Paul Klee (1879 – 1940), artist gjerman. Stili i tij individual i vlerësuar lart ishte i ndikuar nga lëvizjet artistike si ekspresionizmi, kubizmi dhe surealizmi
Maj 1900, Oberhofen
Evelinë, të kam premtuar shumë. Që të jem njeri për së mbari. Dua të ta dëshmoj. E para, duhet të përgjunjem para Zotit. Pastaj, Evelinë, shpëtomë mua të tërin! Nuk kam njeri tjetër përveç teje – jam zbavitur me helmin, e kam helmuar veten, pse doja të isha i huaj? Isha tejet i lidhur me të mirën për këtë. Mallkuar qoftë faji, me gjasë është shumë i madh se sa që mendoja. Oh, ta harroj atë kur jam afër teje! Por së pari duhet të më falësh. Po munde. Të falënderoj që më parë.
Ekskursion në Beatenberg me Hallerin dhe Schiwagon
Në Beatenberg ku kam përjetuar ndjesinë time të parë erotike, u vetëdijesova qartë se pas së gjithash njëfarë krimbi po ma brente shpirtin tim.
Prania e vërtetë e Schiwagos, i cili kishte një prirje etike, bëri edhe më shumë që të na shtynte drejt shqyrtimeve morale. Që të katër ne, Haller, Fraulein K., Fraulein Schiwago dhe unë kishim ndërmarrë një ekskursion në Thun. Në Sherzligen morëm me qira një barkë bukur të pamanovrueshme nga një peshkatar dhe nuk shkuam larg me të. Ne e kthyem atë dhe iu drejtuam një konkurrenti të peshkatarit, i cili ishte në gjendje të na e jepte me qira një barkë të mrekullueshme me fund të sheshtë. Rrjedha e qetë e lumit Aare përgjatë Bachimattit na bëri një përshtypje të fuqishme. Pastaj rremuam drejt mesit të liqenit me sipërfaqen e ujit si pasqyrë sa më afër Merlingenit, mes kuvendimeve idilike miqësore dhe kërcimeve të herëpashershme në ujë – Helleri solli mbi bord çadrat e hapura të diellit të zonjave. Në Merlingen hasëm në një skelë të vogël – të mbuluar nga vegjetacioni – të një shtëpie ferme ngjyrë kafe dhe të zezë. Lamë aty barkën tonë dhe u ngjitëm lart deri në St. Beatenberg. Posa mbërritëm atje u ndalem te Hotel Beau Sejour dhe hëngrëm një drekë të shkëlqyeshme. Pastaj e ngremë kampin në një mal të vogël dhe nën drejtimin tim ndoqëm shtegun e këndshëm deri te shpella e Saint Beatus dhe mbrapa, përmes pyjeve të mrekullueshme, deri në Merlingen. Në freskinë e mbrëmjes rremuam deri në Oberhofen, ku hallat e mia të dashurua na shtruan darkën në pistë. Tre shokët e mi morën avulloren e radhës për në Bern, por unë qëndrova në Oberhofen. Ktheva barkën mbrapa në Scherzligen mëngjesin e së nesërmes.
Ringjallja e Tolstoit na u prezantua në rrethin tonë nga Schiwago. Ishte tepër etike për mua, jo vetëm në raport me përmbajtjen artistike, por në vetvete. Nga vëzhgimet e përsëritura, e pranova se isha i hapur ndaj çështjeve etike vetëm atëherë kur rrethanat e jetës sime ishin të qarta dhe shpresëdhënëse. Më pas arti e thithi gjithë moralitetin tim dhe si person moral isha absolutisht i sigurt se do të përfundoja duke qenë i tëri i përthithur nga ajo botë. Po të kisha çuar një jetë më tokësore, me shumë gjasë s’do të kisha mundur të shmangia kundërthëniet e dhimbshme.
Njëherë, në një përgjigje Lotmarit, e shava librin: ai e mbrojti atë aq fisnikërisht sa më bëri një përshtypje të madhe dhe, deri në njëfarë mase, pati një ndikim mbi mua. Sidoqoftë, si nuk po e bënte këtë me ndonjë qëllim të caktuar, ndërsa Schiwago bënte çmos të na shpëtonte. Unë këmbëngulja te fakti se libri kishte mangut humorin. Më vonë, pasi që u fejova, idealizmi im etik u ngrit prapë dhe opinioni im mbi këtë libër bashkë me të, dhe ia bëra dhuratë atë të fejuarës sime.
Në qershor, në avulloren e Bubenbergut, takova Fraulein Helene M., nga Neuchatel. Kjo zonjushe e bukur gjashtëmbëdhjetë vjeçe kishte qenë si fëmijë objekt i pasionit tim të parë të madh. Nisa të mendoja për tërë atë që më kishte ndodhur prej atëherë, ndërkohë që ajo kishte mbetur e freskët dhe e pastër si rrëke pylli.
Shpesh jam i poseduar nga djalli; fati im i keq në mbretërinë seksuale, dëng me probleme, nuk më bën më të mirë. Në Burghausen kam ngacmuar kërmij të mëdhenj në mënyra të ndryshme. Tash, në regjionin e Thunersees, duke e dëshiruar edhe më shumë po qe e mundur, jam përsëri pre e të njëjtave tundime. Pafajësia më irriton. Kënga e zogjve m’i ngre nervat. Më duket sikur po shkel çdo krimb që më del përpara.
Ekskursion natën nga Bern në Solothurn, këmbë, pastaj lart në Weissenstein në mëngjes; në orë katër pasdite, kthim prapa në Solothurn. Salla e birrës bavariane si lagje e fjetjes. I lodhur nga ecja trembëdhjete orësh, u ktheva në shtëpi me tren. Bloesch dhe një shok i tretë ndanë mendjen të ecnin në shtegun e mbetur nga Solothurn te Borgdorfi.
Përpilova skicën e testamentit të fundit. Në të kërkova që të gjitha dëshmitë ekzistuese të orvatjeve të mia artistike të shkatërrohen. E di mirë se sa e varfër dhe jokonsekuente ishte e gjitha në krahasim me mundësitë që i ndieja.
Herë pas here kolapsoja i tëri në modesti, doja të bëja ilustrime për revista humoristike. Më vonë do të mund të kisha rastin të ilustroja mendimet e mia. Rezultati i një modestie të tillë ishin pak a shumë eksperimentet e sofistikuara tekniko-grafike.
/Marrë nga ‘The Diaries of Paul Klee 1898–1918’, University of California, 1992
/Përkthimi: Gazeta Express
FTESE PËR PJESEMARRJE Ne procedurën e tenderit/gares për dhënien/perzgjedhjen e shërbimit të qirasë për automjete të pablinduara, pa shoferë,...