Adeline Virginia Woolf (Londër, 25 janar 1882 – Rodmell, 28 mars 1941), ka qenë shkrimtare, eseiste dhe aktiviste angleze. Konsiderohet një nga figurat kryesore të letërsisë së shekullit XX, aktivisht e angazhuar në luftën për barazinë e të drejtave mes gjinive; ishte po ashtu edhe militante e fabianizmit. Ndër librat e saj më të njohur: ‘Mrs Dalloway’ (1925); ‘To the Lighthouse’ (1927); ‘Orlando’ (1928); ‘A Room of One’s Own’ (1929)
E martë, 10 gusht 1920
E kam kaluar gjithë pasditen duke larë nevojtoren. Tash mund t’i llogaris mundimet e mia: dhoma e ngrënies e temperuar dhe pastruar; parmakët e lyer me të kaltër; shkallët me të bardhë; dhe tash nevojtorja. Koha e çajit erdhi shumë shpejt; posta (me pak fat) në mes të çajit; mandej drekë në kopsht; pastaj znj. Thomsett duke mbledhur pjatat; ndezëm llambën me nuanca të gjelbra dhe qëndruam nën të duke lexuar deri në orën 10.30 kur u shuan qirinjtë dhe u ngjitëm shkallëve duke na u hapur goja. Shtretërit tonë kanë gunga dhe vrima; por fjetëm derisa na thirri znj. Thomsett. Ajo është gruaja më e përpiktë. Po pastaj znj. Thomsett doli jashtë me gjedhet e saj në orën 5. Me gjasë është mua ma nxjerrin gjumin çizmet e saj… Gjedhet shkojnë poshtë te krojet. Makina e z. Arblaster1 kalon duke gulçuar përposh dritares.
Duke u kthyer në shtëpi të dielën nga Rat Farm, një ditë e nxehtë, Leonardi nisi të përpilonte një skemë për të ardhmen e Press-it. Do t’i ofrojmë Patridge-t një pjesë të tij, mbase duke joshur me një llokmë të vogël të sekretarit të L-së2. Në mes të darkës L., e zhvilloi këtë më tej: pse të mos e vendosim Partridge te Suffield dhe të blejmë një pajise komplete shtypi? Pse jo? Të mbajmë po ashtu edhe një dyqan aty, ndoshta. Degëzimi përhapet pareshtur nga kjo qendër. Sidoqoftë, e gjitha varet nga Partridge, që ka qenë i ftuar këtu. Është një gjë e këndshme, kur vjen vjeshta, të bësh plane. Nelly është ende e sëmurë në mënyrë misterioze dhe duke qenë kështu e lutëm të mos përzihet…
Ende duke lexuar Don Kishotin – e pranoj sa më shumë që zhytem në rërë – aq më shumë zbutem – për aq sa rrëfimi nuk ka të bëjë me të – por gjallërinë e çlirët të shkapërderdhur të librave të mëdhenj, që më mbajnë për vete…
‘Potterism’ – nga R. Macaulay, një libër pedagogu, kryeneç, mashkullor, atmosferë salle leximi, jo interesant për mua3…
Catherine Wilmot, që shkoi në një turne më 1802 dhe mbajti një ditar; por ende nuk e kam marrë në dorë – një proces i domosdoshëm. Tash koha për ëmbëlsirë bizeleje.
