Enrico Vanzina (1949), skenarist, producent, regjisor dhe shkrimtar italian. Fëmija i parë i regjisorit të njohur Steno. Më 2023 i është ndarë çmimi David di Donatello për karrierë. Po këtë vit është nderuar me çmimin Leone d’Oro per Meriti Letterari në Senatin e Republikës.
Diario diurno, pjesë nga e cila kemi paraqitur këtu, ka fituar çmimin Premio Fiuggi, seksioni Epistolari e Memorie, më 2022.
1 janar 2012
Meshë në një manastir urban në Firence. Ceremoni me këngë, me murgj e murgesha në të bardha, është shumë emocionuese. Murgjit i përkasin Vëllazërisë së Jerusalemit.
3 janar
Darkë në shtëpinë e Eileen Tasca Federicit, trashëgimtare amerikane në Romë. Një shtëpi e mrekullueshme, mbi Terme di Caracalla. Është prodhuesve në nivel ndërkombëtar (e gjitha është tejet e mistershme). Megjithatë është e përzemërt, bujare, shumë simpatike. Më fton në një rezidencë të sajen në New Orleans ku, thotë, life is splendid.
Shumë të ftuar. Bëj një muhabet të gjatë me regjisorët Paolo Sorrentino dhe Mimmo Calopresti. Muhabet civil, i qetë, inteligjent. Ata dy, në të vërtetë, janë inteligjentë. Më habit Calopresti kur më thotë se i gjithp halli i kinemasë italiane është në dëmet e shkaktuara nga vizioni politik që kishte nxjerrë kokën në vitet Shtatëdhjetë. Ai, atëbotë, ishte një kundërshtar krenar dhe sot e pranon se ato analiza manikeale të shokëve të tij të luftës ideale nuk kishin kuptim. Kinemaja është kinema, kaq. Paolo Sorrentino më argëton me rrëfime për Aurelio De Laurentiisin. Takohen, përveç se për çështje kinemaje, mbi të gjitha për arsye futbolli. Paolo është tifoz i flaktë i Napolit. Më pëlqen Sorrentino, pakëz beat, pakëz artist, po edhe pakëz borgjez napoletan. Kur buzëqesh është simpatik. Besoj t’i jem simpatik edhe unë atij. Saherë që takoj kineastë të vërtetë e ndiej se ma kanë zili dashamirësisht të kaluarën time të jetuar në një familje të vjetër që merrej me film. Kanë shumë respekt për kinemanë e njëkohe. Për Germin, Risin, Monicellin, babanë.
5 janar
Darka e Epifanisë në shtëpinë e Manuela Papaldos. Amerikanisti simpatik Massimo Teodori na i shpjegon, me zgjuarsi, mekanizmat e zgjedhjeve presidenciale amerikane. Sipas tij Obama ende nuk është jashtë lojes, ka shumë mundësi të rizgjidhet. Na thotë se kandidati i vetëm republikan që mund ta mposhtë është Mitt Romney, miliarderi mormon. Megjithatë duhet parë nëse Romney do të arrijë t’i çojë te kutitë e votimit ata republikanët ekstremistë dhe fundametalistë që i shërbejnë për të fituar zgjedhjet. Pra, edhe pse Obama shihet nga sondazhet e deritanishme si humbës, nga sot deri në ditën e zgjedhjeve ende mund të ndodhë gjithçka.
6 janar
Është dita e Epifanisë. Rrugës, nën shtëpinë time, luzmon një turmë e pabesueshme romanësh (me kukulla e kukullathë) që shkojnë drejt sheshit Navona. Riti reziston. Zbres dhe përzihem me turmën. Pothuajse të gjithë janë romanë në transfertë. Nga habia që shihet në sytë e tyre kuptohet fare qartë se qendra e Romës është një vend që nuk e frekuentojnë, nuk e njohin. Lëvizin me rëndesën e turistëve, pa e ditur në cilën anë të kthethen për ta gjetur rrugën e drejtë. Megjithatë janë të lumtur dhe të befasuar. Duket sikur thonë: Ammappa sa gazmore është Roma jonë! Është konfirimimi i një gjëje që e kanë dëgjuar dhe më në fund po e shohin me sytë e tyre.
8 janar
Po e rilexoj, me kënaqësinë më të madhe, La solitudine del satiro të Ennio Flaianos. Është ditar që nis nga viti 1952 dhe përqafon jetën e qytetit tonë deri në vitet Gjashtëdhjetë. Përmban reflektime, mendime, sarkazmë, përsiatje të thella me një dendësi të tillë letrare sa ta bëjë me mornica atë që, si unë, mendon marrëzisht se mund të ndjekë në njëfarë mënyre rrugën e asaj gjinie të letërsisë. Askush si Flaianno nuk e ka kuptuar Romën dhe nuk ka ditur ta rrëfejë me aq shumë mprehtësi. Flaianno pohon se të jetosh në Romë nuk është e lehtë, ngase është qytet që ofron argëtime dhe kënaqësi që e zbehin vrullin jetësor. Duke cituar Sainte-Beuven, i cili pohonte se jeta do të ishte e durueshme po të mos ishin kënaqësitë, Ennio thotë se Roma nuk ofron asgjë tjetër veç kënaqësive. Se është qytet që nuk gjykon, që fal. Prandaj ai që banon aty ndihet si qen pa qafore, i lirë të gabojë, të dembelavet dhe të humbë kohë në dokrra ekzistenciale. Asnjë prej banorëve të kryeqytetit nuk mendon se mund ta kuptojë, posedojë, zbulojë. Ndaj i nënshtrohet. Roma është entitet i pakapshëm. Shumica do të donin të largoheshin, të emogrojnë. Po pastaj ngrohtësia e papërgjegjshme këtij qyteti i bën përherë ta shtyjnë vendimin ta braktisin. Pra, Roma është gati si një mallkim. Një frazë mbi Italinë, në librin e Flaiannos më bën të çmendem: “Shumat e destinuara për çmimet artistike dhe letrare (janë) vetëm pak më të larta se sa shumat e caktuara për luftimin e analfabetizmit. Ja një çështje që do të duhej t’i bënte analfabetët të reflektonin”.
Shënim:
“Ammappa” është një term lokal, gjeografikisht i limituar, që do të thotë “sa bukur!”, por në brendinë e vet përmban edhe asonancën me termin “mappare” (hartëzoj). Në lojën e fjalëve pra është esenca shëtitjes duke luajtur, duke u mrekulluar, duke sajuar drejtime të duhen ndarë me të tjerët.
/Marrë nga Enrico Vanzina ‘Diario diurno’, HarperCollins Italia, 2022.
/Përkthimi: Gazeta Express