Ditari i javës / Roland Barthes: Aty ku ajo nuk është, 26 – 28 tetor 1977 - Gazeta Express
string(67) "ditari-i-javes-roland-barthes-aty-ku-ajo-nuk-eshte-26-28-tetor-1977"

Ditari i javës / Roland Barthes: Aty ku ajo nuk është, 26 – 28 tetor 1977

Arte

Gazeta Express

17/03/2023 17:00

Roland Barthes filloi ta mbante këtë ditar të nesërmen e vdekjes së nënës, më 25 tetor 1977 dhe e mbajti për rreth dy vite, pra deri në fund të jetës së tij

Ditar zie

Lexo Edhe:

26 tetor 1977 – 21 qershor 1978

26 tetor 1977

Nata e parë e dasmës.

Por nata e parë e zisë?

27 tetor

– Ju nuk e keni njohur trupin e Gruas!

– E kam njohur trupin e mamasë sime të sëmurë, pastaj duke vdekur.

27 tetor

Çdo mëngjes, kah ora 6 e gjysëm, jashtë, natën, zhurma e helurishteve të kovave të mbeturinave.

Thoshte me lehtësim: më në fund nata mori fund (ka vuajtur natën, vetëm, gjë e pashpirt).

Nga momenti që një qenie është e vdekur, konstrukt i përmbysur i së ardhmes (ndërrim i mobilieve, etj): ardhmërio-mani.

27 tetor

Kush e di. Mbase pakëz ar në këto nota?

27 tetor

– SS: do të të marr në dorë, do të ta siguroj një kurë qetie.

– RH: prej gjashtë muajsh ishe i dëshpëruar ngase dije. Zi, depresion, elaborim, etj. – por e gjithë kjo thënë në mënyrë diskrete, sipas mënyrës së tij.

Irritim. Jo, zia (depresioni) është një gjë bukur ndryshe nga sëmundja. Nga çfarë do të donin të shërohesha? Për ta gjetur cilën gjendje, cilën jetë? Nëse ka mundim, ai që do të lindet nuk do të jetë një qenie e rrafshët, por një qenie morale, një subjekt me vlerë, – dhe jo e integrimit.

27 tetor

Pavdekësi. Kurrë s’e kam kuptuar atë gjendje bizare, pirroniane: nuk di.

27 tetor

Të gjithë e kalkulojnë – e ndiej – shkallën e intensitetit të një zie. E megjithatë është e pamundshme (shenja përçmuese, kundërthënëse) të masësh përnjëmend atë që arrihet.

27 tetor

– «Kurrë më, kurrë më!».

– E megjithatë, kundërthënie: kjo «kurrë më» nuk është e përjetshme, ngase ju vetë, një ditë, do të vdisni.

«Kurrë më» është një shprehje e të pavdekshmëve.

27 tetor

Takim tepër i ngarkuar. Kotësi në rritje, e pashmangshme.

Mendoj për të, që është aty përbri. E gjitha shpërthen.

Ky është fillimi solemn i zisë së madhe, zisë së gjatë.

Për herë të parë pas dy ditësh, ide e pranueshme e vetë vdekjes sime.

28 tetor

Duke shoqëruar trupin e mam., nga Parisi në Urt (me JL-në dhe transportuesin): ndalje për të drekuar në një mejhane popullore në Sorigny (pas Tours). Transportuesi hasi aty në një «koleg» (që barte një trup drejt Haute-Vienne) dhe drekoi me të. Bëj dy hapa me Jean-Louis-in anash sheshit (pranë monumentit të tmerrshmëm të të rënëve), tokë e rrahur, erë shiu, provincë e shkretë. Megjithatë, diçka si një shije e të jetuarit (për shkak të aromës së ëmbël të shiut), një çmobilizim parak, pothuajse një mallëngjim i shkurtër i lehtë.

/Marrë nga Roland Barthes: Dove lei non è, Einaudi, 2010

/Gazeta Express