Ditari i javës/ Kharms: 27-28 nëntor 1932 - Gazeta Express
string(39) "ditari-i-javes-kharms-27-28-nentor-1932"

Arte

Gazeta Express

18/07/2025 17:18

Ditari i javës/ Kharms: 27-28 nëntor 1932

Arte

Gazeta Express

18/07/2025 17:18

Daniil Ivanovič Juvačëv (1905  1942), prozator, poet dhe dramaturg surrealist rus, i njohur me pseudonimin Daniil Charms 

E diel, 27 nëntor. 

Alisa Ivanovna thirri këtë mëngjes. Ajo do të shkojë në një koncert në Filarmoni këtë mbrëmje, do të japin ‘Requiemin’ e Mozartit. Dua të shkoj edhe unë. Më thirri Andronikovi. Edhe Esteri. Ajo kishte qenë në një ndejë gjithë natën. Më foli si të ishte obligim. Nuk është e interesuar të lidhet me mua. Asnjë fjalë të vetme për takimin. Edhe unë qëndrova gojëkyçur. 

Tatiana Nikolajevna thirri dhe e rregullova me të që të takohemi te Filarmonia në orën 8.30. E hekurosa kostumin tim të shkretë të përdorur, e vura një jakë të kollarisur fort dhe, tekembramja, deri në njëfarë mase e lezetshme. Këpucët e mia, e vërtetë, janë jashtëzakonisht të këqija dhe, çka është më e keqja, tojat janë këputur dhe bërë nyjë. Me një fjalë, u visha aq mirë sa munda dhe shkova në Filarmoni. 

E takova Poretin te që ishte me Kondratievin dhe Glebovën në holl. Thjesht s’kam zemër ta pyes Ivan Ivanoviçin për një biletë, kështu që u futa në radhë te biletaria. Më duhej të blija një biletë jo vetëm për veten time, por edhe për Glebovën. Doli se më e lira ishte tetë rubla dhe unë i bleva.

Përnjëmend jam shumë i druajtur. Dhe falë një kostumi të keq dhe të pazakontë për të dalë me të para shoqërisë, u ndjeva bukur i penguar. Njëmend nuk e di se si dukesha nga jashtë. Sidoqoftë, u përpoqa të mbahem sa më mirë që të mundesha. Ecëm përreth hollit dhe shikova fotografitë. U mundova të shprehja mendimet më të thjeshta dhe më të ndritshme në tonin më të thjeshtë të mundshëm, që të mos dukej sikur po përpiqesha të isha shakaxhi. Por ato mendime rezultuan të mërzitshme, ose thjeshtë të pakuptimta, madje, dukej, pa vend dhe nganjëherë një çikëz vulgare. S’ka rëndësi se sa fort po mundohesha, bëra një mori prononcimesh me një çehre jashtëzakonisht domethënëse. Nuk isha i lumtur me veten time. Dhe në një pasqyrë pashë xhaketën time t; m; ngjitej për shpinës. Isha i lumtur të kthehesha në ulësen time sa më shpejt që të mundesha. 

U ula ngjitur Glebovës, ndërsa Poreti dhe Kondratievi ishin ulur diku tjetër. 

Doja të ulesha në një pozë të sofistikuar, të çlirët, por me mendjen time, as nga kjo s’do gjë. Më dukej se dukesha si një ushtar që ulet në pritje të një fotografi trotuaresh. 

Njëmend nuk më pëlqeu koncerti. Do të thotë, nuk di asgjë më të lartë apo më të mirë se ‘Requiemi’ dhe kori i Klimovit përherë ka qenë i hatashëm, por këtë herë sa duket kori ishte shumë i vogël. Pra, ‘Requiemi’ nuk kumboi ashtu siç duhej.

Gjatë intervalit e pashë Zhitkovin dhe gruan e tij, e pashë Frau René, fola me Ivan Invanoviçin, por nuk fola as me shaka as me inteligjencë. Sa i tmerrshëm që jam bërë!

Pas koncertit Braudo erdhi te ne. Në këto rrethana, nuk e mora Glebovën në shtëpi. 

Në vend të kësaj shkova te Lipavski, ku Vvdenski dhe Oleinikovi supozohej të ishin. Por Oleinikovi nuk ishte aty dhe Vvedenski ishte me Anna Semjonovnën. 

Vetëm këtu, në tavolinën e Lipavskit, u ndjeva krejtësisht i lirë dhe pa asnjë detyrim. 

Por edhe këtu po ashtu mendoj se e tora gjatë dhe e lëshova veten tej mase. Megjithatë, përnjëmend nuk e di. 

Më lajkatoi një ftesë që ta kaloja natën te Lipavski. Tamara Aleksandrovna shkoi në dhomën e ngrënies të flinte, por nuk fjeti gjithë natën e lume. 

