Ditari i javës/ Pavese: 9-10 nëntor 1936 - Gazeta Express
string(38) "ditari-i-javes-pavese-9-10-nentor-1936"

Arte

Gazeta Express

13/02/2026 14:48

Ditari i javës/ Pavese: 9-10 nëntor 1936

Arte

Gazeta Express

13/02/2026 14:48

Il mestiere di vivere. Diario 1935-1950 është ditari i në të cilin Pavese mbante shënime, në formë fragmentare, mendimet dhe ndjesitë e tij. Këtë ditar filloi ta mbante (1935) teksa ishte i internuar nga regjimi fashist në Brancaleone dhe e vazhdoi deri në vdekjen e tij. Është botuar për herë të parë më 1952 nga Einaudi nën kujdesin e Massimo Mila-s, Italo Calvino-s dhe Natalia Ginzburg-ut

9 nëntor 

Kërkimi i një ripërtëritjeje është i lidhur me maninë konstruktive. Tashmë e kam mohuar vlerën poetike të së tërës të kanoncierës që pretendon të jetë poemë28, porse mendoj vazhdimisht se si t’i rendis lirikthat e mia, ku të shumëfishoj dhe integroj domethënien e tyre. Prapë më duket se nuk po bëj tjetër veçse po paraqes gjendjet shpirtërore. Prapë më mungon revizioni i botës para gjykimit të vlerës. 

Sigurisht se vendosja e llogaritur e poezive në kanconierë-poemë nuk i përgjigjet asgjëje tjetër veçse një vetëkënaqësie dekorative dhe reflektuese. Pra, po i morëm poezitë e Fleurs du Mal, se ato janë të vendosura në këtë a në atë mënyrë, mund të jetë një gjë e hijshme dhe sqaruese, mbase edhe kritike, por asgjë më shumë. Ato poezi tashmë janë shkruar, por fakti se Baudelaire i ka shkruar ashtu njërën pas tjetrës bindëse dhe në të njëjtën kohë joshëse në tërësinë e tyre si një tregim, a mos nuk vjen kjo nga konceptimi moral, gjykues, shterës i tërësisë së tyre? A mos ndoshta një faqe e Komedisë Hyjnore e humb vlerën e saj të gërshetuar si një shënim i një të tëre nëse shkoqet nga poema, apo zhvendoset? 

Por, duke e lënë për një kohë më të mirë analizën e unitetit të Komedisë, a është e mundur t’i jepet një vlerë përkatësie-të-një-tërësie një poezie të konceptuar në vetvete, sipas fërfërimës së një frymëzimi? Pastaj se Baudelaire nuk e konceptonte një poezi në vetvete, por duke e menduar të dhëmbëzuar me të tjerat, nuk më duket e mundshme. 

Ka edhe më. Duke qenë se një poezi nuk i është e qartë autorit në domethënien e saj më të thellë veçse pasi të jetë përfunduar, si është e mundur të ndërtojë ai librin, përveçse duke menduar për poezitë tashmë të shkruara? Kanconiera-poema pra është prore një afterthought29

Megjithatë mbetet përherë vërejtja se ka qenë e mundshme të konceptohen si një e tërë – ta lëmë anash Komedinë – dramat shekspiriane. Duhet ta themi: uniteti i këtyre veprave vjen tamam nga vazhdimësia reale e personazhit, nga zhvillimi natyror i faktit, që duke ndodhur në një ndërgjegje jo boshe e humb materialitetin dhe fiton domethënie shpirtërore, bëhet gjendje shpirtërore. 

10 nëntor

Pse kërkoj prore nga poezitë e mia përmbajtjen shterëse, morale, gjykuese? Unë që nuk shkoj me mendjen se njeriu duhet të gjykojë njeriun? Pretendimi im nuk është veçse një dëshirë vulgare për ta thënë timen. Që është larg shpërndarjes së drejtësisë. A po i ndaj drejtësi unë jetës sime? A më intereson ndonjë gjë drejtësia në gjërat njerëzore? Po atëherë pse pretendoj ta shqiptoj në ato poetike? 

Po pati figurë në poezinë time, atëherë është figura e të ikurit nga shtëpia që rikthehet me gëzimin e vendthit të tij, pasi që ka shëtitur ngado, edhe nëpër vende piktoreske, me fare pak dëshirë për të punuar, duke u kënaqur shumë me gjëra krejt të thjeshta, përherë i hapur, i patëkeq dhe i prerë në gjykimet e tij, pa qenë në gjendje të vuajë deri në fund, i kënaqur të ndjekë natyrën dhe ta shijojë ndonjë grua, por po ashtu i kënaqur të ndihet vetëm dhe i papunë, i gatshëm çdo mëngjes t’ia nis nga e para: pra poezia Mari del Sud

/Marrë nga Cesare Pavese, ‘Il mestiere di vivere’, Einaudi 2000

 /Përkthtimi Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement