
“Është një çështje e rëndësishme shëndetësore te të rinjtë, por shumica nuk janë të informuar për të,” tha ai për Good Health.
“Një lloj skanimi apo kontrolli që nga mosha 18 vjeç nuk është një ide e keqe — analizat e spermës mund të na ndihmojnë ta kapim dhe ta trajtojmë.”
Si trajtohet?
Varikocela zakonisht trajtohet me embolizim, një procedurë ku mjekët injektojnë spirale metalike ose shkumë në venat e dëmtuara për të ndaluar rrjedhën e gjakut, duke bërë që varikocela të tkurret.
Një studim japonez nga viti 2014 tregoi se pas trajtimit, numri i spermatozoideve u rrit nga 2.4 milion në 12 milion për mililitër – ende më pak se normalja, por me përmirësim të ndjeshëm të fertilitetit.
Rreziqe të tjera të fshehura?
Një tjetër shkaktar i dëmtimit të fshehtë të spermës te të rinjtë është shytat – një sëmundje jo e pazakontë te adoleshentët, që mund të shkaktojë inflamacion në testikuj dhe të dëmtojë tubat ku prodhohet sperma.
“Nëse zbulohet një problem që mund të përkeqësohet me kalimin e kohës, mund të jetë ide e mirë që djali të ngrijë disa mostra sperme sa më herët, për çdo rast,” shton z. Yap.
Jo vetëm për fertilitetin
Studime të shumta tregojnë se numri i ulët i spermës te djemtë e rinj lidhet edhe me sëmundje të tjera të rënda.
Një studim i vitit 2018 nga Universiteti i Brescia në Itali zbuloi se meshkujt me numër të ulët spermatozoidesh kishin 20% më shumë gjasa të kishin:
më shumë yndyrë trupore,
presion të lartë gjaku,
nivele të larta të kolesterolit LDL (i keq).
Ata gjithashtu kishin niveli më të ulët të testosteronit, që ndikon negativisht në dëshirën seksuale, masën muskulore dhe densitetin e kockave.
Studiuesit theksuan se problemet me spermën nuk shkaktojnë drejtpërdrejt sëmundje, por janë shenja paralajmëruese të problemeve të fshehura shëndetësore, si sëmundjet e zemrës apo disa lloje kanceri.
Në fakt, disa studime kanë zbuluar se meshkujt me spermë të dobët kanë dyfishin e rrezikut për kancer të prostatës më vonë në jetë, ndoshta për shkak të mekanizmave të dëmtuar të riparimit të ADN-së që ndërlidhen në të dyja gjendjet.
A duhet të bëhet rutinë?
Jo të gjithë pajtohen me idenë që kontrollet e spermës të bëhen rutinë, veçanërisht kur në 40% të rasteve të infertilitetit mashkullor nuk ka ndonjë shkaktar të identifikueshëm, që do të thotë se shpesh nuk ka zgjidhje.
“Kjo është diçka për t’u menduar, sepse përveç një stili të shëndetshëm jete, shpesh nuk ka shumë gjëra që mund të bëhen — dhe thjesht mund të jetë një shqetësim i panevojshëm për djemtë,” thotë Allan Pacey, profesor andrologjie në Universitetin e Manchesterit.
“Njoh disa djem që e testojnë veten çdo dy javë, sepse janë shumë të shqetësuar për numrin e spermës.”
Ai thekson se mosha është rreziku më i madh për fertilitetin mashkullor, pavarësisht shembujve të famshëm të aktorëve apo muzikantëve që bëhen baballarë në moshën 70 apo 80 vjeç.
“Edhe nëse një burrë ka një numër të mirë spermatozoidesh në të 30-at apo të 40-at, cilësia e tyre ka rënë,” thotë ai.
“Me kalimin e moshës, nuk ka të bëjë vetëm me numrin apo lëvizshmërinë – është ndryshimi në cilësi që të bën më pak pjellor.”
“Burrat në të 40-at janë gjysmë pjellorë krahasuar me ata nën 25 vjeç.
Ata duhet të mendojnë për krijimin e një familjeje më herët sesa ç’e mendojnë.” /GazetaExpress/