Gjatë ‘Dhunimit të Nankingut’ namkeq, një pushtimi brutal militar të Nankingut, Kinë, që nisi në dhjetor 1937, vlerësohet që ushtarët japonezë të kenë vrarë rreth 300.000 mijë kinezë dhe të kenë dhunuar rreth 80.000 gra. Në përgjigje ndaj këtyre mizorive, një grup perëndimorësh kishin organizuar Komitetin Ndërkombëtar për Zonën e Mbrojtur të Nankingut dhe u përpoqën të strehonin refugjatët. Në mesin e atyre heroinave humanitare ishte Minnie Vautrin, një misionare amerikane dhe presidente e përkohshme e Ginling College.
E mërkurë, 8 dhjetor 1937
Në orën 9 të mëngjesit ushtruam pranimin e refugjatëve dhe si të kemi sa më mirë në dorë metodën tonë. Nxënësit e shkollës së lagjes sonë, tre fëmijët e Wangut1 të “Madh” dhe nipi i znj. Tsen janë pesë përcjellës dhe duken bukur të rëndësishëm me fashat e tyre të veçanta në mëngë. Gjashtë nga shërbyesit po ashtu janë caktuar që të ndihmojnë. Z.Francis Chen2 dhe Yang Szi-fu3 do të qëndrojnë jashtë derës së hyrjes dhe do të mundohen të pranojnë njerëzit me radhë sipas familjeve. Do të vendosim njerëzit lokalë në fjetore dhe refugjatët nga qytetet si Wuhsi4 në Ndërtesën Qendrore. Po i lejojmë familjet lokale të jetojnë në Shtëpinë e Lagjes dhe tashmë është mbushur goxha shumë.
Mund të dëgjojmë breshëritë e artilerive nga larg, duket të jetë nga jugu. Sa do të duhet derisa të mbërrijnë japonezët në qytet, ne nuk e dimë. Kam frikë se Ushtria kineze do të mposhtet këtu. Këtë mëngjes do t’i pranojmë refugjatët e parë – dhe çfarë historish që ta thyejnë zemrën kanë për të treguar ata. Janë urdhëruar nga Ushtria kineze t’i lëshojnë shtëpitë e tyre menjëherë. Nëse s’e bëjnë këtë, do të konsiderohen tradhtarë dhe do të qëllohen. Në disa raste shtëpitë e tyre digjen, në rast se interferojnë në planet ushtarake. Shumica e njerëzve vijnë nga Porta Jugore dhe pjesa juglindore e qytetit.
Flamujt e “Zonës së Mbrojtur” janë ngritur lart sot – kryqi i kuq në një rreth të kuq.
Sonte dukem si 60 dhe ndihem si 80 vjeçe. Nuk shkova te konferenca për shtyp, ngase doja të ndihja me pranimin e refugjatëve.
Është goxha ftohtë këtyre ditëve, por fatbardhësisht kemi diell dhe s’ka as shi as borë.
Znsh.Lo5 është vendosur te Shkolla Praktike6 sot dhe do të na ndihmojë të kujdesemi për refugjatët.
Ajo do t’i mbikëqyrë ata të Shkollës Praktike.
Një lajmërim nga Ambasada thotë – “Njëkohësisht me largimin e zyrtarëve të tjerë diplomatikë, zyrtarët e mbetur të Ambasadës amerikane këtë mbrëmje do të hipin në U.S.S. Panay dhe do të vendosin aty zyrat e përkohshme të Ambasadës. Pritet që zyrtarët e Ambasadës të kthehen te zyrat në tokë nesër gjatë ditës. Kur të marrë lajmin lajmin se Porta Hsia Kwan7 është mbyllur, Panay do të lëvizë nga ankorimi i tanishëm nga San Chia Ho. Litarë për të ndihmuar evakuimin nga muret e qytetit i janë dhënë Dr. M.S. Bates nën kujdes8”.
E enjte, 9 dhjetor 1937
Sonte flakët po ndriçojnë qiellin mbi gjithë qoshkun jugperëndimor të qytetit dhe një pjesë të mirë të pasdites kemi parë re tymi nga çdo drejtim përveç veriperëndimit. Qëllimi i ushtrisë kineze të heqin qafe të gjitha pengesat në rrugën e tyre – pengesa për pushkët e tyre dhe pusi të mundshme, ose mbrojtje për trupat japoneze. McDaniel9 nga Associated Press thotë se i ka parë se si i fillonin zjarret me vajguri. Pronarët e atyre shtëpive janë refugjatët që kanë ardhur në qytet në turma të mëdha gjatë dy ditëve të fundit. Nëse kjo metodë i vonon japonezët 12-24 orë që të hyjnë në qytet, vras mendjen a ia vlen ky çmim që po paguhet me mjerimin njerëzor.
