Ditari i javës/ Schönberg: 20 – 23 janar 1912 - Gazeta Express
string(41) "ditari-i-javes-schonberg-20-23-janar-1912"

Ditari i javës/ Schönberg: 20 – 23 janar 1912

Arte

Gazeta Express

12/04/2024 16:11

Arnold Franz Walther Schönberg (1874 – 1951), kompozitor austriak, me nënshtetësi amerikane. Ai ka qenë ndër të parët, në shekullin XX, që ka shkruar muzikë përtej rregullave të sistemit tonal dhe bashkë me Josef Matthias Hauerin ka qenë njëri prej teorikëve të metodës dedakafonike.

Tentim ditari

Lexo Edhe:

20 janar 1912

Më në fund ia fillova. E kisha në mendje prej kohësh. Por nuk ia dilja dot të çlirohesha nga ideja se më parë më duhej të shkruaja diçka për jetën time të kaluar, atë që e mbaj në mend. Megjithatë i kam humbur dhjetë a më shumë vjet. Po tash do të duhej të funksiononte. Në të vërtetë i kam dhënë vetes fjalën sërishmi të mashtroj veten duke u bërë se po besoj se do të mbaj veç shënime të shkurtra, për të cilat njeri gjen kohë çdo ditë.

Pra: mbrëmë shkova në koncertin e Friedit1. Deri më tani kompozimet e Busonit s’më kishin pëlqyer gjithaq. Po dje Berceuse më pëlqeu, një pjesë prekëse në mënyrë direkte. Përnjëmend e ndjeva. I kam hyrë vërtet në hak2. Një tjetër!

Ndërsa Fried më pëlqen gjithnjë e më pak: është njëri që thjesht shitet shumë. Prej se e trajtoj ftohtë më rri gjithë kohës rrotull. Po unë s’ia var. Mandej u njoha me Kussiewitzkin3. Guttmanni më tërhoqi drejt tij. Vitin e ardhshëm dëshiron ta luajë Pelleasin në Pjetërburg dhe në Moskë5. Do të ishte gjë e bukur. Të shpresojmë! Sidoqoftë, këtë vit jashtë kanë nisur të merren me mua bukur intensivisht. Pas dy javësh, thotë K(oussevitzky), mund ta luajnë në Pjetërburg Kartetin tim.

Më pas u njoha me van Durenin6. Do të duhej të ishte mjaft interesant. Jam kureshtar. Do të vijë të më takojë dhe do të m’i tregojë disa kompozime. Pas koncertit shkuam në rsetorantin Heidelberg me Guttmannin, Hertzkan, Webernin dhe Clarkun. Gulttmanni është bukur euforik. Duket se u është betuar Gurreliderve se do të jetë me ta në vjeshtë. Do të shohim7. Hertzka ishte rrëzëllitës!

Në koncert fola edhe me Petrin. Ngalakaq. Do të duhej t’i  luante Liederet e mia dhe Pjesët për piano (28-shin)8. Nuk më është krejt i papëlqyeshëm, më pëlqen një çikëz. E pyeta Busonin nëse dëshironte të merrte pjesë si pianist në Pjesët për orkestër9. Nuk pranoi: nuk ka kohë (me gjasë s’ka qejf!). Për pasojë: edhe Petri (nuk ka) kurrfarë dëshire. Mjeshtërth! Do ta marr dikë tjetër.  

21 janar 1912 (e diel)

Sot lajme të mira të ardhura me postë (të parat prej një kohe të gjatë): Peters i mori Pjesët për orkestër (op. 16). Pagesë e ulët, por botimet Peters11! Kjo është ajo që ka rëndësi. U botuan! Marschalku u bë i gjallë. Duket të ketë ndonjë qëllim të fshehtë! Me gjasë ka bërë fjalë me Hertzkan rreth punëve të mia dhe të tij. E pyeta për herë të fundit Hertzkan në lidhje me pesë kompozimet ende të lira. Në të njëjtën kohë i kërkova Tischerit dhe Jagenbergut a i duan ata. Nuk besoj të jem jokorrekt, meqë nuk kam qëllim t’i vë në konkurrencë mes njëri-tjetrit. Krejt e kundërta: Hertzkas i kërkova më pak dhe, pavarësisht kësaj, do t’ia jap atij pa i pritur T.-në dhe J.-në që të fitojnë kohë, ja pra.

