Sándor Márai, i lindur Sándor Károly Henrik Groschenschmied de Mára (Košice, 11 prill 1900 – San Diego, 22 shkurt 1989), ka qenë shkrimtar hungarez, me nënshtetësi amerikane. Marai studioi letërsi, filozofi, drejtësi dhe gazetari në universitet e Budapestit, Lajpcigut, Frankfurtit dhe Berlinit. Jetoi gjatë në Vjenë, Zvicër, Paris dhe në Itali. Debutoi me përmbledhjen poetike ‘Libri i kujtimeve’, më 1917. Ai u bë i njohur sidomos me romanin ‘Qirinjtë digjen deri në palcë’, 1942.
20 janar 1984
Lodhje, dobësi, me merren këmbët. Si atëherë kur është harxhuar bateria dhe llamba e xhepit përhap stërkalat e mbrame të dritës.
Në mbrëmje ia lexoj L-së1 vargjet e mortajave të Egjiptit. Sadizmi i historisë atavike është i gjallë dhe mizorisht i sinqertë. Zoti ‘ngurtëson’ vazhdimisht zemrën e Faraonit, derisa t’i lejojë hebrenjtë të largohen nga Egjipti – pse vallë? Në të njëjtën mënyrë mund të ëmbëlsonte zemrën e Faraonit, duke qenë se e ka atë fuqi. Fshikullimet, errësira, murtaja, karkalecat, mizat e mëdha, breshri… të gjitha këto do të mund të shmangeshin, duke qenë se Zoti mund të ndërhyjë në interes të popullit të zgjedhur edhe me mjete paqësore, pa qenë nevoja të shfarosë dhe ndëshkojë pandërprerë popullin egjiptian. Megjithatë ai shfaros dhe ndëshkon deri në gjeneratën e shtatë dhe ‘ngurtëson’ sërishmi zemrën e Faraonit… Ky Zoti hebraik është Zot i çuditshëm.
Linkoln ka thënë se kur i kalon të dyzetat çdonjëri është përgjegjës për fytyrën që ka. Nga aspekti ekzistencial, kjo është e vërtetë: njeriu nuk është ai që ishte në momentin e lindjes së tij, përkundrazi është ai që është bërë me kalimin e kohës. Por pas të tetëdhjetave nuk jemi më përgjegjës për fytyrën tonë – jemi në teh të forcave mbi të cilat nuk kanë kurrfarë fuqie personaliteti dhe vetëdija.
Hanry James, te The Cage, The Jolly Corner… Mendimtari i shkëlqyeshëm i fundshekullit shpërrallon më shumë se sa që iluminon. Janë Austen nuk të jep përshtypjen e lëneshës, sado që për nga natyra është e tillë: nuk shpërrallon, i jep faktet. I shkëlqyeshmi Henry James, që ishte homoseksual, si fëmijë mbeti i plagosur pas një rënieje nga kali, çka i shkaktoi një shqetësim seksual. Duke kuvenduar sipas modës së salloneve, por me freski dhe mendjemprehtësi, e përshkruan borgjezinë e lartë anglo-amerikane të asaj periudhe (sidoqoftë është shkrimtar i nivelit superior në krahasim me gjeneratën vijuese të shkrimtarëve anglo-amerikanë, si tipat e Sinclair Lewis, Dreiser, Anderson), vetëm se kur rrëfen për këtë shoqëri, e bën atë duke shpërralluar.
27 janar
Në mesditë djegagur, në mbrëmje shtrëngatë ere e të ftohti arktik. Thua se gjithçka është përmbysur. Luaj me numrat: isha dyzet e tetë vjeç kur e lamë Hungarinë. Tash shifrat janë kthyer mbrapsht: dyzet e teta është bërë tetëdhjetë e katër. Kemi të njëjtën mësho me kohën në të cilën jetojmë.
Atdheu horizontal është i shkarët, i ndryshueshëm. Atdheu vertikal është kompakt, më i qëndrueshëm se metali. Nganjëherë konsiston në një varg të vetëm.
Natën lexoj poezi të Benedek Virag2. Në periferinë e Krisztinas ishin fqinj, përveç faktit se ai u transferua aty poshtë, në sheshin Szarvas, dyqind vjet para meje. I lexoj poezitë e tij me kënaqësinë e atij që bën një zbulim. Kanë një karakter të ri dhe befasues, ngase nuk synojnë të rezultojnë të reja dhe befasuese me çdo kusht. Pra avangardë, por fshehur pas një paruke të bardhë. Patriotizmi i tij është murmuritës, dëng me humor të keq. Ishte poet prift që nuk hiqet si komediant, nuk ngarendte pas istrionizmit tipik të një Laszlo Mecs-i3. Në mesnatë, në bregun e Oqeanit Paqësor, më sjell kënaqësi të ndërroj dy llafe me fqinjin tim.
