string(39) "ditari-i-javes-richard-burton-mars-1970"

Arte

Gazeta Express

30/05/2025 15:38

Ditari i javës/ Richard Burton: mars 1970

Arte

Gazeta Express

30/05/2025 15:38

Richard Burton CBE (1925 1984), aktor uellsian. Kishte nisur karrierën si aktor në veprat e Shekspirit në vitet 50-të, duke dhënë pastaj një performancë të paharrueshme të Hamletit më 1964. I nominuar për Academy Award shtatë herë, por pa e fituar kurrë.

24 mars 1970

Puerto Vallarta

Po bëhet kohë që nuk kam shkruar asgjë në këtë ditar. Jam rrëzuar nga trotuari në shtëpinë e Sinatrës1. Duhet të pranojmë se ai është njeri vërtet i palumtur – përveç zymtësisë së tij thelbësore, në të njëjtën kohë ishte i lënduar nga urdhër arresti, etj., i lëshuar nga shteti i New Jerseyt (….) përkitazi me përfshirjen e tij me gangsterët lokalë. Besoj se Sinatra ka të drejtë kur thotë se s’ka qenë i implikuar në asnjë mënyrë dhe ndërkohë kemi lexuar se së fundmi është paraqitur në New Jersey pa nevojën që të ekstradohet, ose sido që e quajnë këtë gjë shtetet mes tyre, pra ai është rehabilituar2. Do të thotë gjithçka është në rregull. Shtëpia është një lloj super moteli si formë dhe ide. Një seri suitash bukur të elaboruara, me të gjitha almiset e mundshme moderne dhe një basen të vogël në mes. Ka edhe një tavernëz që përmban një tavolinë bilardoje dhe një lodër të mahnitshme tren që ia kanë dhuruar Frankut prodhuesit dhe të cilën disi e ka shndërruar në një lloj shtëpie fëmijësh a diçka e këtij lloji. Ai është përnjëmend njeri i këndshëm në doza të vogla, por ma ha mendja se është i mërzitshëm të jetosh me të, posaçërisht tash që i janë shterur energjitë dhe kur e ka mendjen veç te shëndeti i tij. Biblioteka e tij ishte bukur e madhe, por ’Princi’ Mike Romanov më ka thënë se Franku e ka lutur atë të zgjedhë librat3. Kjo natyrisht mund të ketë qenë teka intelektuale e Mikut, por kam parë një mori kopjesh të Encounter përreth dhe jam krejt i sigurt se Francis s’i ka lexuar ato4. Elizabeth ia zgurdullon sytë gjithë kohës dhe nganjëherë ai asaj. Kurrë s’e kam parë Elizabethen të sillet ashtu, dhe përveç që më bën xheloz – një emocion që e përçmoj – isha i tërbuar po ashtu që ai nuk ia kthente. E tejkaluam mirëseardhjen dhe e tejkaluam atë për tri a katër ditë, megjithëse po dergjesha të largohesha prej aty.

Më në fund u kthyem në Vallarta. Fluturuam në Palm Springs dhe pastaj për në LA me aeroplanin e Sinatrës që quhet Aeroplani i Rrymës së Gjirit ose diçka e këtij lloji. Është aeroplan fantastik dhe E natyrisht deshi menjëherë të blinte një të tillë. Kushtonte jo më shumë se 31/4 m dollarë. Kaq. Me këtë dhe me një faturë 1 m dollar nga spitali dhe s’ka ku të vejë më mirë. Bota ka ndryshuar – po mendoj bota jonë.

Askush, pra askush, s’do të na i paguajë një milion dollar më edhe për një kohë të gjatë. I kam pasur dy fatkeqësi financiare Staircase dhe Boom! dhe Elizabetha Boom! dhe Secret Ceremony. Anne po shkon mirë dhe do t’i nxjerrë paratë e veta. Pra filmi i E-së është The Only Game, por Anne ka kushtuar vetëm 31/2 milionë, ndërsa The Only Game ka kushtuar 10 milionë dollarë, kështu që s’do të nxjerrë paratë e veta në njëzet vjet. Kam frikë se përkohësisht (shpresoj se është vetëm përkohësisht) jashtë në të ftohtë dhe yje të rëna. Natyrisht s’kemi rënë aq poshtë – pa dyshim ende mund të marrim nga 75.000 dollarë për një film, çka nuk është gjë e vogël. Ajo çka është e mrekullueshme është se ne kemi arritur të qëndrojmë lart për një kohë kaq të gjatë. Për shembull Julie Andrews, e cila vetëm me filmin The Horrible Sound of Music ka qëndruar për gati pesë vjet, por tash ata të Hollywoodit po më thonë se si rezultat i dy dështimeve të mëdha, ajo tashmë ka marrë fund5. Jo vetëm kaq, madje i është bërë koka lëmsh siç duket nga suksesi i saj i parë dhe marrja e Oskarit, etj., duke u kthyer në shtëpi natën vonë dhe ose nganjëherë fare hiç edhe me ditë të tëra. Epo, çdoherë mund t’i drejtohet Blake Edwardsit t’ia shkruajë një skenar dhe ai vetë mund ta bëjë regjinë dhe produksionin6. Sa shpejt ndryshojnë gjendjet shpirtërore – dy vjet më parë ajo ishte loçka e Amerikës dhe tash zor se e zë ngoje dikush. Ajo s’e ka presionin tonë të vazhdueshëm antagonistik, prandaj tek më vonë do të shokohet me tamam.

