Ditari i javës/ Sami Al-Ajrami: 7 tetor 2023 - Gazeta Express
string(42) "ditari-i-javes-sami-al-ajrami-7-tetor-2023"

Arte

Gazeta Express

29/11/2024 14:57

Ditari i javës/ Sami Al-Ajrami: 7 tetor 2023

Arte

Gazeta Express

29/11/2024 14:57

Sami Al-Ajrami (1967), gazetar palestinez. I lindur në kampin më të madh të refugjatëve në brendi të Rripit, në veri të Gazës, punon freelance dhe prej vitesh bashkëpunon me disa prej gazetave më të mëdha ndërkombëtare.

7 tetor 2023

Më zgjon përnjëherësh një zhurmë tepër e fortë. Nga dritarja hyjnë dritat e para të agimit: duhet të jetë gjashtë e mëngjesit. Është një kumbim terrorizues, aq afër sa të dridhte gjithçka. Vrapoj te ballkoni për të kuptuar ndonjë gjë, por nuk dalloj asgjë. Është e shtunë, në Izrael ditë pushimi dhe Simchat Torah, dita e fundit e Sukkoth. E ndez kompjuterin dhe i shfletoj lajmet. Janë ato të një nate më parë. Asgjë as te radio kanalet palestineze dhe televizioni izraelit. Bashkëbisedimi i ne gazetarëve të Gazës, 640 në tërësi, fillon megjithatë të gjallërohet. Pyesim njëri-tjetrin çka po ndodh, por askush nuk di asgjë. Derisa njëri prej nesh sinjalizon se sapo ka parë në Facebook një foto të çuditshme të postuar nga një i afërm: shihen njerëz të Hamasit duke e kaluar kufirin.

Pamja më shokon. Filloj ta ndjek edhe unë atë profil: burri (pastaj i arrestuar dhe zhdukur) është bashkë me milicianët brenda në Izrael, diçka e padëgjuar. Sa më shumë që i shikoj fotot e tij, aq më shumë e kuptoj se po ndodh diçka e jashtëzakonshme. Për njerëzit e Gazës të kalosh kufirin është e papërfytyrueshme, i pajisur siç është me sensorë në gjendje të aktivizojnë armët pa ushtarë. Ka ndodhur shpesh kur kanë kaluar kafshët: e madje edhe disa fshatarë kanë vdekur kur i janë afruar shumë afër me mjetet e tyre të punës.

Në rrjete sociale shoh imazhe trazuese. Instinktivisht, disa kolegë të mi kanë vrapuar për te vendi me aparatet e tyre fotografike dhe po postojnë drejtpërdrejt çka po ndodh. Për atë gatishmëri do ta fitojnë Pulitzerin, por Izraeli do t’i akuzojë se janë embedded me terroristët, tashmë të informuar për zhvillimet. Një insinuatë e rëndë, ngase pikërisht ata ia kanë bërë me dije botës gjëmën e sulmit. Nuk ia shpjegoj dot vetes pse izraelitëve u duhet kaq shumë kohë të intervenojnë, duke i lënë milicianët të lirë të veprojnë. Me orë të tëra sulmojnë pa hasur në pengesa dhe kështu i kanë vrarë 1.200 persona. Askush nuk ndërhyn deri në orën 10.30 të mëngjesit. Sa më shumë që e nuhas rëndesën e sulmit, aq më shumë e kuptoj se përgjigjja do të jetë e gjatë dhe e dhimbshme.

Dal nga shtëpia vetëm pasdite. Rrugëve dikush feston, duke pohuar se ajo që ka ndodhur është hakmarrje për tërë ato poshtërime të pësuara. Konflikti izraelo-palestinez nga ana tjetër ka njohur në kohë nivele të ndryshme përleshjeje. Por shtatëmbëdhjetë vjetët e fundit kanë qenë më të këqijat. Pas marrjes së pushtetit nga ana e Hamasit, Rripi ka mbetur i burgosur i një bllokimi izraelit tepër të shtrënguar që na ka nxirë jetën. Niveli i papunësisë, veçanërisht në mesin e të rinjve, ka arritur përqindje të paprecedentë. Ekonomia e Gazës ka rënë në mënyrë rapide. Tërbimi ndaj Izraelit është rritur mes njerëzve të frustruar dhe të varfëruar. Shoqëria është bërë më konservative dhe shumë sish u janë bashkuar grupeve të armatosura të Hamasit dhe xhihadit islamik. Të nesërmen e 7 tetorit pra shumë njerëz e shohin këtë sulm si një hakmarrje dhe demonstrim se vetëm rezistenca popullore nuk mjafton për ta ndalur pushtimin.

Të tjerët megjithatë janë të shqetësuar dhe më pyesin çka mendoj unë. Në lagje më thërrasin «analisti politik», ngase jam gazetar dhe e flas mirë hebraishten: e kam mësuar si autodidakt në moshën 12 vjeçe, kur në Gaza kishte kolonë izraelitë, ngase doja të dija çfarë flisnin mes vete. Kisha blerë një libër të titulluar Hebraishtja pa mësues, duke zbuluar se kisha dhunti për gjuhët. Pastaj e kisha përsosur në Tel Aviv në vitet Tetëdhjetë bashkë me anglishten, duke punuar për një ndërmarrje ndërtimore.

Pikërisht këto kompetenca gjuhësore më mundësuan më vonë, në 1999, të hyja në stafin diplomatik të Autoritetit palestinez si interpretues dhe «analist i çështjeve izraelite», duke punuar për pesë vjetët në vijim në Departamentin e Negociatave në periudhën e udhëhequr nga Mahmoud Abbas, Abu Mazeni i ardhshëm. Kur ai u bë premier, kalova te Wafa News Agency, agjenci palestineze e shtypit. Pastaj Hamasi e mori pushtetin më 2007 dhe i pushoi nga puna të gjithë punëtorët e Autoritetit palestinez. Pra nisa të shkruaja për të përditshmen izraelite «Maariv» (duke i imponuar dy kushte: s’do ta quaja kurrë ushtrinë izraelite «forca të Mbrojtjes», as t’i quaja palestinezët «terroristë»). Shumë shpejt u ndaluan edhe bashkëpunimet me gazetat izraelite. Gjeta punë si fixer, duke shoqëruar gazetarët e huaj në Gaza. Atëkohë u bëra korrespondent i shumë gazetave dhe agjencive, përfshirë gjermanen «Berliner Zeitung» dhe italianen «Ansa».

Prandaj drejtohen për tek unë. Duan të ndihmohen dhe të kuptojnë çka është duke ndodhur. «Përgjigjja do të jetë e fortë», reflektoj. «Por do të di më shumë vetëm në muajin e dytë të luftës». Trazohen. «Lufta paska me zgjat dy muaj, përnjëmend a?», pyesin mosbesues, ngase lufta më e gjatë në Gazë ka zgjatur «mezi» 51 ditë dhe ky është limiti i tyre mendor.

«Do të zgjasë të paktën dy muaj. Kjo luftë nuk është si ato të tjerat».

/Marrë nga Sami Al-Ajrami, ‘Le chiavi di casa’, Mondadori, 2024

/Përkthimi: Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement