Ditari i javës/ Nella Last: janar 1941 - Gazeta Express
string(36) "ditari-i-javes-nella-last-janar-1941"

Arte

Gazeta Express

19/12/2025 13:26

Ditari i javës/ Nella Last: janar 1941

Arte

Gazeta Express

19/12/2025 13:26

Nella Last (1889 – 1968), shtëpiake angleze që kishte jetuar në Barrow-in-Furness, Lancashire. Ajo kishte mbajtur një ditar për Mass Observation Archive nga viti 1939 deri më 1966. Ditari i saj, prej rreth 12 milionë fjalësh, dy sosh prej të cilave të shkruara gjatë LIIB, është njëri prej ditarëve më të gjatë në gjuhën angleze

E mërkurë, 22 janar 1941

Sot më erdhi një vizitore – ajo erdhi në Qendër të qepte – një grua e re e hareshme e këndshme, vajza e së cilës ishte martuar me ushtarin e saj të zemrës dhe kishte kaluar jetën e saj të shkurtër martesore afër tij kudo që ai ishte i stacionuar dhe tash ai ishte jashtë vendit, që dy vjet. Ajo është një lloj vajze e pashme ‘e klloçitur’ – vetëm 22 vjeçe – dhe sot (kur ajo dhe mamaja e saj na vizituan) bukuria e saj ishte e zymtë dhe e vrenjtur dhe kapela e këndshme e mrekullueshme me të cilën ajo zakonisht duket aq shik dhe hijerëndë tash dukej si një kapelë karnavalesh e vënë shkel e shko. Më pikoi zemra për të dhe për të gjitha vajzat e palumtura si ajo dhe kur po largohej ndjeva gjuhën ime – gjuhën time që përgjithësisht mund të gjejë diçka të parëndësishme për të thënë sa për të kaluar hendekun – u ngjit për qiellzës dhe asnjë fjalë ngushëllimi nuk mund të shqiptoja. Isha dëng me mëshirë për të sa mbeta pa fjalë – si atëherë kur takon një mike pasi që ajo e ka humbur burrin ose fëmijën. Duket se ajo e kuptoi se ndieja atë që nuk mund të thosha dhe derisa po i përcillja te dera ajo u kthye kah unë në hajat dhe më tha, ‘A nuk është jeta e çuditshme, znj. Last? Bobi dhe unë adhuronim njëri-tjetrin dhe dëshironim me zjarr të kishim një fëmijë, por nuk kishte asnjë shenjë, sado që kishim gati një vit të martuar.’ Znj. Holt, mamaja e saj, u bë all në fytyrë dhe tha, ‘Laura, ti më lë pa mend kur flet kështu’ dhe unë u ndjeva edhe më keq për vajzën. Nëse ajo nuk mund të flasë dhe të thotë atë që do ajo vetë dhe nuk gjen mirëkuptim dhe simpati, ku mund ta gjejë tjetër këtë?… 

Pashë se kam përgatitur rreth 30 kukulla, i kam rregulluar trupat e tyre dhe ua kam ndrequr fytyrat e dyllosura të gatshme për përqafim. Kam mbushur mbi një duzinë sosh dhe i kam mbaruar dy Gretçenë dhe kam ecur mirë me dy gollivogë të tjerë dhe me dy kauboj (të porositura), kështu që pavarësisht shtyllës së shkretë kurrizore që më dhemb në çdo cep dhe më bën të kthej kokën me zor – vetëm nervat, e pranoj, dhe pasojat e të ftohtit të keq – ka qenë një ditë e mirë. Më pëlqen të ndiej se ditët e mia janë të vlefshme – m’i largon mendimet e zeza si ulërimat e ujqërve natën – dhe nëse e di se kam bërë ‘diçka që të ndihmoj të tjerët’, atëherë kjo është më mirë se sa aspirinat për gjumë. Ruth tha, ‘Kurrë nuk të mbaj mend të kesh kaq pak për Sailros Home’ dhe unë i thashë, ‘Kam vetëm dy jelekë dhe ato librat dhe letrat nuk janë të dobishme për ta – ata janë Women’s Weeklys dhe do të shkojnë në spital. Besoj se të gjithë janë duke mbledhur për Qendrat e pushimit* për qytetin. Znj. Waite dje tha, ‘A do të doje që unë të blej ca tesha fëmijësh – pallto dhe kostume, etj. – nga z.Bell (tregtar nga i cili ne marrim një pjesë të leshit, batanijeve dhe çarçafëve për ushtarët në Fort)? Ajo tha se ai ka marrë një sasi të mirë dhe se do të mund të merrnim bukur do gjëra dhe se për 5 funta do të na jepte një furnizim të mirë. Mendoj se janë të egër. I thashë, ‘Le t’i shohim së pari dhe nëse duken të vlefshme do të blejmë dy sasi, se shumë shpejt do të kem më shumë para në dorë (nga lotaria, etj.) dhe ju mund ta shpenzoni gjysmën e parave në këtë mënyrë.’ E lumja ajo, ajo është në dijeni të qejfit tim për të harxhuar  para dhe prore përpiqet të më bëjë të harxhoj dhe të blej, siç thotë ajo, ‘Nëse e kupton vlerën e parasë, zoçkë, atëherë do të marrësh zemër edhe më shumë të fitosh të tjera!’

E enjte, 23 janar

Derisa po përcillja Ata burra ishin të lirë, sipas mendimit tim shfaqja më e mrekullueshme dhe më rrëqethëse që ka dhënë BBC ndonjëherë, mendjen e kisha vetëm tek ajo se sa fatlume kishin qenë Anglia dhe Britania për aq sa e mban në mend historia. Lufta Civile e jona dhe kryengritjet e vogla ishin lokale ose çështje bukur xhentëlmene krahasuar me masakrat dhe shtypjet në vendet e tjera dhe vrisja mendjen nëse në rëniet dhe ngritjet e përjetshme duhej të na binin hise edhe neve dikur, siç iu ka rënë të gjitha vendeve të kontinentit. Kudo dëgjoj të flitet për pushtimin, por jo fjalë të frikës disfatiste. Ose është qëndrimi ‘më mirë ta bëjmë’ ose ndonjë shaka në lidhje me të – si atëherë kur caktohet një takim dhe shtohet një vërejtje gazmore, si ‘nëse na lejon pushtimi’, etj… Sot në Qendër kishte një mori vërejtjesh që i stërdëgjova në lidhje me pushtimin, por në një dritë më të vagullt. Madje e lë nën hije racionin e pakët të ushqimit si bazë për kuvendimet grarore dhe psherëtimën e ‘çka mund të përgatisim për darkë dhe me çka ta bëjmë supën’. Shumica e marrin me të keq të kenë para dhe të mos mund të ‘jetojnë shumë mirë’ – bërxolla, pjekurina, shpezë dhe një sasi e mirë peshku si shojzë pikëverdhë, troftë, hipoglos. 

E shtunë, 25 janar

Ruth më vizitoi rrugës drejt një ‘vendi pune ditore’ tjetër dhe fjalët e saj të para qenë ‘A ke dëgjuar raportin e z.Brown për atë se çfarë do të bëjnë gjermanët nëse na pushtojnë dhe fitojnë? Thashë, ‘Po – nuk kemi nevojë për lajme rrëqethëse që të na e ngrijnë gjakun sot, apo jo?’ Ajo tha, ‘Epo, Lil’ – mikja e saj – ‘ dhe unë folëm për këtë me shumë kujdes, znj. Last, dhe nëse vjen pushtimi dhe nuk kemi asnjë mundësi të mos biem në duart e gjermanëve, atëherë do të mbajmë me vete përherë një teh sa për siguri. Shkuam të mbajmë orët e ambulancës dhe “mësuam për damarët e gjakut” dhe kurrë nuk do të hezitojmë t’i hapim nëse vjen puna te më e keqja. Ajo qëndroi aty në këmbë aq e qetë, aq e ëmbël, një vajzë e re e fortë me ata sy të hirtë dhe të vendosur dhe një hije duket se ra mbi zemrën time derisa problemet e reja po lindnin në kokën time dhe një mëshirë për nënat e vajzave ma zgjoi ndjesinë që kam pasur përherë për mamatë e djemve. 

E mërkurë, 29 janar

Me autobusët, postat dhe kantieret e anijeve vajzat janë duke lënë punët si shërbëtore për të pasur pagë më të mirë dhe njoh një mori sosh që po përpiqen të mbarështojnë shtëpi shumë të mëdha me një… ku kërkohen katër veta. Një shtëpi e madhe, me ngrohje qendrore dhe e ndrequr njëmend shumë bukur, në pronësinë e një tregtari misri të dalë në pension, nuk e ka askënd veçse ‘zonjën’ shtëpiake, një e ve e një marinari që është katandisur si hije duke u përpjekur të mbajë ngrohtë dhe të ushqejë mjaftueshëm burrin e moshuar në shtëpinë e madhe të zezë, se nuk mund të aktivizojë ngrohjen qendrore që kërkon një ton thëngjill në javë për shtëpinë, shtëpitë e mëdha të gjelbra, etj. Në Qendrën e punës i kanë thënë asnjë shërbëtore nuk do ta merrte parasysh ‘Arnolene’ në kohë normale, përveç nëse aty janë katër a pesë veta nga stafi dhe se ishte punë e rëndë, dhe ka pasur shenja të forta se mund të përdoret për qëllime ushtarake së shpejti! Do të ishte qesharake që kalohet para një shtëpie-spital kaq të mrekullueshme.

Shënim:

* Qendrat e pushimit ishin ngritur si strehimore të përkohshme për njerëzit që mund të mbeteshin pa shtëpi si rezultat i bombardimeve ajrore.

/The Diaries of Nella Last, Profile Books, 2012

/Përkthimi Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement