Ditari i javës/ Virginia Wolf: 11 maj – 5 gusht 1920 - Gazeta Express
string(48) "ditari-i-javes-virginia-wolf-11-maj-5-gusht-1920"

Arte

Gazeta Express

22/08/2025 15:27

Ditari i javës/ Virginia Wolf: 11 maj – 5 gusht 1920

Arte

Gazeta Express

22/08/2025 15:27

Adeline Virginia Woolf (Londër, 25 janar 1882 – Rodmell, 28 mars 1941), ka qenë shkrimtare, eseiste dhe aktiviste angleze. Konsiderohet një nga figurat kryesore të letërsisë së shekullit XX, aktivisht e angazhuar në luftën për barazinë e të drejtave mes gjinive; ishte po ashtu edhe militante e fabianizmit. Ndër librat e saj më të njohur: ‘Mrs Dalloway’ (1925); ‘To the Lighthouse’ (1927); ‘Orlando’ (1928); ‘A Room of One’s Own’ (1929)

11 maj 1920

Ia vlen të përmendet, për referencat e ardhshme, se fuqia krijuese që flluskon aq lezetshëm në fillim të një libri të ri qetohet pas një kohe dhe pastaj vazhdon më ngadalë. Dyshimet mblidhen. Pastaj vjen dorëzimi. Vendosmëria për të mos hequr dorë dhe ndjesia e një forme kërcënuese të mbërthen më shumë se gjithçka tjetër. Jam paksa në ankth. Si do t’ia bëj me këtë ide? Posa t’i përvishemi punës është si një person që del për ecje, i cili e ka parë vendin të zgjerohet më herët. Nuk dua të shkruaj asgjë në këtë libër që nuk e shijoj teksa e shkruaj. Prapëseprapë, shkrimi është gjithmonë i zorshëm. 

23 qershor 

Po hiqja zor, në atë kohë, të thosha ndershmërisht se nuk mendoja se libri i fundit i Conradit është i mirë. E kam thënë këtë. Është e dhimbshme (pakëz) të gjesh të meta tek ai që respektojmë posaçërisht. S’kam si të mos dyshoj tek e vërteta se ai kurrë nuk takon ndokënd që dallon shkrimin e mirë nga i keqi, pastaj të bëhet i huaj, të flasë një anglishte të çalë, të martojë një grua rrapashyte, largohet gjithnjë e më tepër nga ajo që dikur e bënte mirë, vetëm e grumbullon atë lart e më lart, derisa s’mund ta quash ndryshe veçse një melodramë e kotë. S’do të doja ta gjeja The Rescue të nënshkruar nga Virginia Woolf. Po a do të pajtohet ndokush me këtë? Disi asgjë nuk më tund nga mendimi im për një libër. Asgjë – asgjë. Përveç ndoshta nëse është libri i një personi të ri – ose i një miku – prapëseprapë, e mendoj veten time të padështueshme. A s’e kam hequr nga mendja së voni dramën e Marry-t dhe a s’e kam vlerësuar saktësisht tregimin e K dhe a s’e kam përmbledhur Aldous Huxley-n; a nuk e ka lënduar disi ndjesinë time të përshtatshmërisë të dëgjoja Rogerin t’i sakatojë pikërisht këto vlera?

5 gusht 

Lërmëni të provoj të them se çfarë mendoj pasi që e lexova Don Kishotin pas darkës… Fillimisht ai shkrim ishte atëbotë ishte një tregim i fuqishëm për t’i lënë pa mend njerëzit e ulur përreth zjarrit pas asnjë prej devizave tona të kënaqësisë. Ata ulen aty, gratë duke thurur, burrat kundrues dhe ajo histori e hareshme, trillane, e lezetshme iu rrëfehet atyre, si fëmijëve të rritur. Kjo gjë më bëri përshtypje si motiv i D.K.: të na mbajë të zbavitur me çdo kusht. Me aq sa mund të gjykoj, e bukura dhe mendimet vijnë papandehur: Cervantes, jo aq i vetëdijshëm për domethënien serioze dhe duke mos e parë D.K. ashtu siç e shohim ne. Në të vërtetë kjo është vështirësia ime – trishtimi, satira, sa larg janë ato nga këto të tonat, të pasynuara – apo mos ato personazhe e kanë në vete të ndryshojnë varësisht gjeneratave të merren me to? Një pjesë e mirë e tregimit, e pranoj, është e mërzitshme – jo shumë, vetëm një çikëz në fund të vëllimit të parë, e cila natyrisht rrëfehet si një histori për ta na mbajtur të kënaqur. Shumë pak thuhet, shumë mbahet e fshehur, sikur të mos kishte dashur të zhvillonte pjesën anësore – skena e galerës me skllevër në marshim është një shembull i asaj për të cilën po flas. A mos C. e ndiente tërë të bukurën dhe trishtimin ashtu siç i ndiej unë? Dy herë fola për “trishtimin”. 

A është kjo esenciale për pikëpamjen moderne? Prapë, sa e shkëlqyeshme është të hapësh velat dhe t’ia mësysh drejt përpara me vrullin e rrëfimit të tregimit të madh, siç ndodh përgjatë pjesës së parë. Dyshoj se historia e Fernando-Cardino-Lucinda ishte një episod oborri në modën e asaj kohe, disi e mërzitshme për mua. Po e lexoj po ashtu Ghoa le Simple – e ndritshme, eefektive, interesante, po prapë e thatë, akull e pastër. Me Cervantesin e ke gjithçka aty; si zgjidhje po deshe; por i thellë, atmosferik, persona të gjallë që ngjallin dyshime, të fortë, të ngjyrosur si në jetën e vërtetë. Egjiptianët, si shumica e shkrimtarëve francezë, në vend të kësaj të japin një grusht me pluhur esencial, shumë më therës dhe efektiv, por as për së afërmi aq rrethues dhe hapësinor. Për atë Zot! Çka dreqi po shkruaj! Përherë po ato imazhe. Po shkruaj Jacobin për çdo mëngjes tashmë, duke e ndier secilën ditë të punës si një rrethojë të cilën më duhet ta shemb, derisa të më vijë zemra te thembra, ta pastroj ose heq qafe pengesën. (Një imazh tjetër, i pamenduar). Më duhet t’i gjej disi Esetë e Hume dhe ta laj veten.)

/Marrë nga Virginia Wolf, ‘A Writer’s Diary’, Houghton Mifflin Harcourt, 2003

/Përkthimi: Gazeta Express