Tashmë është pothuajse e pamundshme të dërgosh letra – posta nuk pranon më letra. Sot në mëngjes i shkrova katër letra dhe u përpoqa, së pari, te Metropolitan Hotel, pastaj te Ambasada britanike dhe në fund te Ambasada amerikane.
Teksa ishim në konferencën për shtyp, këtë mbrëmje u krye një bombardim i madh mbi Hsin Chieh Kow10, çka na bëri të gjithë neve të ngrihemi nga karriget dhe kam frikë se disa u zbehën. Ky ishte zjarri i parë i artilerisë që kemi pasur. S’kishte një orë të vetme që nuk dëgjonim aeroplanët. Konferenca për një kohë sonte përbëhej nga dy burra të shtypit, dy kinezë dhe pjesa tjetër ishin misionarë. Duket se s’do të ketë më konferenca shtypi.
Kur mbërrita në dhomë pashë se tronditja ishte aq e madhe sa e rrëzova një vazo lulesh nga dritarja ime.
Me gjasë kemi 300 refugjatë në kampus sonte. Disa kanë ardhur nga Wuhsi, të tjerët nga jashtë qytetit dhe një pjesë tjetër nga lagjja jonë. Rreth 1.500 tashmë janë në Shkollën e Trajnimit për Mësues Bible.
Në orën një radio (lajmet) foli për ca shenja paqeje pasi që është marrë Nankingu. Frikësohem se do të marrë vesh se do të ketë një përgënjeshtrim.
Historitë e refugjatëve ta thyejnë zemrën. Sot një grua erdhi duke derdhur lot të hidhur dhe tha se kishte ardhur në qytet për një porosi, por vajza e saj trembëdhjetë vjeçe nuk mund të kalonte nëpër portën e qytetit, as ajo s’mund të dilte më jashtë.
Vajza e vogël është te Porta Gwang Kwa, ku luftimet janë më të ashprat.
Një grua tjetër erdhi nga San Chia Ho dhe po e kërkonte mamanë e vet si e tërbuar. Pasi që nuk e gjetëm në kampusin tonë, e dërguam te Shkolla e Trajnimit për Mësues Bible.
Me gjasë nesër do të jetë ditë e luftimeve të ashpra, ku japonezët do të bëjnë çmos të hyjnë në qytet. (Më vonë kuptova nga Fukuda11 se një pararojë në të vërtetë kishte mbërritur te Gwang Hwa më 10 dhjetor, por ishin zbythur).
Shënime:
1) Wangu i “Madh” ishte mësues i gjuhës kineze në Shkollën e Gjuhës në Nanking dhe tutori personal i Vautrinit. Gjatë Dhunimit të Nankingut ai pati po ashtu rolin e sekretarit të Vautrinit dhe e shoqëroi atë te Ambasada japoneze që të kërkonte ndihmë për shumë vizita që priteshin të bëheshin.
2) Francis Chen shërbeu si asistent thesarmbajtës dhe menaxher biznesi i Ginling Collage nga viti 1934-1939.
3) Një nga punëtorët e Ginglingut. ‘Szi-fu’ është një mënyrë mirësjelljeje kur i drejtohemi një punëtori jakë-kaltër kinez.
4) Wuhsi është qytet në provincën Kiangsu, i shtrirë pranë hekurudhës Nanking-Shangai, i ndarë në dysh nga liqeni Tai.
5) Znsh. Lo ishte punëtore evangjeliste që shërbente në lagje në afërsi të kampusit Ginling.
6) Shkolla Praktike ishte themeluar nga Vautrini në vitet 1920 për studentët e Ginlingut që të praktikojnë mësimdhënien që e kishin mësuar nga librat si një masë për trajnimin e mësuesve të shkollës së lartë dhe për të promovuar edukimin e grave kineze.
7) Hsia Kwan është zona bregdetare jashtë mureve të qytetit në veriperëndim të Nankingut.
8) Miner Searle Bates (1897-1978), doktor në histori në Yale University. Rreth tridhjetë vjet ka ligjëruar historinë si misionar i United Christian Missionary Society në Universitetin e Nankingut. Gjatë periudhës së Dhunimit të Nankingut ka ndihmuar në themelimin e Komitetit Ndërkombëtar për Zonën e Mbrojtur të Nankingut dhe ka mbrojtur me qindra kinezë nga ushtarët japonezë.
9) Korrespondenti Yates C. McDaniel nuk e kishte lëshuar Nankingun deri më 16 dhjetor, tri ditë pas rënies së qytetit.
10) Hsin Chieh Kow ishte qendër biznesi e Nankingut.
11) Tokuyasu Fukuda, atashe japonez në Nanking gjatë Dhunimit të Nankingut.
/Marrë nga ‘The Undaunted Women of Nanking – The Wartime Diaries of Minnie Vautrin and
Tsen Shui-fang’, Southern Illinois University, 2010
/Përkthimi: Gazeta Express
aaaaa