Il mestiere di vivere. Diario 1935-1950 është ditari i në të cilin Pavese mbante shënime, në formë fragmentare, mendimet dhe ndjesitë e tij. Këtë ditar filloi ta mbante (1935) teksa ishte i internuar nga regjimi fashist në Brancaleone dhe e vazhdoi deri në vdekjen e tij. Është botuar për herë të parë më 1952 nga Einaudi nën kujdesin e Massimo Mila-s, Italo Calvino-s dhe Natalia Ginzburg-ut
25 dhjetor 1937
Ose me dashuri ose me urrejtje, por gjithmonë me dhunë.
Të shkosh në kufi nuk është asgjë, të kthehesh nga atje është e lemerishme.
Njeriu i masës nuk do të duhej të jetë pazarxhiu1, por i disiplinuari. Ne nuk jemi as njëri as tjetri.
A ka gjë më të trishtë se sa të plakesh dhe prapë të mbetesh fëmijë.
Nëse qirja nuk do të ishte gjëja më e rëndësishme e jetës, Gjeneza nuk do të zinte fill nga aty2.
Natyrisht të gjithë të thonë «po çka ka rëndësi? Nuk është vetëm kjo gjë. Jeta është e larmishme. Njeriu vlen edhe për gjëra të tjera» po askush – as burrat – nuk ta hedhë syrin po nuk e pate atë fuqinë që rrezaton. E gratë të thonë «ç’rëndësi ka?, etj.» por martohen me një tjetër. E të martohesh do të thotë të ndërtosh një jetë. E ti nuk do ta ndërtosh kurrë asnjë sosh. Kjo do të thotë të kesh qenë fëmijë një kohë tepër të gjatë: këtë.
Nëse të ka shkuar keq me atë që ishte e gjithë ëndrra jote, me kë mundka vallë të të shkojë mirë?
A të kujtohet se si të gjitha ëndrrat e tua me shtëpi punëtorësh të ndritshme, ecjet e tua mes pemësh nëpër livadhe, qyteti yt i ftohtë përposh bjeshkëve, tabelat me neon të kuq karshi sheshit të bjeshkëve, të dielat e bredhjeve drejt këtyre shesheve, kalldrëmeve, mandej ëndrra jote sfllitëse për shoqëritë piemonteze-ndërkombëtare, vashat që jetojnë vetëm dhe punojnë, ëndrrat e elegancës së vegjelisë dhe rehatisë dhe pastaj të gjitha poezitë e tua të vitit të parë: janë hedhur poshtë të gjitha më 9 prill3? A nuk ka vdekur e gjithë rinia jote në kinema dhe sheshe statut4, a nuk ka vdekur njëherë e përgjithmonë?
A të kujtohet se si në Brancaleone mendoje për sheshin statut?
Bash ty duhej të të bënte vaki të përqendroje gjithë jetën në një pikë të vetme, pastaj të zbulosh se mund t’i bësh të gjitha përveç se ta jetosh atë pikë.
Pas sç gjithash sot është data 25. E ajo është në bjeshkë. Ka pasur një 25 kur nuk ka shkuar. Përnjëmend?
Çka ka rëndësi të jetosh me të tjerët, kur askujt nuk i ha për të gjitha gjërat vërtet të rëndësishme të të tjerëve?
Për t’u pëlqyer njerëzve lypset të flasësh publikisht për atë që asnjëri prej këtyre njerëzve nuk e refuzon dhe urren në jetën e tij sekrete.
Ke dështuar në dashurinë-plotësinë me të. Kush do të mund të ta japë dashurinë-rrugëdalje? Asnjëra, nëse edhe ajo, që të ka refuzuar ngase ishte e pamundshme plotësia, ka gjetur dashurinë-rruëgëdalje me një tjetër.
Sinqerisht. Më parë do të doja të vdisja unë se sa të merrja këtë lajm për të. Këtu përnjëmend do të doja të besoja në Zot që t’i lutesha. Që të mos vdesë. Që të mos i ndodhë asgjë. Që e gjithë kjo të jetë ëndërr. Se do të ketë një të nesërme. Që më parë të zhdukem unë.
Të mëson më shumë një krijesë e vetme se sa njëqind sosh.
30 dhjetor
Pse të përkulem? Gjatë këtij viti, 1937, kam sanuar dëmin e vitit 1936, kam shndërruar një kolaps të frikshëm (’35-’36) në një kalim në maturi. Kam rigjetur në mënyrë absurde një dashuri të së nesërmes; kam prekur fundin e zemrës sime të gjallë; kam çikur sërish poezinë-shfryrje dhe ia kam dal mbanë, si dhe kemi shkruar U-në e moçme5; kam arritur një nam si kritik mendjehollë me një gatetë; kam grumbulluar një tufë novelash të ndryshme, të forta dhe pjellore – ndonjëra përfundmitare – kam gjetur përsëri ritmin e krijimit.
Kam përkthyer katër6 libra me një fitim prek 6.200 lirash. Kam dhënë shumë leksione dhe kam gjetur një varg nxënësish. Shpresa po kaq të mëdha për vitin 1938.
A nuk ësht ky momenti që lufta të çojë gjithçka në ajër? Do të ishte një goxha pjesë e ironisë kozmike. Do t’ia vlente barra qiranë.
Që të mos bëjë vaki kjo shaka e keqe, unë përgjigjem për veten. Përgjigjem për të. Përgjigjem për gjithçka.
Pavarësisht të gjithave, pavarësisht botës, kë tjetër do të mund të falënderoja në këtë fundviti nëse jo atë? Atë dhe mua të bërë më të fuqishëm me rikthimin e Saj?
Dhe ngjatë këtij viti ka dalë në shesh turpi im i gjatë dhe sekret. Në atë vitin tjetër, 1934, është edhe 13 gushti. Megjithatë jam gjallë. A nuk është mrekulli kjo?
31 dhjetor
Ka vetëm një ves, dëshira, që quhet, tek Ivanët, ambicie; dhe te Mitjat, neps. Gjeneza në fshehtësinë e saj vë në zanafillë një ambicie që mund të interpretohet si neps. Tragjikja e jetës është se e mira dhe e keqja janë e njëjta lëndë e veprimit – dëshira – vetëm, e ngjyrosur në mënyra të kundërta. Por si ngjyra të para natën që dallohen ose pse marrim anë ose instinktivisht, por kurrë përmes njohjes së qartë. Magjia dhe drithma e vesit është ankthi që natën jep një ngjyrë që ne mendojmë se është e tillë, ndërsa në të vërtetë është tjetër.
Ne mbajmë në duar masa ngjyre të paqartë, shpesh duke besuar se është e kuqe, por në të vërtetë është e kaltër dhe duke qenë në ankth përherë, posa që duam ta shquajmë. Tragjedia e së mirës së qëllimshme është tragjedia e njeriut të vogël që anë agim duhet të ketë grumbulluar shumë blu dhe në terr kërkon me dorë dhe tutet vazhdimisht se do të zgjedhë të kuqen, pastaj kush e di në fund del të jetë e verdha. Vetëdija nuk është asgjë tjetër veçse nuhatje, ngjyrë që njihet me anë të prekjes.
Kjo është e vërtetë tek «art për art»: ulesh në tavolinë dhe e shijon vullnetin e pastër, një vullnet nevoja e brendshme e të cilit është kripë, ngase mundëson të lindë nga vetë ne një rend dhe një zgjidhje që janë imunë nga çfarëdo jashtësie brutale, burojnë dhe regëtijnë nga vetëdija jonë. Sa më shumë që ky rend ndërtohet, aq më shumë bëhet i domosdoshëm, por kënaqësia jonë me të tamam arrihet në rrugë e sipër dhe duke e objektivizuar. Pasi që mbaron vepra, ja ku vjen shkëputja dhe në fund pakënaqësia: ky rend dhe kjo zgjidhje janë jashtëzuar, nuk mund ta themi më të tonën, duhet t’i pranojmë si një realitet natyror. Jemi i ati, jo më dashnori: e studiojmë veprën tonë me një ankth dhe kureshtje të vëmendshme paksa armiqësore: është biri që shkëputet.
Sado inferiore që të jetë vepra në ëndërr, a ka ndonjë që nuk e kundron i mahnitur dhe pasiv dhe që nuk gjen në të gjëra të panjohura?
E gjithë qetia, altruizmi, virtyti dhe theroria bien në praninë e dy – burrë e grua – që ti e di që janë qirë dhe do të qihen. Ai misteri i tyre i pacipë është i padurueshëm. Po nëse njëri prej atyre dy është e gjithë ëndrra jote? Çfarë bëhesh ti atëherë?
Të duash një person tjetër është si të thuash: tash e tutje ky person do të mendojë për lumturinë time më shumë se sa për të veten. A ka diçka më të pamatur?
Ai që nuk është xheloz as për brekët e bukuroshes së tij, ai nuk është i dashuruar.
A ka diçka më të thellë se sa gjesti fëmijëror i dashnorit që thith thimthat e së dashurës?
Të interesojnë dy gjëra: teknika e dashurisë dhe teknika e artit. Te të dyjat ke arritur përmes çiltërsisë dhe ashpërsisë, që nuk ishin edhe pa shije. Në të dyjat ia ke filluar me anë të herezive: venerë vemtimtare dhe ulërimë e ritmuar në mënyrë pasionale. Në të dyjat ke krijuar njëfarë kryevepre. Po do të vijë dita kur do të zbulosh 13 gushtin tënd edhe të artit.
(Përkitazi me shënimin e 20 nëntorit, II) – Origjina autobiografike e mendimit të treguar në poezitë e tua, shkon paralelisht me origjinën autobiografike të romanit objektiv, atë që e ke zbuluar te Cellini dhe Defoe39. Shkëputja e realitetit në tregim në veten e tretë është një rafinim i teknikës, por fillon përherë (?!) me paraqitjen e një realiteti përmes një uni (autobiografi). Edhe te novelat e tua po ndodh po kjo gjë.
Po kjo a nuk tkurr poezinë dhe romanin në rrënjët e dramës? Se personazhi që flet është një dhe shumë, a nuk është e njëjta gjë?
Një rrjedhim banal dhe i gërshetuar nga ky konstatim është teknika moderne e personazheve të ndryshme të romanit ku të gjithë autobiografohen (As I Lay dying – Faulkner).
Deri më tash e ke bërë protagonistin të flasë në veten e parë pa e çarë kokën që ta karakterizosh madje edhe në mënyrën e tij të shprehjes (Idoli, I paftuar7, Dashuria e parë) – tash duhet të tregosh kujdes edhe ndaj veçorive të tij: ta krijosh si personazh, të mos e katandisësh si një vetja jote neutrale (dhe do të jetë Vulgariteti, ose Vetëvrasjet).
Shënime:
Pazarxhi – i joshur nga demagogjia, me gjasë iu referohej atyre që mbështesnin regjimin fashist, duke marrë pjesë, për shembull, në tabimet masive.
Gjeneza: nga ftesa e Zotit që i bën njeriur të rritet dhe të shumohet; por edhe siguria e Adamit se burri dhe gruaja do të jenë një mish i vetëm (Gjeneza, 1.28- 2.24).
9 prilli – “provimi i ndërgjegjës” i 10 prillit 1936.
Statur – Statuto, nga ku mund të shijohet vërtet pamja e “bjeshkëve” të Val di Susa.
U – bëhet fjaë për poezinë Le vacchia ubriaca.
Katër libra –Dos Passos, John Steinbeck, G. Stein dhe Defoe.
Idoli… – tregime të autorit.
/Marrë nga Cesare Pavese, ‘Il mestiere di vivere’, Einaudi 2000
/Përkthtimi Gazeta Express