E hënë, 28 nëntor

Aleksandër Ivanoviçi do të shkojë në Borisoglebsk sot. Nga Lipavski shkova drejt tek shtëpia e Aleksandr Ivanoviçit. Shkova te dyqani me të ku ai bleu çorape për veten. Pasi që u ktheva tek A. Ivanoviçi nga dyqani, zbulova se llulla ime e vjetër ishte zhdukur. Kush mund ta kuptojë çka do të thotë të humbësh llullën? Për fat doli se e kishte marrë Tamara Aleksandrovna. Shkova në stacion të përcillja Aleksandr Ivanoviçin. Të dy Evgenia Invanovnat erdhën te stacioni me të. Anna Semjonovna dhe motra e Erbsteinit supozohej të ishin aty. Gjysmë ore para se të nisej treni, Evgenia Ivanovnat u larguan. Aleksandr Ivanoviçi dhe unë mbetëm vetëm. Por Niuroçka e tij nuk kishte ardhur. E pashë sa e trishtoi kjo gjë. U largua shumë i mërzitur. Pastaj Niuroçka më thirri dhe më pyeti se si ishte nisur Aleksandri. Mënyra se si sillet, Niuroçka, ma kujton Esterin.

Isha shtrirë në shtratin tim dhe po lexoja Der gute Ton. Ora ishte gati 9. Papritur Esteri më mori në telefon. Kishte qenë duke ia kaluar bukur me lezet së fundmi: përherë duke vizituar dikë. Por këtë herë kishin mysafirë ata vetë, meqenëse ishte përvjetori i 35-të i prindërve të saj. Esteri më kërkoi të shkoja. Pavarësisht çfarë thosha, ajo këmbëngulte në të sajën. Pra, do të shkoj. 

Ka goxha njerëz ulur në dhomën e ngrënies. Kibalçiçi është aty, edhe Jakhantovi, edhe Marceli, ca zonja dhe ca njerëz të tjerë. Esteri ma mbushi një gotë liker. U ula aty, all n; fytyrë, veshët po më digjeshin. Esteri dukej e rraskapitur dhe e lëshuar fare. Ajo flet, piskat, qesh me të madhe ose krejt papritur ndalet dhe dëgjon me gojën e hapur dhe në këtë rast nis të duket disi si një hebre plak. Më herët s’kishte ndodhur një gjë e tillë. Por unë e dua. Esteri vazhdon të më shikojë, çdo herë e më ka përzemërsisht. Jakhontovi u ngrit dhe lexoi poezi. E recitoi Derzhavinin. E recitoi fort keq, por me efekte deklamuese dhe me kulturë. Pastaj Pushkinin. Çdonjërit i pëlqeu. 

Esteri i rrahu duart dhe tha “Oh sa sharmante!”

Pastaj u largua Jahontovi.

Kur e pyetën Wiktor Kibalçiçin se ai pëlqeu Jakhontovi, ai tha se po, veçse e ka mënyrën e vet të recitimit dhe do të ishte i lumtur ta dëgjonte gjithë natën. Esteri tha: “Jam e dashuruar në të”.

Wiktori tha: “O kjo është punë e lehtë fare, s’ka nevojë ta recitojë Pushkinin për këtë.”

Pastaj Esteri tha: “Nuk jam e dashuruar në të, por me leximin e tij. Jam e dashuruar në Pushkinin.”

Pastaj Wiktori tha: “Oh! Kam qenë në Moskë dhe e kam parë Pushkinin. Zor të besosh se ai mund t’i përgjigjet dashurisë.” (Wiktori ishte duke folur për monumentin.)

Wiktori po bëhej spirituoz në këtë mënyrë gjatë gjithë mbrëmjes, në po atë mënyrë si unë dje kisha pasur frikë të bëhesha në hollin e Filarmonisë. 

U ula aty fytyrëkuq dhe çuditshëm, duke nxjerrë fjalët me zor nga goja. E gjitha që thashë ishte tmerrësisht pa interes. E pashë se Esteri më përbuzi. 

I thashë Esterit: “E dashur Ester, e kam humbur llullën.”

Ajo u përgjigj: “çka është ajo? Llullë?” pastaj nisi të fliste për diçka krejt tjetër me motrën e vet. 

Më në fund mysafirët ishin gati të largoheshin. Me qëllim prita që të iknin të gjithë. Marcel luajti diçka për mua në piano. Thashë mirë u pafshim dhe mora të largohesha. Esteri me pa te dera. Fytyra e saj ishte bukur e pakënaqur: e merakosur me diçka që s’kishte të bënte me mua, por ishte, në lidhje me mua, e pakëndshme. Nuk i thashë gjë. As ajo. Vetëm thamë: “Mirë u pafshim.” Ia putha dorën. E përplasi derën.

“O Zot!” – bëra pastaj – “e ka varur tureçkën si bushtër!” E thashë këtë me vete dhe ia mbatha shkallëve teposhtë. E thashë atë bukur pashpirtësisht. Por e dua.

U ndala të shihja Zhikovskin për dhjetë minuta, pastaj eca për në shtëpi përgjatë Nevskit.

Kur mbërrita në shtëpi, e shkrova gjithë këtë.

Ora është 3 e 10 e mëngjesit.

/Marrë nga Daniil Kharms I am a phenomenon  quite out of the ordinary, Academic Studies Press, Boston, 2013 

/Përkthimi: Gazeta Express