Katalogë të vëllimshëm të shtëpive botuese, një ose dy në javë. Libra me mijëra, me dhjetëra mijëra, të gjitha të botuara së fundmi, qindra e qindra të çdo lloji. Rrezikoj të ngufatem nga neveria. Të shkruash fjali të thjeshta. Ose vetëm fjalë. Të lexosh fjalorin. Letërsia ka vdekur, rroftë tregtia librore.
29 janar
Kisha këtu afër, pasi që besimtarët e saj – mendoj se ishin një sekt kongregacionist – janë larguar, është blerë nga një tregtar verërash. Në rrjedhën e ca muajve ndërtesa e bukur e madhe është ristrukturuar krejtësisht, por mbi kupolë ka mbetur të vigjilojë – në rrethinë dhe mbi ne – engjëlli që i bie borisë. Megjithatë sot ia kanë veshur një mantel të praruar dhe në kishë, të shndërruar sipas një normave të një luksi të tepruar, po organizohen bankete madhështore, po shpërndahen pjata të kuzhinës franceze dhe verëra të vjeljeve të përzgjedhura. Në mbrëmjen e galës përuruese pesëqind persona kanë paguar njëqind dollarë për kokë për darkën: kjo shumë do të dhurohet për orkestrën filarmonike lokale që ka falimentuar. Çmimet janë të larta edhe në ditët e pushimeve, por kisha, ku tash bukë e verë iu ofrohen besimtarëve në formën e aragostave dhe Château Lafitte, është një variant tipik i konfesionit religjioz dhe artit kulinar.
Ka dalë biografia e re e Dostojevskit: autori është njëfarë Joseph Frank. Recensioni (shkruar nga i shkëlqyeshmi V. S. Prichett) sinjalizon faktin se kjo biografi e fundit tregon shkrimtarin ungjillor rus nën një aspekt të ri: Dostojevski debutoi si një lloj i dandy borgjez, prandaj u ngatërrua në një lëvizje socialiste të markës romantike, përfundoi i burgosur në Siberi, prej nga u kthye në letërsi në rrobat kanonike të profetit ungjilloro-nacionalist. Krijoi vepra madhështore dhe mes befasive që e prisnin në rrjedhën e karrierës së tij ishte zbulimi – që kishte zanafillën në periudhën siberiane dhe ishte konfirmuar në vijim – se bujkrobëria nuk dëshironte fare që të shfuqizoheshin ndarjet klasore: përkundrazi, nëse një qytetar i huaj për klasën e tyre “sillet në mënyrë demokratike ndaj tyre, e vrojtojnë me mosbesim dhe dyshim, nuk është njëri prej tyre sepse mban fjalime në interesin e tyre.” Nga ai moment Dostojevski nuk besoi më se të ashtuquajturit intelektualë radikalë do të mund të kishin ndikim mbi masat punëtore ruse. Bujkrobërit donin një fat më të mirë, lirinë, megjithatë nuk ua zinin besën profetëve borgjezë mjekërmëdhenj dhe ungjillorë. “A man should not pretend to be other than he is” shkruan Prichett. Një armiqësi dhe një mosbesim i ngjashëm mund të hasen jo vetëm në shekullin XIX, por edhe në ditët e sotme, në fazat e përmbysjes së rendit shoqëror dhe jo vetëm në Rusi.
Urrejtja e klasës që shpërthente në burg qe një befasi e madhe për Dostojevskin. Një bujkrob i mërguar, thënë troç, ishte po ashtu edhe kriminel, në burg ndihej “në shtëpi” më shumë se sa shkrimtari revolucionar, i cili besonte se identifikohej me të mërguarit dhe të mjerët. “Si ujku i rënë në kurth,” ja si ndihej Dostojevski në mërgim. Siç pohon biografi, ai reshti së besuari në atë se mundimet e intelektualëve radikalë do të mund të ushtronin ndonjë ndikim mbi masat e mëdha të popullit rus. Dhe zbuloi se fshatarët nuk donin të impononin asnjë përmbysje të gjendjes së tyre sociale: donin një fat më të mirë, një liri më të madhe, por nuk uronin që ndarjet klasore të zhdukeshin.
Simptoma si këto perceptoheshin, pas vitit 1945, në Hungari dhe në vende të tjera, posaçërisht atje ku revolucionarët zyrtarë proklamuan të mirëqenien publike, ndërsa populli vëzhgonte me dyshim mënyrën se si në hierarkinë e vjetër të bëra copa ndërfutej, në vend të mirëqenies publike, mirëqenia e partisë.
/Marrë nga Sándor Márai: “L’ultimo dono”, Adelphi, 2012
/Përkthimi: Gazeta Express