Kjo po del të jetë një hyrje e gjatë që me gjasë duhet të vazhdohet nesër. (…) Shkova në spitalin Presbitarian në Hollywood që bëj një kontroll të plotë. Dhe çfarë kontrolli! M’i mori 24 orë, çka do të thotë se m’u desh të qëndroj në spital gjithë natën. Kur më vunë në shtrat, më morën gjak në masën e disa pintave nga (….) krahu im dhe (…) Rex Kennamer, doktori, më siguroi, thjesht duke më dëgjuar, se pa fijen e dyshimit kam një mëlçi të rritur si rezultat i pirjes për rreth tridhjetë vjet. (…) Të nesërmen Kennameri erdhi të më shihte dhe më tha se thjesht më duhet të ndërpres pijen të paktën për tre muaj. Pse?, pyeta. Ngase me sa shihet, në dozën e tashme të alkoolit do të kem sklerozë të mëlçisë brenda pesë vjetësh, që pastaj  do të shkojë duke u përkeqësuar. Vazhdova të pi ose jo. Po mendoj pas më shumë se pesë vjetësh. Mirë pra, më duhet të ndërpres pijen plotësisht. E kam bërë edhe më parë me javë të tëra, ose edhe me gjatë. Kjo do të jetë periudha më e gjatë në përgjithësi. Kjo është dita ime e dhjetë pa alkool të çfarëdo lloji dhe mund të pranoj se ndihem pafundësisht më i shëndetshëm…

24 mars

Do të shkojmë të peshkojmë sot dhe do të ndalemi për drekë me një njeri që jeton në një fshat indian në gjysmë të rrugës mes këtu dhe Jalapait7. Ai quhet Richard Foot i njohur për të gjithë si Don Ricardo. Ai është ‘gringoja’ i vetëm që jeton në këtë fshat të veçantë. Ka ndërtuar aty një shkollë me emër dhe një kishë…

26 mars

Dolën nga shtëpia në orën 10.05 dhe morëm një barkë peshkimi… te fshati Foot (…). Është një pueblo e vogël dhe të gjitha shtëpitë janë palapa të zakonshme, përveç të tijës që natyrisht ka çdo komfor modern, (…) me përplot pjesë nga vende të ndryshme, kryesisht aziatike8. Balineze, japoneze dhe kineze dhe kopje goxha të bukura të dollapëve të kolonive spanjolle dhe ‘rafte uellsiane’, etj., me një kopsht, ndërtuar në rërë, që, po të mos ishte bugënvila aty do të mund të merrej për ndonjë kopsht anglez në Kent. Trëndafila të bukur, etj. Shumë muhabete gjatë kthimit tonë nëse ishte njeri i mirë, me mendjen te mirëqenia, edukimi, etj., për fshatin e tij bukur të prapambetur, po nëse thjesht po luante rolin e Zotit. Nuk tingëllon aq intelektual dhe këmbëngul të thotë se lexon goxha shumë. Shikova bibliotekën e tij që është e vogël dhe ka fare pak libra që s’i kam lexuar dhe përveç ca librave pseudo-mistikë asgjë që s’do të mund ta gjeja në vikendoren e çdonjërit. Në tavolinë, hapur dhe me fytyrë poshtë një libër me titullin Famous Stories of Sherlock Holmes9. (…) Hëngrëm peshk të freskët të marinuar në lëng lime për fillim, pastaj supë guaskash, dhe në fund sierra në grill me domate dhe sallatë trangujsh. Dy Chriss-ët morën po ashtu lazanjë dhe mbaruan me atë që ata e quanin torta me djathë më e mirë që kanë parë ndonjëherë10. Elizabeth dhe Norma (Heyman), e cila kishte qëndruar me ne disa javë duke i bërë bisht dashnorit të saj të tmerrshëm (…) hëngri “Vallartans-in” e saj, që është emri që ne i japim një regjimi të pijes që do të thotë një pije para drekës dhe dy para darkës. Unë, natyrisht, nuk jam duke pirë ende asgjë dhe përveç kafes së rastësishme, që zakonisht nuk e pi veçse me konjak. (…) Prej se kam reshtur së piri, jam bërë edhe unë vetë një çikëz shijues i mirë, sigurisht po të mos ishte sherri i vetëdisiplinës së rreptë, gurman. Prandaj kam  krijuar mendimin se likeri i fortë në çfarëdo forme para ngrënies është vrasës i shijes, sado që një burgonjë e pasur dhe e fortë me një biftek dhe një porto me një copë të fortë djathi është e kënaqshme. Po aq e mirë është gotë vere të bardhë të thatë me peshk…

Shënime:

1) Burtoni dhe Taylori kishin kaluar disa ditë me Frank Sinatrën në shtëpinë e tij në Rancho Mirage, Kaliforni.

2) Sinatra kishte pasur një fletëthirrje nga Komisioni Hetues i New Jersyet dhe ishte detyruar të paraqitej aty para shkurtit.

3) Mike Romanoff (1890-1971), aktor dhe restaurator hollivudian.

4) Revista Encounter (1953-91), bashkëthemeluar nga Stephen Spender.

5) Julie Andrews (1935). The Sound of Music (1965), me regji të Robert Wise. Andrews kishte fituar Oskarin për filmin Mary Poppins (1964) dhe ishte nominuar për Oskar për filmin The Sound of Music.

6) Blake Edwards (1922-2010) regjisor dhe (nga viti 1969) bashkëshort i Julie Andrewsit, i cili kishte bërë filmin Darling Lili.

7) Yelapa, 20 milje në jug përgjatë bregut nga Puerto Vallarta.

8) Palapa është shtëpi ose kasolle me çati prej gjethesh të palmave.

9) Sherlock Holmes, detektivi fiktiv i Arthur Conan Doyle (1859-1930).

10) Christopher Wilding dhe Christopher Taylor, nipërit e Elizabethes.

/The Richard Burton Diaries, Yale University Press, 2012

/Gazeta Express