Sot në mëngjes lajme të pakëndshme: zonja Simon-Herlitz nuk do ta luajë pjesën e harmoniumit13 në koncertin tim. Rekomandon Kampfin. Gjë e shëmtuar të detyrohesh të kërkosh dikënd në momentin e fundit. Përndryshe, ende asnjë konfirmim nga Winternitzi. Pastaj, në mesditë, edhe një lajm tjetër i pakëndshëm. Weberni nuk do të jetë në Berlin më 5 mars kur Rosé do të luajë veprën time Koncerti I. Do të jetë në Vjenë për ta dëgjuar Simfoninë VIII të Mahlerit. Do ta bëja me shumë qejf edhe unë. Megjithatë kjo tregon se nuk është i dhënë pas meje në mënyrë aq ekskluzive siç lë të besohet. Në mbrëmje kuvendim me Mathilden14 në lidhje me këtë. Rezultati: sa s’u zumë. Natyrisht, ajo e tepron, ngase për disa arsye (G15) mezi pret të gjejë rastin të flasë për Webernin. E qortova duke pohuar se shpesh unë vetë nuk jam sjellë më mirë me Mahlerin; se prindërit ndaj fëmijëve dhe fëmijët ndaj prindërve sillen keq. Se e mira është veç një abstragim dhe jo diçka absolute. Se nuk ekzistojnë persona absolutisht të mirë dhe të patëmeta. Dhe se nuk dua të harroj në sa raste të tjera Weberni sillet në mënyrë të shkëlqyeshme me mua. por ajo s’dëshiron ta pranojë. Mbetet kryeneçësisht e palëvisshme në pozicionin e saj dhe më gati se s’ma vë veshin.

22 janar

Prova me Petrin. Me shumë gjasë do t’i luajë pjesët (op. 19) në mënyrë të shkëlqyeshme. Të paktën për sa i përket teknikës pianistike. Në përgjithësi e ka marrë të gjithën me shumë vrull; ose më mirë, me shumë nxitim. I thashë Webernit: për muzikën time duhet të kesh kohë. Nuk është për njerëz që kanë të tjera punë. sidoqoftë, është përherë një kënaqësi e madhe të dëgjosh punët e tua nga dikush që i zotëron në mënyrë të përsosur nga pikëpamja teknike. Duket se koncerti do të jetë shumë i mirë. Pres më të mirën nga pjesët për orkestër në tetë duar! Arrita në konferencë16 me një çerek ore vonesë. Busoni i pranishëm me gruan dhe djalin. Djali ishte i pranishëm edhe në provën e Petrit, si edhe van Düreni (dhe Clarku). Van Düren duket simpatik (Dürer?!?). Në harmoni muzika e tij është vendosmërisht afër times. Por jo në ritëm dhe në formë! Fola në konferencë pa u përgatitur. Në përgjithësi nuk shkoi edhe aq keq, sado që herë pas here e humbisja fillin dhe nuk e çoja deri në fund atë që e kisha nisur. Isha njëmend i lodhur për shkak të natës së keqe të kaluar me Görgin17 që qante për shkak të morthit. Megjithatë, prapëseprapë ia dola t’i paraqes dhe t’i arsyetoj në mënyrë mjaft të qartë idetë e mia rreth “recitalit të obliguar” (edhe pse, çuditërisht, harrova ta përmendja këtë term). Jo krejtësisht megjithatë. Ideja është më e thellë: e pathënshmja shprehet në formë të lirë. Në këtë i avitet natyrës, edhe ajo e pakapshme e megjithatë aktive. Me mua ishte Weberni. Sot s’më pëlqeu posaçërisht. Kur ma vuri re se isha i irrituar, kishte një lloj sarkazme.

