string(50) "ditari-i-javes-masha-rolnikaite-duhet-te-rrefej-ii"

Arte

Gazeta Express

21/04/2023 16:51

Ditari i javës / Masha Rolnikaite: Duhet të rrëfej, II

Arte

Gazeta Express

21/04/2023 16:51

«Ka një dallim të madh mes meje dhe Ana Frankut. Unë jam e mbijetuar» – ky është bilanci i Masha Rolnikaite-s. Ditari i saj, që nis më 1941, është shkruar në fleta të veçanta, mbajtur në kujtesë, me shënime në thasë çimentoje, kopjuar në copëza të vockla të fshehura pastaj në shishe – dhe në fund është hedhur në letër në pranverën e vitit 1945

Në mëngjes dola në rrugë. Kanë vënë shpallje: po organizohet një polici e getos. Regjistrohen vullnetarët.

Vullnetarët nuk mungojnë. Ua kanë vënë një fashë në mëngë dhe ata gërvallen duke e mbajtur veten për kush e di se kush.

Mamaja, Mirja dhe fëmijët nuk i kam gjetur ende, sado që kërkova në të gjitha oborret, bile më shumë se njëherë… Disa më këshillojnë të kaloj përsëri te getoja e parë, mbase janë aty përnjëmend. Policia po bëhet gati tamam ta bëjë një shkëmbim të të «zhdukurve», si unë, me geton e parë.

Nuk jemi pak. Policët e sapo emëruar na vënë në radhë, na numërojnë dhe na urdhërojnë të rrimë aty ku jemi. Ndërsa ata vetë zhduken kush e di se ku dhe nuk ua shohim bojën bukur për një kohë. Mandej kthehen dhe na numërojnë përsëri. Më në fund na marrin me vete, të shoqëruar nga roje të armatosura.

Me të arritur te getoja e parë duhet të presim pakëz para se të na e hapin derën. Mbesim aty, duke u dridhur nga mendimi se do të na çojnë në burg. Ushtarët nuk ka lënë të kthehemi mbrapa.

E hapën derën. Ja mamaja – gjallë, e buzëqeshur! Dhe Mira! Dhe motra ime e vogël, vëllai im i vogël! Me sa duket teze Pranja e ka mbajtur fjalën dhe i ka çuar fjalë se ku isha. Mamaja po ashtu e ka marrë vesh se po gatitej një shkëmbim i të «zhdukurve».  

Sa fjala, sa gëzimi, s’kemi të ndalur. Bile edhe ditët e vetmisë dhe kërkimit tash nuk duken aq të tmerrshme.

Mamaja, kuptohet, ka hequr të zitë e ullirit, edhe ajo e shkreta.

Duke mos më parë atënatë as mua as profeso Janitisin të ktheheshim, kishte menduar se më kishin njohur dhe ndaluar dhe kishte qarë gjithë natën. Kur mëngjesin tjetër kishte parë se po ndërtonin një rrethojë, ankthi kishte qenë edhe më i madh.

Pa paritur kishte mbërritur Prane dhe mamaja kishte vendosur të shkonte vullnetarisht në geto. Pikërisht në atë moment disa ushtarë kishin hyrë me dhunë në shtëpi. Kishin urdhëruar të bëheshin gati për pesë minuta dhe të merrnin me vete vetëm atë që mund të bartnin vetë. Mamaja i kishte hedhur në një karrocë teshat tona dhe pardesytë – prej kohësh me disa këllefë kishte mbaruar çanta për mua dhe Miren, plot me të brendshme – tamam, secilit fëmijë ia kishte dhënë nga një çantë të vogël, një bohçe dhe një kartelë në të cilën ishin varur një palë këpucë.

Gjëja më e vështirë kishte qenë të dilnin… Ushtarët i kishin shtyrë jashtë, nëpër shkallë, Rajelën dhe Ruvelën. Mamaja u kishte shkuar mbrapa, duke ia hedhur një shikim të fundit derës…

Në oborr ishin tashmë fiqnjët tjerë, edhe ata plot me bagazhe e kapota. Dikush thoshte se nuk kishte nevojë t’i merrnin kapotat: me dimrin do të marrë fund edhe lufta.

I kishin çuar në rrugën Rudnitsker. Mamaja kishte bërë të pamundshmen për të shkuar në geton tjetër, po për fat kishte mbetur këtu: ata të rrugës sonë që duhej të dërgoheshin në geton e dytë ishin dërguar në burgun e Lukishkes, ngase getot tashmë ishin që të dyja të stërngarkuara.

Në burg tashmë ishin ngujuar pesë-gjashtë mijë persona… I lëshonin vetëm familjet e disa punëtorëve të zotë të specializuar që punëdhënësit gjermanë kishin ardhur t’i kërkonin në burg. Ata që janë lëshuar tregojnë gjëra të tmerrshme – në burg është aq ngushtë sa s’mund as të ulesh; njerëzit rrinë tërë kohën në këmbë, një mbi një. Sa u përket nevojave fiziologjike, as mos e ço mendjen andej.

Ç’racë kriminelësh janë këta gjermanët!

/Marrë nga: Masha Rolnikaite, “Devo raccontare”, Adelphi, 2017

/Përkthimi: Gazeta Express