E martë, 17 gusht
Për herë të parë në kujtesë, ulem para kësaj faqeje në vend se të ulem para asaj më të ashpër të detyrës dhe përfitimit për disa minuta pas orës dhjetë. Në dreq këta aristokratë! Në dreq edhe unë vetë që jam kaq snobe – e paaftë të merrem me Jacob’s Room ngase ‘rreth mesditës’ do të zbresë këtej Nelly Cecil4me makinën e saj. ‘Duke çuar Bobin në Newhaven, a mund të marrë bukë dhe djathë me ty?’. Një mëngjes i zymtë dhe i mefshtë, po ashtu, pakëz më afër shtëpisë, por ndoshta i freskët përposh bagremit; asnjë shkëndijë ngjyre duke ndriçuar. Përgatitja ime për aristokracinë – por po e rrej veten – Molly Hamilton, ose Molly MacCarthy, ose ndonjë Molly tjetër – do të më shkaktojë po aq telashe – që konsiston në veshjen e një karrigeje me këllëfin e saj dhe mbushjen e kutive me ëmbëlsira bizeleje dhe trëndafila. Nuk m’i ka ënda këto ndërprerje qytetare në jetën rurale. Nuk më pëlqen Clutton Brocks në Charleston5. Dje e urreva Londrën. Më saktësisht nuk ishte Londra, por një oborr i caktuar i vijës mes Richmondit dhe Mortlake, kur u ndalëm një orë e gjysmë, unë, po ashtu, te dentisti, paskëtaj pata kënaqësinë e një bredhjeje përmes rrugëve të mia të preferuara. Doja të blija ca copë të ndritshme farfuri për buharin e oxhakut.
Kësodore shëtita nëpër qytet me taksi, harxhova florinj, mblodha koli të tëra, rrufita çajra, hasa rastësisht në Kotin dhe i kalova njëzet minuta te Victoria – sidoqoftë L., ishte aty dhe patëm mundësi të bënim muhabet.
Por kur treni ia behu fushave të hapura, jeta dukej më e freskët, më e ëmbël dhe më e shëndetshme. Një ditë do të më duhet t’ia paguaj hakun humanizmit të dentistëve. Më të mirë se gazetaria për shpirtin, i thashë L-së, por pastaj, pata një vendetta me Massinghamin6, ndaj të cilit kisha flakur shigjetën time. Megjithatë është e vërtetë: po bëhem gjithnjë e më padurueshme ndaj gazetarisë. Kam shkruar veç gjysmë faqeje prej se kam ardhur këtu – tri javë më parë; kam refuzuar tre artikuj (vlerësime mbi Jane, Charlotte dhe Thackery) dhe jam ndier si e dehura që ka rezistuar me sukses ftesat për të pirë.
Duke ecur me Clive mbrëmë kurrizit të Firle Beacon folëm për të gjitha këto; ai më këshilloi seriozisht për të mirën time t’i qasem Amerikës; duke qenë, siç kam menduar prore, njeri i adhurueshëm biznesi dhe duke ia dalë mbanë shumë mirë për veten. Folëm për të ardhmen e shtypit dhe romanit; ai është finok në të dy këto çështje, megjithëse ndoshta në fund do të dalë se mendimet e mia do të fitojnë para me bollëk në Amerikë në emrin e tij.
Përmes malit të fazanëve kaluam tek arat e misrit; nxora një sentencë rreth një pikture me një glazurë të verdhë në të për të shprehur ngjyrat e forta të ngrohta, të përhapura aq trashë mbi fushë dhe poshtë dhe të mbuluara me një vernik që të shkëlqejë, jo të papërpunuar, por të ruajtur me shumë shkathtësi. Aty ishin Maynard, Duncan, Nessa dhe shkuam në studion8 e re, ku qëndrova me piktorët gjithë mëngjesin e nesërm duke folur, duke folur deri, siç them unë, sa erdhi Brocksi dhe prapë u bëmë persona inteligjentë dhe të kulturuar.
U ktheva në shtëpi fushave – në njërën prej atyre ditëve, që siç pandeh unë, janë ditë: moti me shi të rëndomtë me erë përbënte ndryshimin dhe shmangien. Gjithçka gati, deri te pula dhe gjuha, Molly H., natyrisht nuk erdhi – mamaja e saj kishte përfituar nga rasti të rrëzohej nga një shkallë.
Duke hapur derën e kopshtit zgjeroj kopshtin tonë sa Mount Caburn. Aty shëtis në perëndim të diellit, ku fshati, duke iu ngjitur kodrës, ka një pamje solemne dhe mbrojtëse, paksa patetike, emblematike, sidoqoftë shumë paqësore dhe njerëzore, thua se njerëzit po kërkojnë shoqërinë e njëri-tjetrit natën dhe jetojnë gjithë besim përposh kodrave. Gruaja e moshuar me flokë të thinjura rri në pragun e derës deri në orën 9 a më tepër, mandej kthehet brenda; në dritaren e sipërme drita është e ndezur dhe ngado është terr që nga ora dhjetë. Pata arsye mbrëmë të vrojtoja zakonet e natës, ngase pasi që kisha mbaruar bocën rikuperuese, Lottie nuk ishte kthyer ende në shtëpi; kur ora ra dhjetë L ndau mendjen të dilte ta kërkonte. Duke ngarë biçikletën vetëm përgjatë një rruge në terr, ajo mund të ishte rrëzuar, e kështu me radhë. Unë dola në këmbë deri te udhëkryqi; kështu të gjithë burrat duke kaluar andej në kthimin e tyre nga shtëpitë publike më thanë përshëndetën më shumë herë se sa në një javë të tërë gjatë ditës – duke provuar atë kam thënë rreth sociabilitetit të natës së vonë. Pastaj, po ashtu, ata i kanë llambat e tyre të ndezura për ta nga birraria e Malthouse9.
Natyrisht, me gjasë çdo burrë i këti vendi e kalon mbrëmjen në shtëpi publike. Do të ma kishte ënda njëherë të dëgjoj muhabetet e tyre.
(George Sturgeon, që erdhi me Florën të dielën, më zhgënjeu me llafet e katundit – flet veç për kriketin dhe tenisin – forma të vrazhda të njerëzimit që duken përmes mjegullisë, me vulën e pozitës së tyre në shoqërinë e Lewes. Nuk mendoj se inteligjencia ka nevojë për frikën, as në tokë as në qiell, konkurrenca e këtyre natyrave të thjeshta për budallallëk, duke mbështetur veten me të gjitha konvencionet dhe paragjykimet, nuk është as përafërsisht njerëzore sa jemi ne mendimtarët e lirë).
Pastaj tërfili përhapte aromë të ëmbël nga qoshku; Lewes shkëlqente, thënë të vërtetën, me një lloj ndriçimi prej diamanti dhe qielli ishte i stërpikur (?) me yje, i hirtë prej tyre, duke qenë se hëna nuk ishte shumë lart. L gjeti Lottien te kryqëzimi, i ishte shpuar goma e biçikletës, dritat e shuara, por ishte e hareshme dhe fjalamane si laraska nën dritën e diellit.
Shënime:
Richard Arblaster ishte banor i Rodmell. Rat Farm ishte emri i Woolfit për ca ndërtesa fermash të shkreta në Telscombe Downs.
Ralph Partridge, fillimisht një studius klasik i dalluar në Oxford, ishte duke e konsideruar çfarë të bënte pas largimit nga atje dhe me gjasë ideja që të luante një rol në zhvillimin e shtëpisë botuese Hogarth Press ishte hedhur nga Lytton Strachey.
Potterism. Një traktat tragjikomik i rose Macaulay, botuar më 1920.
Nelly Cecil (I868-I956), ishte martuar me Lord Robert Cecil më I889; Woolf e kishte takuar për herë të parë më I902 dhe kishin bashkëndarë një interesim pasionant dhe profesional për artin dhe zanatin e letrave.
Arthur Clutton-Brock (I868-I924), njeri i letrave dhe kritik arti. Autor i librit ‘Shelley, the Man and the Poet’ (I909).
H. W. Massingham, që shkruante si ‘Wayfarer’, në gazetën Nation e datës 10 korrikut 1920, ia kishte përshkruar moskalimin e Plumage Bill në parlament kotësisë së grave.
Një kasolle e gjatë dhe e ulët druri, me mbishkrimin ‘Les Miserables’ të vënë nga përdoruesit e saj të mëparshëm ushtarakë, ishte rregulluar përsëri për t’u përdorur si studio nga Duncan dhe Vanessa.
Mr Malthouse ishte pronari i Abergavenny Arms, Rodmell.
/Marrë nga ‘THE DIARY OF VIRGINIA WOOLF – Volume Two: 1920-1924’, Harcourt Brace Jovanovich, 1978
/Përkthimi Gazeta Express