Temperaturat e larta mund të kenë edhe një efekt pozitiv për shëndetin: ato mund të ulin rrezikun e artritit në gjunjë. Ky është përfundimi i një studimi të publikuar në revistën shkencore BMC Public Health.
Analiza u bazua në të dhënat e rreth 350,000 burrave dhe grave të moshës së mesme në Mbretërinë e Bashkuar. Studiuesit zbuluan se sa më shumë ditë të nxehta – me temperatura 27°C ose më të larta – të përjetonin pjesëmarrësit, aq më i ulët ishte rreziku për zhvillimin e artritit në gjunjë.
Shkencëtarët mendojnë se moti i ngrohtë mund të përmirësojë qarkullimin e gjakut, gjë që ndihmon në lubrifikimin më të mirë të nyjeve dhe i bën ato më pak të ngurta dhe më fleksibël.
Sa e përhapur është sëmundja
Knee Osteoarthritis prek rreth 5.4 milionë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar. Moti i ftohtë është lidhur shpesh me përkeqësimin e simptomave, por deri më tani kishte pak studime që analizonin ndikimin e temperaturave të larta.
Në studim u përfshinë persona me moshë mesatare 56 vjeç, të cilët në fillim nuk kishin artrit në gjunjë. Gjatë 11 viteve të ndjekjes, më shumë se 23,000 prej tyre u diagnostikuan me këtë sëmundje.
Studiuesit përdorën adresat e pjesëmarrësve për të llogaritur sa ditë të nxehta kishte përjetuar secili gjatë pesë viteve para fillimit të studimit. Më pas ata krahasuan numrin e këtyre ditëve tek personat që zhvilluan artrit dhe tek ata që nuk u prekën.
Çfarë treguan rezultatet
Rezultatet treguan se personat që kishin përjetuar numrin më të madh të ditëve të nxehta kishin rreth 10% më pak rrezik për të zhvilluar artrit në gjunjë.
Edhe aktiviteti fizik i moderuar u lidh me përfitime: ai uli rrezikun me rreth 7%.
Kur këto dy faktorë kombinoheshin – shumë ditë të nxehta dhe ushtrime të moderuara – rreziku për artrit ulej deri në 17%. Në të kundërt, aktiviteti fizik i tepërt lidhej me një rrezik më të lartë për dëmtim të nyjeve.
Pse mund të ndodhë kjo
Sipas studiuesve nga Vanke School of Public Health dhe McGovern Institute for Brain Research, temperaturat e larta mund të përmirësojnë qarkullimin e gjakut në zonën e gjunjëve.
Kjo i furnizon nyjet me më shumë oksigjen dhe lëndë ushqyese, ndërsa ndihmon edhe në largimin e mbetjeve që mund të grumbullohen në to. Si rezultat, gjunjët mund të kenë lëvizshmëri më të mirë dhe më pak ngurtësi.
Gjithashtu, nxehtësia mund të stimulojë prodhimin e endorfineve, të njohura si qetësuesit natyralë të dhimbjes në trup, dhe të ndihmojë në uljen e inflamacionit që lidhet me artritin. /GazetaExpress/