string(78) "djalin-ia-vrau-kostandin-xhuvani-kush-eshte-avokati-i-arrestuar-per-korrupsion"

Gazeta Express

09/09/2020 19:25

Djalin ia vrau Kostandin Xhuvani, kush është avokati i arrestuar për korrupsion

Gazeta Express

09/09/2020 19:25

Avokati Skënder Demiraj humbi të birin në nëntor të vitit 2014, kur djali i Luiza Xhuvanit (në atë kohë deputete e PS), Kostandin Xhuvani, vrau 4 persona në një lokal nate në Tiranë.

Këtë të mërkurë, avokati Demiraj është arrestuar nën akuzën e korruptimit të një gjyqtareje. Demiraj akuzohet se i ka dhënë një shumë prej 6 mijë eurosh gjyqtares Mimoza Markgjeka për të nxjerrë nga burgu shtetasin Orion Bali./Express

Njoftimi i Policisë së Shtetit

Drejtoria Hetimore Qendrore, pas një hetimi disamujor, nën drejtimin e SPAK-ut, finalizoni operacionin  policor të koduar “Starova”, në kuadër të të cilit u arrestuan shtetasit:

A.C., banues në Tiranë, me detyrë dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, i cili u arrestua për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të drejtësisë” (bashkëshorti i gjyqtares);

N. B. banues në Sauk, Tiranë, sekser, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të drejtësisë” (vëllai i të dënuarit që iu ndryshua masa e sigurisë).

K. Zh., banues në Korçë, sekser, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të drejtësisë” (pronari i hotelit ku iu dorëzua shuma e eurove bashkëshortit të gjyqtares).

Gjithashtu u bë ekzekutimi i masave të sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasit:

M.M., banuese në Tiranë, gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës dhe e komanduar në Gjykatën e Apelit Korçë, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

S.D., banues në Tiranë, avokat në Dhomën e Avokatisë në Tiranë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë ligjore  për një rast të korrupsionit gjyqësor, referoi materialet në SPAK, për veprat penale “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionareve të tjerë të drejtësisë” dhe “Korrupsioni pasi i gjyqtarëve , prokurorëve  dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Mbi bazën e materialeve të referuara SPAK regjistroi procedimin penal dhe si rezultat i hetimeve u arrit të dokumentohej një rast korruptiv në gjyqësor.

Gjyqtarja M. M., duke abuzuar me detyrën, kundrejt përfitimit të 6 mijë eurove, ka bërë ndryshimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Apelit Korçë  për të arrestuarin O. B., i arrestuar për veprën penale  “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, nga “Arrest në burg” në garanci pasurore 500.000 lekë.

Shtetasi N. B., banues në Sauk, vëllai i të arrestuarit kishte pajtuar si avokat mbrojtës për vëllanë e tij shtetasin O. B., avokatin S. D., i Dhomës së Avokatisë Tiranë, i cili me njohjen që kishte me bashkëshortin e gjyqtares, ka ndikuar kundrejt shumës së mësipërme që gjyqtarja të bënte ndryshimin e masës së sigurisë.

ZH., mbi bazën e njohjes që kishte me avokatin dhe bashkëshortin e gjyqtares, ka ndërmjetësuar takimet midis gjyqtares, avokatit dhe sekserit në ambientet e hotelit të tij në Korçë, vendi ku i kanë dorëzuar bashkëshortit të gjyqtares shumën e eurove, duke i premtuar se bashkëshortja do të bënte ndryshimin e masës së sigurisë nga “Arrest në burg” në garanci pasurore, masë e cila ishte vendosur nga Gjykata e Apelit për të arrestuarin O. B.

 Drejtoria Hetimore Qendrore, nën drejtimin e SPAK-ut, vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë rast korruptiv.