Ditari i javës/ Kierkegaard: 11-19 tetor 1835 - Gazeta Express
string(43) "ditari-i-javes-kierkegaard-11-19-tetor-1835"

Ditari i javës/ Kierkegaard: 11-19 tetor 1835

Arte

Gazeta Express

12/07/2024 17:03

Në edicionin origjinal danez, Ditari i Kierkegaard-it është botuar në 22 vëllime. Ditari është njëra prej tri seksioneve të veprës së tij të titulluar Papirer, shkruar mes viteve 1834 – 1855. Në të ka mbledhur mendimet e dhe ankthet e tij më të thella, shqyrtimet e tij filozofike dhe teologjike, si dhe polemikat me kishën dhe përfaqësuesit e saj më të lartë

11 tetor 1835

Lexo Edhe:

Jo vetëm njerëzimi pati nevojë, por edhe vetë Individi ka nevojë, nëse mund të them kështu, për dy gjendje: mëkatin dhe vetëdijen e mëkatit. Së pari mëkati, pastaj kur ai «de facto» ka reshtur, vetëdija e mëkatit.

13 tetor

Është e çuditshme kjo aleanca që është lidhur mes protestantizmit dhe politikës moderne. Luftohet nga të dy anët për të njëjtën gjë, për sovranitetin e popullit, ku po ashtu është interesant të shihet se si regalistët autentikë (në këtë ata nuk duan të kenë një konceptim në një fushë dhe një konceptim thelbësisht të ndryshëm në një fushë tjetër, konceptime që, tek individi, duhet të jenë që të dyja të bazuara në të njëjtat parime) aviten te krishtërimi.

17 tetor

«Filozofia dhe krishtërimi nuk lejojnë kurrë të puqen».

Ngase, nëse unë dua të mbaj një prej gjërave më thelbësore të krishtërimit, do të thotë Shëlbimin, ai domosdoshmërisht duhet të shtrihet te njeriu në tërësinë e tij. Apo unë do të duhej t’i supozoja cilësitë e tij morale defektoze, ndërsa njohjen e tij të paprekur? Në këtë mënyrë mund fare mirë ta pranoj mundësinë e një filozofie pas krishtërimit dhe pasi që njeriu është bërë i krishterë, por kjo filozofi do të ishte e krishterë. Raporti s’do të ishte më mes një filozofie të thjeshtë dhe krishtërimit, po mes krishtërimit dhe njohjes së krishterë, përveç nëse duam të themi se para krishtërimit, përfundimi në të cilin arrinte filozofia ishte pamundësia për të zgjidhur enigmën e jetës, ngase kështu filozofia do ta mohonte vetveten në esencën e saj të detyrës për ta sqaruar raportin mes Zotit dhe botës, nëse rezultati i saj është pamundësia për ta sqaruar një raport të tillë. Atëherë filozofia, me të arritur në perfeksionin e saj, do të bartte me vete perëndimin e saj përfundimtar, pra si vërtetim se nuk kishte mundur të korrespondonte me qëllimin e saj. Bile, filozofia, nga një pikëpamje e tillë, nuk do të shërbente më as si një kalim në krishtërim, ngase do të duhej të ndalej me patjetër në atë rezultat negativ dhe e gjithë ideja e nevojës së shëlbimit domosdoshmërisht do të duhej të postulohej nga një anë krejt tjetër: pra së pari do të duhej të ndihej e pastaj të njihej. E kurdo që filozofia do të ndërmendej për një sasi të madhe të njerëzve që ndiheshin gjallërisht të bindur për nevojën e tyre të shëlbimit dhe të shëlbimit të tyre të vërtetë, atëherë sigurisht se do të mund të aplikohej në këtë problem… për t’u munduar që t’i kuptojë bindjet e këtyre njerëzve. Por vetëm për këtë, se ajo s’do ta njihte nevojën e shëlbimit. Pra, ka «këtu» një hon të pakapërcyeshëm. Për të krishtërin, konsiderimi i njohjes së njeriut defektoze për shkak të mëkatit është e justifikuar te krishtërimi. Filozofi përpiqet, tamam, të kuptojë, si njeri, raportin mes Zotit dhe botës. Prandaj rezultati mund të njihet fare mirë si i kufizuar, duke qenë se njeriu është qenie e kufizuar; sidoqoftë, në të njëjtnë kohë është rezultati më i madh i mundshëm për njeriun «qua homo». Filozofi natyrisht mund të arrijë deri tek ideja e mëkatit të njeriut, po kjo s’do të thotë se ai e njeh nevojën e njeriut për shëlbim; aq më pak nevojën e një shëlbimi, i cili – i tillë që korrespondon me mëkatshmërinë e përgjithshme të krijesës – do të duhej t’i referohej Zotit; por për një shëlbim relativ, pra për një shëlbim që shëlben vetveten. Madje filozofi do t’i jepte zemër më tepër njeriut ta harrojë të kaluarën, meqë aktiviteti i tij i dendur nuk e lejon të merret me të.

/Marrë nga Soren Kierkegaard: Diario I, 1843-1849, Morcelliana, 1962

/Gazeta Express