Nesër prova me tre virtuozët e pianos! Weberni më luti të mos e bëj qesharak me qortime! Thua se e paskam bërë një gjë të tillë më parë. M’u desh të refuzoj t’i lë të kalojnë në heshtje gjërat e rëndësishme për ekzekutimin. E çuditshme. Një fërkim kaq i parëndësishëm që s’resht dot. Megjithatë nuk dua ta paragjykoj raportin me Webernin. Jam i bindur se në këtë rast ka gabuar, po zakonisht i bën gjërat për së mbari! Dhe kjo ka rëndësi!

23 janar

Sot prova me Clossonin, Steuermannin, Grünbergun (të gjithë nxënës të Busonit) dhe Webernin: Pjesët për orkestër në tetë duar. Zhgënjim i madh. Nxënësit e mi janë më të aftë se këta të Busonit. Janë më muzikantë. Bile mendoj se janë edhe njerëz më të zotë. Grünbergu, në veçanti, është shumë i dobët. Kurrfarë (sensi) të ritmit. Clossoni është shumë i zoti, Steuermanni jo aq keq. Por muzikaliteti i vërtetë, ajo shpjetësia e të kuptuarit, këtu mungon krejtësisht. Hiç s’e di çka do të dalë nga e gjithë kjo. Bash do të doja ta përzija Grünbergun, që nuk është aspak simpatik dhe që besoj të ketë folur keq për konferencat e mia, siç më ka kallëzuar Perelmanni. Në të vërtetë ai e mohon, por sidoqoftë kjo gjë mbetet bash antipatike. E Busoni më ka marrë për një person të tillë: (Grünbergu) i kishte prezantuar (në një konkurs) ato pjesë për piano për të cilat Busoni kishte besuar se ishin të miat. Nuk duket të më ketë kuptuar deri në fund. Në të vërtetë, do të duhej t’i binte në të se në muzikën time ka diçka që përjashton çdo ngjashmëri me zotin Grünberg. Meqë ra fjala: Busoni! Dje i shkrova një letër shumë të përzemërt rreth kompozimeve18 të tij. E kisha për zemët t’ia shlyja borxhin. Sot më ka çuar fjalë përmes Dürenit se më falenderon shumë, se i ka pëlqyer shumë, porse s’do të mund të më shkruante se ishte shumë i zënë.

Në një rast të tillë unë do të kisha gjetur kohën t’i shkruaja! Nuk vjen në provën time.  Me gjasë për shkak se unë nuk kam shkuar në të tijat. Megjithatë harron se unë e kam ftuar, ndërsa ai jo19. Si mund ta dija a i shkonte për së mbari?

Petersi e bëri pagesën sot. Ishte një gjë e shpejtë. Të shpresojmë se do të sjellë fat. Tash kam mundësinë të njoh shumë persona, por ka pak qenie njerëzore mes tyre. Mbase njeriu mëson t’i njohë njerëzit pikërisht në këtë mënyrë: duke mos gjetur kurrë një qenie njerëzore autentike.

Nesër prova në orën nëntë. Të shpresojmë se do të shkojë mirë. Është zor të gjesh gjëra të tilla. Shpesh gjendem përnjëmend në vëshitërsi të them a ishin bashkë. Veç kur nis të sqarohet arrij ta dalloj me saktësi. Më mungojnë njëmend tingullësitë! Ngjyrat! Pianoja është veç një instrument, por më pak për muzikantët se sa për pianistët. Mbase për këtë arsye është kaq popullore!

/Marrë nga Arnold Schönberg, “Leggere il cielo – Diario 1912 – 1924”, Il Saggiatore, 1999

/Përkthimi: Gazeta Express