string(47) "ditari-i-javes-masha-rolnikaite-duhet-te-rrefej"

Arte

Gazeta Express

09/09/2022 16:27

Ditari i javës / Masha Rolnikaite: Duhet të rrëfej

Arte

Gazeta Express

09/09/2022 16:27

«Ka një dallim të madh mes meje dhe Ana Frankut. Unë jam e mbijetuar» – ky është bilanci i Masha Rolnikaite-s. Ditari i saj, që nis më 1941, është shkruar në fleta të veçanta, mbajtur në kujtesë, me shënime në thasë çimentoje, kopjuar në copëza të vockla të fshehura pastaj në shishe – dhe në fund hedhur në letër në pranverën e vitit 1945

Rrugëve kanë varur urdhra që ua ndalojnë hebrenjve të ecin nëpër trotuare. Duhet të ecim në rrugë, pranë trotuarit në të djathtë. Nga ana tjetër nuk mund të përdorim asnjë mjet transporti, automobil, autobus, etj. Deri edhe karrocierët duhet ta varin në karrocë një kartelë me shkrimin se nuk pranojnë klientë hebrenj.

Pastaj duhet të bartim edhe arna të tjera.

Gjithmonë yllin e Davidit, por jo në mëngë, mbi një katror stofi të bardhë të qepur përpara, mbi zemër, dhe në shpinë.  

Me gjasë ka do gjermanë që s’ua ka ëndja të shkojnë në front dhe sajojnë çmos për të demonstruar se këtu janë shumë aktivë dhe të nevojshëm.

Gestapoja i ka mbledhur përsëri anëtarët e Jedenrat-it. Çka do të shpikin kësaj radhe? Një tribut të ri, mbase?

Pre të terrorit, presim fqinjin.

U kthye në mbrëmje.

Me sa duket e kanë liruar atë dhe një anëtarë tjetër të Judenrat-it, ndërsa të tjerët i kanë çuar në burg. Pse vallë? Me çfarë qëllimi? Për çfarë fajesh akuzohen ata dhe për çfarë meritash i kanë lëshuar këta?

Një e diele e nxehtë gushti.

Në mes të ditës dëgjuam një potere.

Vrapuam te dritaret. Një bandë gjermanësh të dehur janë duke e rrahur një të ri hebre. E çojnë drejt bashkisë, e vënë me fytyrë për muri dhe e rrasin grushte, ndërkohë që i shkreti, duke u përpëlitur në mënyrë të çuditshme, pret të shtënën e pashmangshme të pushkës.

U mblodh një turmë. Një oficer gjerman me surratin e kuq dhe të djegur prej alkoolit, sytë e dalë nga vrimat dhe kapelën e shtrembëruar shpjegon si ai “jude” i mallkuar sapo ka shtënë mbi një ushtar gjerman të Wehrmacht-it në via Gediminio-s. Të gjithë hebrenjtë do të përgjigjen. Një ushtar i Gjermanisë së Madhe vlen më shumë se njëmijë si ai. Kushdo që dëshiron mund ta vrasë kriminelin dhe të marrë pjesë në asgjësimin e armiqve të popullit gjerman.

Disa zgërdhihen bukur të kënaqur, të tjerë shkojnë tutje, pa e fshehur zemërimin e tyre.

Hitlerianët  e ndalojnë duke kaluar, e fusin brenda viktimën e tyre të përgjakur dhe ia mbathin.

Mbetëm në dritare të shushatur, të ngurosur, gjermani ka thënë: «Të gjithë hebrenjtë do të përgjigjen…».

Të gjithë… këtë herë nuk do të shpëtojmë…

Marrë nga: Masha Rolnikaite, “Devo raccontare”, Adelphi, 2017

/Përkthimi: Gazeta Express